Kurrë, ama bash kurrë, nuk e kisha menduar se një ditë do të bëhemi të pafuqishëm përballë një qenie mikroskopike, e cila jo vetëm që do të ketë fuqi të jashtëzakonshme, por do të manifestojë edhe një inteligjencë me përmasa fantastike.
Frika ka mbërthyer tërë rruzullin tokësor. Të gjitha shtetet, të zhvilluara e të pazhvilluara, pothuaj hermetikisht i kanë mbyllur kufijtë dhe prapë korona virusi po tregon epërsi të jashtëzakonshme. Më në fund, po bindemi se zhvillimi i gjithmbarshëm i njerëzimit edhe në teknologji e mjekësi, nuk është i mjaftueshëm për ta eliminuar një qenie mikroskopike, e cila po shpërndahet me një shpejtësi supersonike. Nuk do të gabojmë nëse themi se tashmë ka humbur kuptimi i garës në zhvillimin e armëve atomike, garë e cila do të duhet të orientohet në zbulimin e armës së vërtetë që do ta nënshtronte këtë krijesë të padukshme.
Kurrë, ama bash kurrë, nuk e kisha menduar se një ditë do të mbyllemi nëpër shtëpitë tona dhe askush nuk do të vijë të na vizitojë e as ne do t’i shkojmë dikujt për ta uruar apo ngushëlluar. Kontakti ynë i vetëm do të jenë telefonat. Për një çast humbi kuptimin edhe politika, edhe pasuria. Për një çast jeta mori një përmbajtje tjetër, përplot me frikë e dyshim. Krahas luftimit të kësaj krijese mikroskopike, duhet të bëjmë çmos që ta ruajmë higjienën tonë shpirtërore dhe mos të lejojmë që të na zbehet dashuria për shkak të frikës dhe dyshimit se ai ose ata përballë meje ose përballë nesh është ose janë të prekur nga virusi mikroskopik, i cili, pavarësisht pritjeve për ta humbur fuqinë, në të ardhmen ndoshta do të na shpërfaqet edhe më i fuqishëm.
Kurrë, ama bash kurrë, nuk e kisha menduar se një ditë do të fillojmë të besojmë se për shkak të një virusi bota do të ndryshojë dhe se e nesërmja e njerëzimit me nostalgji do ta kujtojë të djeshmen. / ObserverKult