Shikoni momentet kur flakët përpijnë Sarajet e Toptanëve në qendër të Tiranës (Video)

Godina me vlera të rralla arkitekturore në mes të Tiranës, e njohur si Sarajet e Toptanëve është përpirë nga flakët mesnatën e djeshme. Godina gjendet në një nga zonat më të lakmuara për ndërtim dhe ku do të ngriheshin kullat në rast se do të ishte zbatuar projekti i parë i teatrit. Video më poshtë tregon momentin kur zjarrëfikësit kanë mbërritur në vendngjarje dhe përpiqen të shuajnë flakët, por ndërtesa e vjetër tashmë është në pushtetin e zjarrit.

Sarajet u ndërtuan rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Në fazën e parë kanë qenë me çardak e hajat në ballin kryesor. Shtëpia e zjarrit është bërthama e mjediseve përqark saj. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë, ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit, shkallët që ndërlidhin katet janë një ramëshe druri. Në fazën e dytë, në fillim të shek. XX, u bë një rikostruksion i mjediseve si dhe mbyllja e çardakut. Në vitet ‘20 të shekullit të kaluar aty ka qenë selia e Legatës së SHBA.

Sarajet janë shpallur monument kulture i kategorisë së parë shpallur me nr vendimi v. 1883 datë 10/06/1973. Banesa ka një sipërfaqe rreth 354 m2 dhe lartësia arrin deri në 12 m. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës. Brenda në banesë ndodhet një “Hamamxhik”, që do të thotë hamam kur ka dimension të vogël dhe ndodhet në hapësirën private të shtëpisë. Këto elemente janë indikatore të zhvillimit të teknikës, stilit të ndërtesave dhe zhvillimit ekonomiko-social të Tiranës në ato vite./lapsi.al

LEXO EDHE: Sarajet e Ali Pashës, të projektuara nga Petro Korçari