Shkëlzen Halimi: Të shkruash është punë e dhimbshme

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Shkëlzen Halimi

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-E di se ka ndodhur në fëmijërinë e hershme, përkatësisht kur u ula për herë të parë në bankën shkollore. Më kujtohet si sot, se në shtëpinë tonë (atëbotë kemi jetuar në Preshevë) në një raft të improvizuar kishim disa libra, të cilat pak më vonë, pasi kisha mësuar shkrim leximin, filluan të ma tërheqin vëmendjen. Librat e parë që i kam lexuar kanë qenë “Lugjet e verdha” të Rexhep Hoxhës dhe “Posta e porositur” nga Mark Krasniqi. Asnjëherë nuk e kam harruar edhe faktin se në atë grumbull të librave ka qenë edhe libri poetik “Bukuria e zezë” e Beqir Musliut, të cilin libër, natyrisht, e kam lexuar shumë vite më vonë. Por, si fëmijë që isha, mund të kem qenë 7 apo 8 vjeç, më pat bërë përshtypje titulli – Bukuria e zezë. Dhe këtë, ia pata treguar Beqirit, me të cilin kemi pasur miqësi të përzemërt dhe nga i cili kam mësuar shumë gjëra që kanë të bëjnë me letërsinë. Pra, me gjasë, pikërisht në atë takim të hershëm, u dashurova në letërsi, edhe atë, siç thonë, në shikim të parë, e cila dashuri nuk m’u zbeh asnjëherë.

Kur ratë në “grackën” e saj?

-Në ndërkohë, gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm kisha lexuar shumë libra dhe kisha shkruar disa poezi “të lehta”, por që i mbaja vetëm për vete. Përfundimisht rashë në “grackë” kur u regjistrova në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup dhe kur fillova të botoj te gazeta “Flaka”, pastaj në faqet “Rilindjes”, “Zërit”, “Bota e re” etj. Kur fillova të blija libra, ta vizitoja bibliotekën e dikurshme afër Bit Pazarit të Shkupit, bibliotekën e Katedrës, kur fillova t’i lexoja të përjavshme serbokroate “Knizhevne novine” dhe “Knizhevne reç” që ishin revista të specializuara dhe që ofronin shumë informacion, sidomos nga letërsia botërore. Ishte e qartë se kisha rënë në një “grackë” të thellë.

-Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Natyrisht se botimi i librit të parë (në Redaksinë e botimeve të “Flakës”) ishte një emocion i veçantë. Ishte një kthesë në jetën time, një ngjarje që kërkonte përgjegjësi për atë që tashmë më ishte bërë kredo. Pasoi botimi i librit të dytë (Rilindja), i cili nga kritika u prit mirë. Pas krijimit të miqësisë së ngrohtë me Ali Podrimjen, Ibrahim Rugovën (recensent i librit), Anton Pashkun, Teki Dervishin, Beqir Musliun, Musa Ramadanin, Ramadan Musliun, Shaip Beqirin, Nehas Sopaj që ishin vërtet shkrimtarë të veçantë, disi fillova të ndjej se edhe unë isha shkrimtar dhe se e kisha vulosur fatin tim në një rrugë aspak të lehtë.

A ia keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Për dallim prej shumë shkrimtarëve tjerë, shkrimi m’u bë përditshmëri edhe për shkak të sigurimit të ekzistencës. Merresha edhe me gazetari. Pra, e dija pse shkruaja. Kjo përvojë e të qenët gazetar, më ka ndihmuar shumë në rrafshin artistik, në atë botë të vetmisë ku gjithnjë përballë të qëndron fjala e bukur, e cila të çon në dimensione magjike, ku gërshetohen realja me irealen, ku bashkëjetojnë jeta dhe vdekja, ku është një det me figura të ndryshme stilistike, me simbole, me metafora ku dhimbjes ia merr ngjyrën, me qëllim që të shkruash diçka që e lehtëson shpirtin dhe ku në sfond gjithnjë të qëndron liria.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

-Besoj se çdo shkrimtar i ka veçantitë e veta. Unë, për shembull, preferoj t’i analizoj punët deri në detaje. Mundohem të jem pragmatik. I përcjell shenjat, sepse ndonjëherë janë pikërisht shenjat që të tregojnë se kah t’ia mbash.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Atë që nuk duket, por që përjetohet. Madhështinë e fjalës së bukur, fuqinë e poezisë, magjinë përmes prozës, të vërtetën  përmes dramave.

-Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Janë edhe disa projekte. Unë kam një stil punë paksa të çuditshme. Një kohë të gjatë e përpunoj në kokë një vepër dhe e pres momentin e duhur për t’u ulur dhe për ta shkruar. Ka kohë që më mundojnë dy projekte në prozë, ndonëse unë vazhdoj t’i bluaj ose t’i shkruaj në kokën time. Por, akoma nuk ka ardhur çasti i duhur. Ndërkaq, nga ana tjetër, nuk më ndahet poezia, te cilën e hedh në letër dhe pastaj mundohem t’ia jap gjallërinë. Pothuaj, çdo ditë them diçka, herë me poezi, herë me prozë e herë me publicistikë, ndonëse besoj se kam edhe shumëçka për të thënë, sepse shkrimi fatmirësisht apo fatkeqësisht, u bë fati im.

-I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

-Letërsia nuk bëhet pa frymëzim. Ndonjëherë e ke pranë, ndonjëherë të ik fare, varësisht gjendjes shpirtërore. Natyrisht, të shkruash nuk është punë e lehtë, përkundrazi është edhe e dhimbshme, sepse, shpesh, duhet ta shtrydhësh shpirtin për të arritur aty ku synon. Ndonjëherë e humb rrugën dhe duhet ta zhbësh atë që e ke shkruar dhe sërish të fillosh nga fillimi.

Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Disa gjëra vijnë në mënyrë spontane. Pra, nuk ekziston ndonjë sistem strikt që ta përcakton kohën se kur duhet të shkruash. Punoj në mënyrë paralele: kur më mungon frymëzimi për poezi apo prozë, atëherë merrem me publicistikë, sepse shoqëria shqiptare vazhdimisht përballët me kontradikta të natyrave të ndryshme, që janë lëndë e mjaftueshme për ta thënë të vërtetën ashtu siç është dhe jo ashtu siç na nevojitet për ndonjë përdorim të shëmtuar. Por, gjithmonë i kam pranë: poezinë, prozën, dramën dhe publicistikën.

Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Nëse do t’më ftonte ai zë i brendshëm që vjen nga trazimet shpirtërore, mesiguri do t’i përgjigjesha me një PO.

ObserverKult


Lexo edhe:

SHKËLZEN HALIMI: VJESHTA E SHPIRTIT