Shko Ermonela Jaho… ik sa më larg nga këtu…

ermonela jaho

Nga Mentor Kikia

Më 21 Prill në Poloni, u mbajt ceremonia për dhënien e çmimit “Artistja e Vitit 2023” në muzikën klasike për artisten e madhe shqiptare Ermonela Jaho.

Njësoj si Oskar në kinema, apo Topi i Artë në futboll…

Një ceremoni madhështore me praninë e elitës kulturore polake dhe evropiane.

Ermonela përshëndeti shkurt në këtë ceremoni:

“Dua të falënderoj qytetarët polakë për mikëpritjen dhe vlerësimin e tyre.

U ndjeva në shtëpi gjatë të gjithë qëndrimit tim këtu. Dua të falënderoj jurinë ndërkombëtare të International Classic Music Award, e cila më nderoi me vlerësimin “Artistja e vitit 2023”.

Dua gjithashtu të falënderoj të gjithë fansat e mi kudo në botë, veçmas në Shqipëri, për mbështetjen dhe dashurinë e tyre.

Falënderoj prindërit e mi, për sakrificën e madhe. Mësuesit e mi dhe grupin tim të punës, të cilët më ndihmojnë çdo ditë për t’u përmirësuar.

Le të punojmë të gjithë bashkë, për ta lënë botën një vend më të mirë se ai që gjetëm, përmes artit.

Ju dua shumë, të gjithëve.”

Në kohën kur mbahej kjo ceremoni dhe ishte live në “Deutche Welle”, në mediat tona jepej si Breaking News lajmi se ishte arrestuar një modele a blogere me nja dy kile kokainë.

Nuk pati lajme (kronika nga ceremonia) as në ditët pasuese për këtë ngjarje të rëndësishme, për Shqipërinë më shumë sesa për vetë Ermonelën.

Nuk pati urime nga ata që s’lënë qokë pa bërë ndaj kujtdo, artist e sportist që ua jep fytyrën borxh për të pastruar imazhin e tyre. Asnjë urim edhe nga kolegët….

Asnjë lajm e urim as nga ata që rrëmojnë e bëjnë me origjinë pellazge çdo njeri të suksesshëm, nga Evropa deri në Amerikën Latine.

Ermonela tani është në qiell, në majën e suksesit botëror.

Fluturo Ermonela, sa më lart. Dhe kur të zbresësh sërish këtu, zbrit në Tokë, edhe nëse është baltë, por jo në tapet. Sepse tapetet këtu nuk janë asnjëherë të sinqertë.

*Titulli i origjinalit: “Shko Ermonela, fluturo, sa më lart nga këtu!”

ObserverKult


ermonela jaho
Ermonela Jaho

Lexo edhe:

ERMONELA JAHO, PO SIKUR TË KISHE HAPUR NJË BIG BROTHER?

Nga Mentor Kikia

Ermonela Jaho erdhi në Tiranë të bënte një kurs, “master class”, për disa ditë, për studentët dhe pedagogët e rinj të kantos.

Por u zhgënjye shumë. Kjo sepse në sallë nuk ishte asnjë student dhe asnjë pedagog.

Zhurmës së krijuar, iu përgjigj një nga pedagogët e kantos. Ai tha se ne të rriturve na i kanë dhënë leksionet njerëz më të zotë se Ermonela.

Ndërsa studentëve ua kemi mësuar ne, kështu që s’kanë as ata nevojë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult