Shfaqjet `UN inspektori` dhe `Zona e pritjes` triumfuan në Ferizaj

Shfaqjet “UN Inspektori” me regji të Erson Zymberit, e teatrit “Adriana” të Ferizajt, dhe “Zona e pritjes” me regji të Fatos Berishës e teatri “Migjeni” të Shkodrës, janë shpallur fitues të edicionit të 49-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

Këto dy shfaqje, siç transmeton rtk, janë shpërblyer me çmimin “Shfaqja më e mirë” e Festivalit të Teatrove në Ferizaj, që u mbyll fundjavën që lamë pas.

Shfaqja “UN Inspektori”, e regjisorit Erson Zymberi, është ndërtuar mbi veprën “Revizori” të Gogolit, por e prurë dhe e përshtatur për aktualitetin e shekullit të ri nga regjisori Zymberi. Në shfaqje luajnë: Kushtrim Qerimi, Jajush Ramadani, Sherif Bega, Kushtrim Emërllahu, Milot Salihu, Edona Berisha, Dardana Mehmeti, Urata Shabani, Arben Marevci, Dashuri Rexhepi, Valdrin Osmani, Ali Krasniqi, Durim Neziri, Ekrem Jakupi dhe Nexhat Xhokli.

Në anën tjetër, në komedinë “Zona e pritjes” ngjarjet zhvillohen në një korridor ambulance, ku të gjithë presin të futen te doktori. Por ama kur i vjen radha për t’u futur të gjithë nxjerrin nga një justifikim për ta shtyrë këtë takim. Kemi një zonjë në moshë, e cila përzihet duke u përfshirë në çdo bisedë ose hall që këto personazhe kanë, duke ndërhyrë në hallin e çdo personi, sa arrin të bëhet shqetësim për të gjithë ata që presin. Në këtë shfaqje me rolet e tyre paraqiten aktorët: Rita Gjeka, Nikolin Ferketa, Linda Jarani, Jozef Shiroka, Kristi Lleshi, Simon Shkreli, Nensi Bakalli, Merita Smaja dhe Oliver Ymeri.

Edicioni i 49-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj ka nisur më 21 tetor 2019, ndërsa janë shfaqur shtatë teatrale nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në anën tjetër në edicionin e 49-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj çmimin “Regjia më e Mirë” e mori Kushtrim Bekteshi për shfaqjen “Një letër e humbur” e Teatrit të Tetovës. Si “Aktori më i Mirë” me çmimin “Ismail Rama” u shpërblye aktori Arsim Fazliu nga Teatri i Tetovës. “Aktorja më e Mirë” me çmimin “Adriana” u shpall aktorja Vjollcë Bekteshi e Teatrit të Tetovës. Për paraqitjen më të mirë në rolin dytësor nga femrat me çmimin “Roli Dytësor më i Mirë” u shpërblye aktorja Vlera Pylla nga teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës, kurse çmimi “Roli Dytësor më i Mirë” nga meshkujt shkoi për aktorin Simon Shkreli nga teatri “Migjeni” i Shkodrës. Çmimi “Roli më i Mirë Episodik” i takoi Urata Shabanit nga teatri “Adriana” i Ferizajt. Në anën tjetër me çmimin “Skenografia më e Mirë” u shpërblye Betrim Zeqiri, nga Teatri i Tetovës. Për punën me kostume me çmimin “Kostumografia më e Mirë” u vlerësua Alma Krasniqi, nga teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës. Profesionistët e medieve me çmimin “Shpërblimi i Gazetarëve” ose çmimi “Hafir Bislimi” shpërbleu shfaqjen “Erdhi Godoja” të Teatri të Qytetit të Gjilanit.

Përveç shfaqjeve, gjatë këtij festivali pati edhe aktivitete tjera, si: tryeza, opinione, punëtori e takime tjera rreth skenës teatrore.

Gjatë javës së kaluar në Ferizaj u promovua edhe vepra studimore “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, e regjisorit tashmë të ndjerë Bekim Lumit. Për të folur për këtë vepër në Ferizaj u mblodhën dashamirët e artit skenik e miqtë e Lumit.

Të gjitha shfaqjet filluan n[ orën 20:00 në teatrin “Adriana”, në Ferizaj. Ky festival mbledh çdo vit në këtë qytet regjisorë dhe trupa teatrale nga të gjitha vendet shqipfolëse. Festivali i Teatrove në Ferizaj është njëri nga festivalet më të vjetra në Kosovë, i cili ka vite që ka karakter mbarëkombëtar, përkatësisht me shfaqjet e tyre marrin pjesë teatro nga të gjitha hapësirat shqiptare. Ky festival në komunën e Ferizajt është ngjarja më e vjetër dhe më e rëndësishme kulturore.