“Shkodra në kronikën filmike të diktaturës”

Një hulumtim i thelluar në kronikat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, i ideuar nga profesor Ardian Ndreca, do të shfaqet në kuadër të Shkodra Jazz Festival 2020.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti ka ftuar të gjithë të interesuarit që të ndjekin nesër në orën 21:00 shfaqjen “Realiteti mes pasqyrimit dhe tjetërsimit: Shkodra në kronikën filmike të diktaturës.”

“Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Shejzat – Pleiades dhe Art House, ju fton të Mërkurën, ora 21:00, për shfaqjen “Realiteti mes pasqyrimit dhe tjetërsimit: Shkodra në kronikën filmike të diktaturës”, ka theksuar Margariti.

“I ideuar nga Profesor Ardian Ndreca, ky hulumtim i thelluar në kronikat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, do të shfaqet në kuadër të Shkodra jazz festival 2020, duke i krijuar mundësinë publikut që të përjetojë në formë kronologjike kinoditarët që pasqyrojnë transformimet kulturale, industriale dhe shoqërore, në segmente dedikuar: Artit dhe kulturës / Propagandës së regjimit / Sportit / Zhvillimit industrial / Shëndetësisë / Bujqësisë, zooteknikës & peshkimit, si dhe Artizanatit”, ka nënvizuar ministrja Margariti.

Duke e cilësuar si një natë për t’u mos humbur, Margariti fton të gjithë të interesuarit nesër në Art House, Rruga At Shtjefen Gjeçovi, 15, ora 21:00./ATSH