Shkodra, qyteti legjendë dhe legjenda e një qyteti

Ajo është diku aty, e murosur. E dyzuar a e dyfishtë, prania e saj ndihet kudo, në shpatet e kodrës, nëpër muret e brendshme, shkallaret dhe mbi bedena. Ka frymëzuar kështjellarët që e mbronin me mish e gjak, dhe sot turistët që shëtisin anë e mbanë në kërkim të mistikes. Gjysma e trupit qëndron e mbështjellë mes gurësh të rëndë, por pjesa tjetër e saj, është e lirë të sillet përreth saj. Është Rozafa, e detyruar të qëndrojë në përjetësi në kthetrat e kësaj kalaje, të vigjilojë mbi të dhe ta mbajë ashtu të parëzuar. Sepse ishte ajo që prishi mallkimin teksa muret e ngritura çdo ditë nga tre vëllezërit ndërtues, rrëzoheshin natën. Dhe e gjithë sakrifica kërkonte një murim. Kështu thotë legjenda.
Po të besojmë se legjenda u ngrit së bashku me muret e kalasë, ndoshta fillimet e saj janë të paktën 2500 vite më parë. Në të kundërt legjenda nuk lidhet më me ndërtimin e kalasë prej themeleve të saj, por me një rikonstruksion të pjesshëm, përpara se të vinte armiku…

…Rozafa i dha emrin kalasë dhe mbeti në përjetësi. Ndërtuesit e mureve janë harruar tashmë nëpër shekuj. Por edhe ata që i kanë vjedhur historinë si sharlatanë, për t’ua dhënë fqinjëve që erdhën pa histori nga stepat, Uralet apo Karpatet. Ndërsa ajo vazhdon të jetë po aty, këmbëngulëse dhe krenare, në tokën arbërore. Qenësia e saj fluide e ka bërë kalanë t’i rezistojë të gjitha furtunave, betejave dhe vetë erozionit kohor.

Kryeqendra e mbretërisë

Shkodra është qytet legjendë, dhe në trojet shqiptare nuk ka një tjetër qytetërim që ta kalojë atë. Me një vazhdimësi mbi dymijë vjeçare të pandërprerë, dhe mbi të gjitha me një emër në vazhdimësi të pandryshueshëm. Ka qenë e famshme me sundimin e mbretit Gent në përballje me legjionarët e dërguar nga Roma, por dhe nën sundimin e Bushatlinjve të famshëm që pashallëkun e tyre e qeverisnin pa e pyetur shumë Stambollin.

Shkodra është lehtësisht e dashurueshme, në të gjithë përmasën dhe dimensionet e saj. Dhe nuk dua të përsëris e as të bëj plagjiaturë, ndaj për ta përshkruar më saktë atë, thërras në ndihmë pasazhe nga Kadare tek “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, ku ai shkruan për qytetin e viteve ’30-të të shekullit të kaluar:

Shkodra ishte e madhe e plot jetë. Një nga qytetet më të lashtë të krejt gadishullit, bashkëkohëse e Romës antike, kryeqytet i mbretërive ilire, Shkodra, me gjithë furtunat që i kishin kaluar përsipër, e ruante ende peshën dhe hijen e saj… Shkodra e bukur, mëkatare, me rrugët, portat, oborret plot mister, me tregtizat, kafenetë, prostitutat, me kambanaret, minaret, procesionet, erotizmin e fshehtë, me bisedat pas darke, mondanitetin, lypsët, inteligjencën, çmendurinë… Përveç kështjellës dhe kishave, përveç kullave, kambanareve dhe minareve, Shkodra kishte jetë kulturore, biblioteka, arkiva mesjetare, zyra konsujsh, revista letrare që shpërndaheshin në të gjithë vendin. Ajo kishte intelektualë, sallone ku fliteshin e diskutoheshin gjithfare problemesh, gra të bukura me histori të ndërlikuara dashurie, dyqane ku shiteshin libra, disqe e parfume të Parisit, aventurierë, skandale, maniakë nga ata që pjell qytetërimi etj, etj”.

Pra, Shkodra kishte gjithçka, ndaj dhe gjithmonë “të tjerët” kanë dashur ta kenë për vete. Një qytetërim i ngritur e i gatshëm, shumë më përpara se Podgorica apo Beogradi. Dhe aq e njohur është Shkodra sa tanimë edhe disa qytete në botë kanë nga një rrugë me emrin e saj. Një nga rrugët kryesore në Venecia, quhet “Via Scutari”, ose thënë shqip “Rruga e Shkodrës”. Në Stamboll, një lagje e tërë mban emrin “Uskudar”, që është variant i osmanizuar i emrit latin Scutari. Londra ka gjithashtu një rrugë të emërtuar: “Scutari Road”. Shkodra ka një liqen që mban emrin e saj, laget nga tre lumenj dhe për më tej në Velipojë, valëzon Adriatiku det. Pra është një vend i begatë.

Drejt veri-perëndimit

Koordinatat në google maps, të informojnë se rruga Tiranë-Shkodër ka një gjatësi prej 103 kilometrash, nëse do të kalosh nga Vora, dhe 95 kilometra nëse do të zgjedhësh rrugën e Kamzës. Ndërsa udhëtimi me makinë zgjat afërsisht dy orë. Dhe meqenëse sapo del nga mbikalimi i Fushë-Krujës ku merr rrugën për në Lezhë, ka ndodhur një aksident, rruga shkon në të paktën 2 orë e 30 minuta. Po fundja ditë pushimi është, kohën e kemi me bollëk. Sa të luajmë letra e tavllë… Veç karburanti i shtrenjtuar ca si shumë këto kohët e fundit,  rrjedh, dhe kur makina rri në gatishmëri për të ngecur metër pas metri.

