Shkolla e Vizatimit, institucioni i parë i artit në Shqipëri

Odise Paskali

Më 29 janar 1932 u çel e para shkollë arti në Shqipëri, Shkolla e Vizatimit.

Shkolla e Vizatimit, e çelur në Tiranë, ishte institucioni i parë i artit në Shqipëri, themeluar nga Andrea Kushi, Odhise Paskali dhe Abdurrahim Buza. Ajo synonte edukimin e talenteve të reja me realizëm dhe hodhi bazat e arteve figurative kombëtare, duke u bërë qendër e rëndësishme e realizmit kritik deri në mbylljen e saj më 1939. 

Në atë shkollë të mesme artistike me program të plotë arsimor të kulturës së përgjithshme dhe asaj profesionale, jepnin mësim Odhise Paskali, Andrea Kushi, Abdurrahim Buza dhe Mario Ridola. Ky i fundit, me urdhër të Drejtorisë Teknike Italiane, krijuar enkas pranë Ministrisë së Arsimit, qe emëruar drejtor i shkollës.

Pak kohë më vonë, me urdhër të ministrit të Arsimit Mirash Ivanaj, ai u zëvendësua nga Odhise Paskali. Shkolla e vizatimit kurorëzoi përpjekjet dhe aspiratat e forcave përparimtare për të vënë themelet e edukimit të talenteve të reja, mbi baza profesionale, kombëtare. Në këtë shkollë morën mësimet e para mjeshtrit e shquar të pikturës dhe skulpturës si: Ibrahim Kodra, Sadik Kaceli, Foto Stamo, Shefqet Agalliu, Filip Makoçi etj., që vijuan me sukses studimet më tej, në akademitë e Romës, Parisit, Athinës.

Programet mësimore dhe metodat e mësimdhënies të lëndëve profesionale ishin sipas modeleve të shkollave perëndimore, mbi bazën e studimit realist nga natyra, me kërkesa akademike, por ku ndjehej toleranca dhe shfrytëzimi i kulturës evropiane, futja e elementëve bashkëkohorë. Shkolla e Vizatimit u mbyll në vitin 1939./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

Në vendin ku pinte çdo ditë kafe/ Shtatore bronzi në përkujtim të Ismail Kadaresë