Një mesazh në shishe, që dyshohet se mund të jetë shkruar disa orë përpara përmbytjes së Titanikut, po hetohet nga shkencëtarët për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një mashtrim, apo kemi të bëjnë me një artefakt nga tragjedia historike.
Një letër që mbante datën 13 prill 1912, me emrin e 12-vjeçares franceze, Mathilde Lefebvre, u gjet në brigjet e Kanadasë, më shumë se 100 vjet pas përmbytjes së Titanikut.
“Po e hedh këtë shishe në det, në mes të Atlantikut. Pritet që të arrijmë në New York për pak ditë. Nëse dikush e gjen këtë letër, njoftoni familjen Lefebvre në Liévin”, shkruhej në gjuhën frënge.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “The Independent”, ajo po udhëtonte drejt New York City me të ëmën Marie, për t’u bashkuar me babain dhe vëllezërit e motrat. Ky bashkim nuk ndodhi kurrë. Mathilde dhe nëna e saj nuk u panë më kurrë. Sipas raportimeve, ato vdiqën së bashku me 1500 personat e tjerë, kur anija goditi ajsbergun, më 14 prill.
“Shishja mund të jetë artefakti i parë i Titanikut, i gjetur në brigjet amerikane”, tha historiani Maxime Gohier.
Ekspertët thonë se deri më tani nuk kanë gjetur asnjë të dhënë që të sugjerojë se letra është sajesë. Letra u gjet në rërë nga një familje në Bay of Fundy në 2017-n. Ajo u bë publike nga akademikët të cilët apeluan këdo që kishte informacion për Titanikun, apo për vajzën që kishte shkruar mesazhin.
Akademikët besojnë se letra i përket asaj periudhe, por ata kanë frikë mos është mashtrim pasi dikush mund ta ketë shkruar pak kohë pas tragjedisë për të tërhequr vëmendje.
Ajo që duket se i bën ekspertët skeptikë është fakti se shkrimi në letër nuk përputhet me atë që mësonin në atë kohë nxënësit në shkollat franceze. Emri i vajzës që shkroi letrën u zbulua të ishte e bija e Franck Lefebvre, i cili ishte minator në veri të Francës dhe u largua drejt Amerikës për të provuar fatin e tij, transmeton ‘epokaere’.
Ai gjeti një punë në një minierë në Iowa, ku po jetonte së bashku me 4 fëmijët e tij. Më pas thirri bashkëshorten bashkë me 4 fëmijët e tjerë të vegjël, përfshirë Mathilde-n që t’i bashkoheshin. Megjithatë, ekspertët thonë se informacioni për familjen nuk është i mjaftueshëm për të dalë në konkluzionin se letra u hodha nga Titaniku. Sipas të dhënave që disponohen, në Titanik kishte një pasagjere që quhej Mathilde Lefebvre.