Shkencëtarët kanë përmbushur amanetin e një prifti egjiptian të mumifikuar për jetën pas vdekjes, duke risjellë zërin e tij me akorde zanore artificiale.
Zëri i Nesyamunit është riprodhuar si një tingull zanor që të kujton një blegërimë deleje, shkruan BBC.
Prifti ka jetuar gjatë sundimit të faraonit Ramses XI, mes vjetëve 1099 dhe 1069 para Krishtit.
Si prift në Thebes, Nesyamunit do t’i nevojitej një zë i fuqishëm për detyrat e tij rituale, që përfshinte edhe këndimin.
Kur ka vdekur Nesyamuni, zëri i tij ka heshtur, por 3,000 vjet më vonë një ekip studiuesish ia kanë rikthyer në jetë, transmeton Koha.net. Ata arritën këtë duke prodhuar një kuti zëri 3D e bazuar në traktin vokal të Nesyamunit, i cili është skanuar për të vendosur dimensionet e tij të sakta.
Duke përdorur traktin vokal me një laring zëri artificial, studiuesit kanë sintetizuar një tingull zanor që synon të jetë i ngjashëm me zërin e Nesyamunit.
Besohet se ky është projekti i parë i këtij lloji i cili në mënyrë të suksesshme rikrijoi zërin e një personi të vdekur përmes mjeteve artificiale. Në të ardhmen, studiuesit shpresojnë të përdorin module kompjuterike për të rikrijuar fjalitë e plota me zërin e Nesyamunit.
Hulumtimi, i kryer nga akademikët në Royal Holloway, Universiteti i Londrës, Universiteti i Yorkut dhe Muzeu Leed, është publikuar në revistën “Science Reports”.
“Teknika e rikrijimit të zërit na ka dhënë mundësinë unike për të dëgjuar zërin e dikujt që ka vdekur para një kohe të gjatë”, ka thënë bashkëautori i studimit Joann Fletcher, profesor i arkeologjisë në Universitetin e Yorkut.
Profesori Fletcher i tha BBC-së se ishte “dëshira e shpejtë e Nesyamunit që të dëgjohej në jetën e përtejme, e cila ishte pjesë e sistemit të besimit të tij fetar.
“Në fakt, shkruan në arkivolin e tij – ishte ajo çfarë dëshironte”, tha profesori Fletcher, duke shtuar se “në një farë mënyre, kemi arritur ta realizojmë atë dëshirë”.