Nga Sadedin Mezuraj
Shkodra në optikën poetike të Rreshpjes nuk është thjesht vendlindja e poetit. Qyteti nuk është thjesht hapësira urbane, arkitektura materiale por edhe një palimpsest ku janë shtresëzuar koha historike, mitet, legjendat, kujtimet personale, e shkuara dhe e tashmja. Qyteti është një gjendje mendore dhe në çdo rikthim poeti zbulon pamjet dhe përjetimet e tij shpirtërore.
1.
Poezia e parë (Në këtë qytet – me shënimin: Për Shkodrën ku kam lindur) është shkruar para viteve 90 por edhe pa e ditur këtë fakt, koha ka lënë gjurmët e saj në trupin e poezisë.
Nëpër strofa e vargje shfaqen fjalë si uzina, agregatët e rëndë, urbanet, qielli plot tym çfarë të kujton peizazhet industriale në poezitë e asaj kohe të Kadaresë.
Poeti i qaset qytetit me sytë e një piktori dhe pohon pamundësinë e tij për të rrokur gjithë ngjyrat e atij qyteti të lashtë .
Nën diktatin e ideologjisë së kohës, në tablon për qytetin nuk mund të mungojë një penelatë lumturie:
“Ndofta zërit tim i mungojnë ngjyrat
Për të pikturuar lumturinë e udhëve, shirave , kalimtarëve”.
Kjo ndjesi lumturie ka dhe njē motiv më personal:
“Në këtë qytet që agoi në zërin tim
Banon e dashura ime”.
Nga gjithë ajo plejadë penash të shquara që ky qytet i dha kulturës, Reshpja evokon vetëm Migjenin:
“E dua këtë qytet
Ku u ra këmbanave të poezisë Migjeni”.
Megjithë praninë e kontekstit kohor në leksik dhe frymë, poezia mbart atë ADN poetike që do të bëhet dominuese pas vitit 90:
“Dua të them që dashuria i ka rrënjët në vjeshtat e tua
Kur bie dritë e verdhë gjethesh
Dhe lëkunden degët e shirave..
Gravura jote më rri e varur në shpirt
Gravura jote e ngritur gurë- gurë mbi sytë e bukur të Rozafës!”
Çfarë muzikaliteti krijon aliteracioni në vargun e fundit dhe vini re kontrastin tragjik : gurët mbi syrin e një gruaje!
Mbi suprinën e syrit, pra mbi atë ndjeshmëri që nuk duron as praninë e një kokrize rëre.
Pas këtij kontrasti të paraqitur me kaq finesë, fshihet dhe krimi!
2.
Poezia e dytë, e shkruar pas vitit 90- të titullohet “Kthim në vendlindje”
Qasja ndaj qytetit dhe fryma e poezisë dominohen nga nota trishtimi. Tashmë diktati dhe klishetë kanë rënë dhe Reshpja shpërfaq shpirtin e tij : mermeri i zërit tim është i thyer”.
Nuk flet më për uzina, urbanë, udhë të lumtura por qysh në krye të poezisë , me katër vargje gdhend historinë, legjendën dhe ndërgjegjen e vrarë të qytetit të tij:
“Ja, u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve
Ngritur gurë- gurë
Mbi supet lakuriq të një gruaje
Nga vëllezërit tradhëtarë.”
Qyteti mbretëror ngrihet mbi një krim, në themelet e tij është sakrifikuar një grua.
Në Shkodër kurdoherë që të shkosh , shirat nuk kanë të sosur.
Reshpja rimerr një nga metaforat e tij më pikante të hasur në poezinë e parë dhe vizaton portretin e trisht të qytetit:
“Mbi degët e shirave këndojnë zogjtë
Në pemën e madhe të mesditës,
Gjethe të verdha bien mbi shpirtin tim”
As trëndafilat , aq të pranishëm me simbolikën dhe semantikën e tyre polivalente në poezinë e tij , nuk e ngushëllojnë.
Prania e tyre ringjall kujtime të trishta:
“Ah, tani edhe trëndafilat na kujtojnë kamionët me djemtë e vrarë
Sa të bukur dhe të rinj ishin, o zot!
Mirupafshim o djem në një planet pa diktaturë”
Qyteti si një palimpsest ruan gjurmët e një krimi zanafillor dhe gjakun e të vrarëve nga diktatura komuniste.
Nëse në poezinë e parë Reshpja evokon vetëm emrin e Migjenit, në këtë poezi përmend dhe Fishtën e ndaluar, Bogdanin dhe Migjenin e pashmangshëm të cilët i quan ” patriarkët e poezisë shqipe”.
3.
Poezia e tretë titullohet Shkodrës me shënimin: Shkodra, dashnorja e shekujve , Migjeni.
Poezia është më e shkurtër se dy të parat.
Sikurse kemi përmëndur më lart, një nga tiparet e poetikës së Reshpjes është rimarrja e figurave artistike, rikontekstualizimi dhe krijimi varianteve rreth një poezie apo motivi.
Poezia hapet me vargjet:
“Ja qyteti i arnuar me fosile mitesh,
Selia e mbretërve ilirë
Ngritur gurë- gurë mbi sytë e bukur të një gruaje
Nga pellazgët hyjnorë.”
Krahasuar me poezinë 2, duket ndryshimi optikës.
Tashmë pohoet nënshtresa mitike e qytetit por theksi vihet tek historia( pallazgët hyjnorë).
Sigurisht që bie shi. Por figuracioni shërbehet në emër të një krekosje nacionaliste:
“Një shi biblik
Lan prej shekujsh gjakun e perandorive të mundura.”
Më tej Reshpja përmend varret e fisit të tij ” mbuluar me heshtje që lulëzon trëndafila”
Si një notë përmbyllëse, shpall atë që do të bëhet plazma dhe fryma e poezive të tij tepër personale, trishtimin:
“Jam trishtuar për jargavanët e portës
Nën shirat e heshtur prej najloni..”
Tre poezi për Shkodrën, më shumë sesa portreti qytetit, janë tre gjendje të shpirtit të poetit.
Një triptik dashurie dhe trishtimi për vendlindjen e poetit.
ObserverKult
Lexo edhe:
SADEDIN MEZURAJ: UNË DHE TI FRYMË I FALËM KOHËS…
Poezi nga Sadedin Mezuraj
Ditët u rrotulluan në karuselin e stinëve
Kaq i gjatë dhe iku kaq shpejt ky vit,
Të padukshme janë për shqisat e të tjerëve
Gjurmët që koha na lë në shpirt.
Për të fshehur ankthin e kohës që shkon
U shpikën këto festa -spektakël plot shkëlqim,
-Me dashuri dhe verë- shpirtin le ta dehim,
“Parajsa e përtejme” është thjesht një premtim.
Bëj një arithmetikë të thjeshtë, fillestari
Mbledh kohën e përbashkët dhe ditët me mungesë
Rezultati: metafizikë platonike malli,
Dymbëdhjetë muaj plus një stinë e pestë.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult