Bill Cosby u lirua nga burgu pasi gjykata më e lartë e shtetit të Pensilvanisë shfuqizoi dënimin e tij për sulm seksual.
Gjykata hodhi poshtë dënimin e Bill Cosby-it për sulm seksual dhe hapi rrugën për lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu të mërkurën duke ndryshuar kështu papritur fatin për aktorin e njohur.
Gjykata mori vendimin pasi argumentoi se prokurori i çështjes gjyqësore ishte i detyruar në bazë të një marrëveshjeje të mëparshme të mos ngrinte akuza ndaj z.Cosby.
Cosby, 83 vjeç, ka kryer më shumë se dy vjet të një dënimi tre deri në 10 vjet burgim pasi u gjet fajtor për drogimin dhe abuzimin e administratores sportive të Universitetit Temple Andrea Constand në shtëpinë e tij në periferi të Filadelfias në vitin 2004. Ai ishte personaliteti i parë i famshëm që u gjykua dhe u dënua në epokën e lëvizjes #MeToo.
Ish-ylli i serialit komik “Cosby Show” u arrestua në vitin 2015, kur një avokat që kishte siguruar prova të reja – dëshminë e komedianit në një proces gjyqësor të ngritur nga znj.Constand – ngriti akuza kundër tij disa ditë para se të skadonte një afat 12-vjeçar që ndalonte ngritjen e akuzave ndaj z.Cosby, transmeton ‘indeksonline’.
Por Gjykata e Lartë e Pensilvanisë tha se prokurori i qarkut Kevin Steele, i cili mori vendimin për arrestimin e Cosby, ishte i detyruar të respektonte premtimin e paraardhësit të tij për të mos ngritur akuza ndaj Cosby. Nuk ka asnjë provë që ai premtim u bë ndonjëherë me shkrim.
Gjykatësi David Wecht, tha se Cosby ishte mbështetur në vendimin e ish-avokatit të qarkut për të mos e akuzuar atë kur dha dëshminë e tij potencialisht implikuese në çështjen e ngritur nga Constand.
Gjykata e quajti arrestimin e Cosby “një ofendim të drejtësisë themelore, veçanërisht kur rezulton nga një ndjekje penale që ishte refuzuar për më shumë se një dekadë”.
Gjyqtarët thanë që heqja e dënimit dhe ndalimi i çdo ndjekjeje të mëtejshme penale, “është e vetmja zgjidhje që përputhet me pritshmëritë e arsyeshme të shoqërisë nga prokurorët e saj të zgjedhur dhe sistemi ynë i drejtësisë penale”.