Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota” ka shënuar edhe një sukses ndërkombëtar. Në Festivalin Botëror të Vallëzimit mbajtur në Cheonan të Koresë së Jugut, prej 25 deri më 29 shtator “Shota” ka marrë çmimin e dytë.
Për pesë ditë, qyteti me 600 mijë banorë është shndërruar në kryeqendër grupesh folklorike e valltarë stilesh të ndryshme nga mbarë bota.
Në fakt bëhet fjalë për një ngjarje masive bazuar edhe në statistika. Edicionin e vitit të kaluar ishte vizituar nga një milion veta.
Lajmin për fitoren e “Shotës” e ka bërë publik Ylber Asllanaj, udhëheqës artistik i ansamblit, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale. “’Shota’ nderohet me vendin e dytë.
Sivjet në kategorinë ndërkombëtare të grupeve, ku është përfshirë edhe “Shota”, kanë garuar ansamble nga 17 vende të ndryshme. Rumania, Turqia, Polonia, Republika Çeke, Egjipti, Kenia, Bolivia, Ekuadori, Paraguai, Kolumbia, Meksiko, Indonezia, Uzbekistani, Malajzia, Tailanda, Palau- Oqea, kanë qenë shtetet pjesëmarrëse.
“Cheonan World Dance Festival” është një ndër më të mëdhatë në këtë vend dhe njëkohësisht anëtar i Federation of International Dance and Art Festivals (FIDAF). “Let’s Dance in Cheonan!” (Të vallëzojmë në Cheonan), është motoja. Ansambli ende nuk është kthyet nga Koreja e Jugut.
Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “SHOTA” u themelua më 30 shtator 1950, si Ansambël Profesional, me vendim të Kuvendit të ish-Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, sikur edhe tri ansamblet tjera, në ish Jugosllavi: “Llado” – Zagreb, “Kollo” Beograd dhe “Tanec” – Shkup.
Ky vendim e bëri këtë Ansambël të jetë njëri nga institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë. Në arsyetimin e aktit të themelimit thuhej: Ky Ansambël ka për detyrë të ruaj dhe zhvillojë folklorin (këngët dhe vallet popullore) të popujve që jetonin në këtë regjion.
Megjithatë, më 18 mars 1954, me një vendim të çuditshëm të te njëjtit organ, pa asnjë justifikim, ansamblit i ndërpritet veprimtaria. Pas një ndërprerjeje dhjetëvjeçare, në Mars të vitit 1964 u ri- aktivizua Ansambli profesional i Këngëve dhe Valleve, i cili u quajt Ansambli Shtetëror “Shota”.
Përderisa periudha 1950- 1954 kryesisht kishte shërbyer në ndërtimin e trupës artistike, në periudhën pas vitit 1964, Ansambli “Shota” luajti një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe valleve popullore të Kosovës, në veçanti këngëve dhe valleve shqiptare, meqenëse shqiptarët përbënin rreth 90 % të popullsisë së Krahinës.
Ky Ansambël ka afirmuar vlerat e vërteta kulturore kombëtare, të tilla si origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet ekzotike, me të cilat “Shota” është paraqitur në mbi 50 vende të botës, në të gjitha kontinentet.
Sipas dëshmive, gjatë kësaj periudhe më shumë se 60-vjeçare, Ansambli “Shota” ka shfaqur mbi 7500 koncerte në Kosovë, ish -Jugosllavi, Evropë, Amerikë, Afrikë, Azi dhe Australi. Në shumë prej tyre, “Shota” mori mirënjohje dhe çmime nderi, si: Gjerdani i Argjendtë në Dijon-France (1986), Vendi i parë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Bursa-Turqi (2013), Vendi i Dytë në Festivalin e Buyukcekmece (2013) dhe në Festivalin Botëror në Cheonan të Koresë (2011), 4 çmime në “Vitosha International Folklore Festival 2018”, përfshirë çmimin për Ansamblin më të mirë, muzikën më të mirë, kostume më të mira, dhe valltaren më të mirë të Festivalit (2018), vendin e parë për valle, në Agrigento- Sicili (2014), 4 çmime në Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Folklorit në Trabzon – Turqi (2017) dhe qindra çmime, kupa dhe mirënjohje në aktivitete të ndryshme në nivel lokal dhe rajonal.
Që nga viti 1994, Ansambli vepron me titullin e ri: Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”./ ObserverKult