Gjithsesi, për të mbërritur në Shkodër do të duhet të ecësh në disa standarde rruge, pjesë e së cilës është dhe një segment autostrade, por që nuk të ndihmon shumë sepse janë vetëm rreth 13 kilometra në 103 të totalit. Dhe ende nuk po zbatohet projekti që do ta lidhte kryeqendrën e Shqipërisë me qytetin më të madh verior të saj, me një rrugë që të kishte vetëm një standard. Atëherë po, do të mbërrije në Shkodër për pak më shumë se një orë udhëtimi.

E me gjithë peripecitë e rrugës, trafiku vazhdon të jetë i dendur.

Shkodra nuk është qyteti tipik për udhëtime fundjavore. Me një qytet si Shkodra puna mund të të lidhë çdo ditë të vitit. Sepse Shkodra t’i jep të gjitha mundësitë.

Me vendasit miqësohesh shpejt. Mjafton një batutë në çastin e duhur dhe e ke gjetur fjalën. Mikpritës e hokatarë si ata, dita kalon shpejt dhe pasi ke preferuar që kafen ta pish në qendër dhe drekën ta konsumosh në rrethina, quhet e kryer.

Por edhe pse ke bërë një xhiro ku ke ecur mbi pedonale, je rehatuar tek Kafja e Madhe, ke parë godinën simbol të Teatrit “Migjeni” duke kaluar tek rrethrrotullimi ku një instalacion hekuri i tonazhit të rëndë u ka zënë vendin Pesë Heronjve të Vigut, nuk mund të qëndrosh indiferent e pa i hedhur një sy kalasë së Rozafës, edhe pse me brendësinë saj je njohur qysh më parë.

Dhe çfarë më kujton tjetër Shkodra?

Në vitet kur pretendohej se po ndërtonim socializmin me forcat tona, nga Shkodra vinin gjithfarë barcoletash plot humor fin, që vinin në lojë titullarët komunistë edhe pse për ta marrë me të mirë e për ta bërë për vete, nga regjimi u investua një prej uzinave më të mira në vend, ajo e telave. Ndërsa pas aksionit që zhduku gjurmët e dëmtimeve nga tërmeti i 26 prillit të vitit 1979, qyteti u shpall “Hero i Punës Socialiste”.

Kalaja e Rozafës

Për të shkuar drejt portës kryesore të kalasë, e mira është të marrësh kthesën e parë pasi ke kaluar mbi urën e Bunës, dhe të kalosh nëpër lagjen e Qafës, që është dhe Lagjja më e vjetër e Shkodrës. Kjo lagje së bashku me Kalanë përbëjnë historinë e vetë qytetit. Në këtë lagje ndodhen edhe disa monumente kulture, ku ndër më kryesoret është Xhamia e Plumbit, e cila shihet qartë nga bedenat e Rozafës.

Aty ku ndërpritet asfalti dhe fillon kalldrëmi është më mirë ta parkosh makinën e t’u hipësh këmbëve, sepse e përpjeta nuk është e fortë dhe për pak minuta je përballë portës hyrëse të kalasë. Nuk ka kështjellarë që të të presin rrugën dhe të kërkojnë “letër-njoftimin”, por një hekur postblloku të paralajmëron se për të vizituar ambientet duhet të presësh një biletë 400-lekëshe. Jemi në vjeshtë, por nuk mungojnë turistët e huaj, edhe pse në nënvetëdijen tonë mendojmë se turizmi masiv intensifikohet në ditët e ngrohta të pranverës.

Ndërsa qyteti i Shkodrës ndodhet vetëm 16 metra mbi nivelin e detit, Kalaja e Rozafës ngrihet 130 metra mbi këtë nivel, mbi një kodër shkëmbore e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin, por edhe Kiri.

Historia thotë se mes shekujve V-IV para Krishtit filloi ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Në antikitet zona përreth banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Për Shkodrën ka shkruar çdonjëri nga historianët e lashtësisë të cilëve u referohemi sot.

Kalaja ishte një fortifikatë ilire që fillimisht u pushtua nga Romakët. Në shekullin XI u pushtua nga sllavët dhe vetë Shkodra u bë kryeqendra e shtetit të Zetës. Por ka qenë dhe nën zotërimin e Bizantit e të Venedikut.

Por historia ka folur gjatë për qëndresën e kalasë përballë hordhive osmane edhe për 15 vjet mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Me 1478 Sulltan Mehmeti II rrethoi Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë. Rezistencën heroike që zgjati rreth 8 muaj, e ka përshkruar Marin Barleti në librin e tij “Rrethimi i Shkodrës“ i cili u botua në Itali në vitin 1504.

Epilogu

Ka qenë gjithmonë, por tani ndoshta pak më shumë, si vend atraktiv ku mund të drekosh e të shijosh peizazhin përreth. Në Shirokë. Vendi ka rilindur dhe pedonalja e ndërtuar vitet e fundit i jep një tjetër pamje të gjithë zonës. Për pak kilometra mbërrin edhe në Zogaj, gjithashtu përrallë për nga bukuria me liqenin përballë. Dhe kaq duhet, që të relaksohesh në një ditë pushimi, e të marrësh rrugën e kthimit duke kaluar urën mbi Bunë e ku një tabelë e madhe orientuese të tregon destinacionin e fundit: Tiranë./Leonard Veizi-fjala.al

ObserverKult

_________________________

Lexo edhe:

SI DUKESHIN GRATË SHKODRANE PËRGJATË VITEVE ‘40 (FOTO TË RRALLA)

ObserverKult