M. J. Lermontov: Megjithëse të humba…

Të falemnderit! … Mbrëmë ti e prite
Pa buzëqeshje vjershën që të dhashë.
Pasionet s’mi kuptove dot, o vashë,
Po për vëmendjen tënde hipokrite
Të falemnderit!

Dikur në robëri më shtire ti.
Dy syt’ e tu e fjalët tërë thumba,
I fsheh në gji megjithëse të humba,
Po s’dua të më thuash ti tashti:
Të falemnderit!

Nuk do të hy në turmën adhuruese
Qe e trishtuar të vardiset pas,
Se mos më thuash, mua, buzagaz
Në vend të fjalëve të rënda e qortuese
Të falemnderit!

O, le të shohë syri yt i ftohtë,
Le të më vrasë shpres’ e ëndërrime
Edhe gjithçka që leu në zemrën time;
Ky shpirti im përherë do t’të thotë:
Të falemnderit!

Përktheu: Petraq Kolevica

Lexo edhe:

Lexo edhe