Petrit Ruka: Shkolla magjike e folklorit për poezinë

Petrit Ruka

Nga Petrit Ruka

(Mos u nis për udhë, po nuk kalove nga kjo shkollë…)

Shkolla e parë estetike e çdo poeti drejt letërsisë është pa asnjë dyshim folklori. Një shkollë që fëmija e fillon pa u pagëzuar ende me alfabetin, leximin e librave letrarë apo llojeve të tjera të artit. Një shkollë e hatashme në të gjitha pikëpamjet; për fantazinë e tij, befasitë, gjetjet brilante, ritmin, muzikalitetin, magjinë e renditjes së fjalëve.

Magjepsja e tij e parë nuk ka se nga të vijë tjetërkund, veçse nga përrallat, legjendat, baladat e sidomos këngët e dëgjuara në dasmat, festat e ndryshme familjare.
Kjo është e para bibliotekë e tij, ardhur ashtu pa rend, pa mësues, pa shpjegime. Duke krijuar në kokën e tij një “rrëmujë” të mrekullueshme e të bekuar përfytyrimesh që do ta ndjekin deri në varr.


Vite më vonë, kur iu kushtova me mish e shpirt trajtimit të disa baladave dhe legjendave të famshme shqiptare, kuptova se tërë “shkolla” ime e krijimit për to vinte nga fëmijëria, nga ato vite. Pjesa tjetër e leximit, të mijëra librave tërë jetës, kishin pak ose aspak ndikim mbi mua. Pothuajse e gjithë lënda e krijimit, ngjizjeve, estetikës së tyre buronte prej andej, nga folklori, këngët e popullit.

Ndaj po sjell një kumtesë modeste që m’u desh të mbaja njëherë në vendlindje, e cila m’u kërkua të jetë pjesë e një simpoziumi që u bë në Tepelenë me rastin e një përvjetori festues mbi figurën e Ali Pashë Tepelenës të cilës i kam bërë disa plotësime. Besoj se në këtë trajtesë kam mundur të them disa gjëra për ndikimin e këngës popullore mbi poezinë, duke e u nisur thjesht nga përvoja ime.

Të dashur miq, shokë të rinisë, kolegë, bashkëpatriotë të mi!
Qysh në fillim të herës, kërkoj ndjesë, që më duhet të bëj një sqarim.


Mos prisni që kjo të jetë ndonjë kumtesë shkencore, studim i mirëfilltë a vështrim kritik. Është thjesht një trajtesë mbi vlerën ndikuese të folklorit, le të themi më mirë disa shënime modeste mbi bukurinë e folklorit (në këtë rast ai i trevave të Labërisë) dhe mbi atë çka mund të mësojë poezia prej tij.
Po e filloj me një këngë lufte nga më të vonat, në Luftën e Dytë Botërore. E me që jemi tek lufta le të ngjitemi pak në Kurvelesh aty ku ajo ka “fronin.”

“Kurvelesh, o zemra ime, Kurvelesh,
Të dërgon Duçja lëvdime, Kurvelesh…”

Ndërsa ti po shqyen sytë se si është e mundur kjo hata, si ka ndodhur ky turp aty ku nuk ka pasur kurrë tradhti a nënshtrim, përgjigja vjen si një rrufe artistike. I beftë dhe drithërues, vjen vargu gjëmëmadh që të shastis…

“Të dërgon Duçja lëvdime,
Me top e me bombardime….”

Ne marrim frymë lirisht. Doemos, këto janë lëvdimet që mund të dërgojë Duçja e me këto është lëvduar jetë e mot Kurveleshi ynë. Duçja po e lëvdon duke derdhur mbi të zjarr e hekur vdekjeprurës. Gjetja është gjeniale. Kalimi nga një situatë e pazgjidhur kuptimore drejt e në një qartësi verbuese bëhet pa asnjë varg ndërmjetës.

Të tillë “dekorata” pranon Kurveleshi i Bilbilenjve, asgjë tjetër. Me to është mësuar prej njëmijë e ca vjetësh që në kohën e Petro Zhulatit, që e kish zënë inati me Bizantin. Dhe tjetër lëvdatë nuk do veç heroizmit të tij. Një mrekulli në pesë-gjashtë vargje. Tabloja është rrëqethëse, njerëzia është nëpër shpella, po nuk jepet.

Qiejve kalojnë gjylet dhe foshnjat kanë mbetur jetime. Por nënat nuk jepen edhe kur qumështi i gjirit thahet nga rropama e luftës. Mjeti më i thjeshtë i letërsisë, elipsi, ai i gjithë-gjenduri, pa të cilin letërsia do ish prozë e rëndomtë bisedore, arrin apogjeun e vet.
E tillë është kjo racë e pamposhtur malsorësh, nuk jepet edhe kur bandat shoviniste greke erdhën me urë në dorë si në vitin e zi, 1913 -14 .

