
Një nga hapësirat publike më të rëndësishme dhe historike të kryeqytetit shqiptar pritet t’i nënshtrohet një transformimi rrënjësor inxhinierik dhe kulturor. Sipas një vendimi të fundit, botuar edhe në Fletoren Zyrtare, Qeveria ka i ka hapur rrugë zyrtarisht projektit madhor për rehabilitimin e Sheshit “Nënë Tereza”, i cili do të përfshijë ndërtimin e një muzeu arkeologjik nëntokësor dhe një parkimi të ri nëntokësor.
Ky projekt synon t’i japë një dimension të ri sheshit monumental, duke gërshetuar ruajtjen dhe ekspozimin e trashëgimisë kulturore me zgjidhjet praktike për infrastrukturën dhe trafikun e Tiranës.
FSHZH merr drejtimin e projektit
Për realizimin e kësaj vepre komplekse, Qeveria ka mandatuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) si autoritetin e vetëm kontraktor dhe njësinë zbatuese. Kjo i jep FSHZH-së kompetenca të plota për të menaxhuar të gjithë ciklin e jetës së projektit, që përfshin prokurimin dhe kontraktimin. Zhvillimin e të gjitha procedurave të prokurimit publik për hartimin e projektit, zbatimin e punimeve dhe mbikëqyrjen e tyre.
Aplikimin dhe ndjekjen e procedurave për pajisjen me leje zhvillimi dhe ndërtimi pranë autoriteteve kompetente, duke vepruar në emër të institucioneve publike përfituese.
Për shkak të natyrës specifike të projektit—që prek urbanistikën, trashëgiminë dhe infrastrukturën—vendimi parashikon krijimin e një bashkëpunimi mes tre institucioneve kryesore. Krahas FSHZH-së si zbatuese, në projekt do të përfshihen ngushtësisht Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit (për shkak të komponentit të muzeut arkeologjik) dhe Bashkia e Tiranës (si administruese e territorit).
Këto tri institucione pritet të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për të garantuar që rehabilitimi i sheshit dhe funksionimi i muzeut dhe parkimit të bëhen në përputhje me vizionin urban dhe kulturor të qytetit.
Ndryshe nga projektet që kërkojnë fonde të reja shtesë ose kredi të jashtme, vendimi specifikon se të gjitha efektet financiare për këtë projekt do të përballohen direkt nga buxheti i miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Kjo pritet të përshpejtojë nisjen e procedurave, duke shmangur vonesat në gjetjen e burimeve të financimit.
ObserverKult
Lexo edhe:
Koçi Petriti: Vajza e djali dashuroheshin, por Shkumbini i kish ndarë…