“Seç na erdhi greku me urë në dorë,
Gratë e Kurveleshit shkojnë për në Vlorë,
Me djepe në krah, me foshnja në dorë,
Qaj, moj Shqipëri, ulëri e gjorë…”

Këtu vargu i parë është i çuditshëm. Nuk fillon me mjerimin e masakrave ashtu sikundër mund të pritej në një këngë lufte. Por me habinë e madhe deri në hata. Ka ndodhur një gjëmë: fqinji, me të cilin ka kaluar një vëllazëri prej qindra shekujsh ka bërë një gjë të pamendueshme. Është çmendur dhe është vërsulur me urën e zjarrit në dorë kundër vëllait të tij, sapo ai ka formuar një shtet.

Gjithë tensioni emocional është mbledhur tek fjalëza e vogël “seç” Është mpiksur këtu një habi deri në tmerr. Tek një fjalë njërrokëshe që zor se e gjen dhe ne fjalorin e gjuhës shqipe, tek pjesëza “seç” që në këtë rast nuk di as ku ta rreshtosh nëpër kategoritë gramatikore, se nuk është as lidhëza “se”, as përemri pyetës “ç”, po një hibrid i çuditshëm, një kombinim mahnitës nga ato që di t’i shpikë vetëm populli dhe jo shkrimtarët.

Madje mua më duket se pa këtë fjalëz tërë poezia do të humbiste vetë prushin e saj, zemrën, efektin tronditës e do të zbehej fare.


Por se mos harroj dhe ju se vini re! Nuk ka dhe nuk do te gjeni asnjë sharje për fqinjin e tij shekullor, asnjë mllef, urrejtje, thjesht përshkruan një marrëzi, nga ato që shpesh bëjnë të gjitha qeveritë e poshtra në kohë të pista historike. Sepse Poeti-Popull e di mirë që ky nuk është populli grek, po ca banditë shpirtshitur që një nga qeveritë shoviniste të kohës i vuri para për të kryer një nga masakrat më çnjerëzore (si ajo e Hormovës) që u kishin parë sytë këtyre anëve.


Kjo është fuqia marramendëse e këngëve labe, e poetëve të rrallë që lindin këto male. Po me që jemi këtu, tek ky vit i zi, le të vijojmë dhe pak më tej. Oh, më tej pamja është gati biblike dhe e gdhendur si gjithmonë me pak fjalë. Mijëra gra dhe fëmijë zvarriten poshtë nëpër ullishtat e Vlorës, por burrat janë aty, tek përroi i Salarisë, ku beteja vazhdon me muaj të tërë, dhëmb për dhëmb.

Nuk ka gjumë për Shqipërizezën viti 1913. Dhe kënga, si asnjë historian, gazetë apo akademi, sjell në tre rreshta tërë atmosferën e luftës që bëhet aty. Një grusht burrash, të futur në një shpellë diku matanë përroit të Salarisë, lopsiotë të pamposhtur, presin agimin që të dalin të luftojnë. Sepse gjylet për ditë të tëra nuk i lënë të flenë, të marrin një sy gjumë për ditë të tëra.
Dhe ja se si përshkruhet në mënyrë gjeniale një situatë lufte si kjo:

“Hall i madh që na ka zënë,
Nuk na lënë gjylet të flemë,
Do këndojmë apo çdo bëjmë?!”

Haj medet! Ç’janë këta burra të marrë që nuk ua bën syri tërr?! Nuk dinë ku i kanë fëmijët, nuk dinë në se do gdhihen gjallë deri nesër e atyre aq u bën. Meqë është errësirë, meqë as flenë e as nuk luftojnë dot, atëherë mund të këndojnë këngë labe, një ilaç çudibërës për zemrën. Të tjerët mbase nuk e kuptojnë, por ata e dinë që në bark të nënës sesi mbahet zemra gjallë me këngë labe…

Nuk kemi asgjë sqaruese për trimërinë, karakterin, cilësitë e tyre nga janë, nga vijnë, sa të vdekur apo plagë kanë. Po pse mungojnë në këngë vallë? Në fakt nuk mungojnë. Ato janë midis rreshtave. Po kënga labe është qibare, e shkurtër e ngjeshur si gjylet që u bien mbi kokë. Ajo nuk pranon pranë saj “bëzhdila” d.m.th sqarime të kota se sa janë, nga janë e më the të thash. Në këtë rast merret me shpirtin e tyre, se njeriu shpirt e zemër është, nuk merret me hollësira banale.


Çfarë njerëzish janë këta që luftën dhe vdekjen e kanë kaq të zakonshme e të papërfillshme?! A kanë emra dhe çfarë sekreti zotërojnë?! Atëherë në ndihmë të së parës vjen një këngë tjetër, por edhe ajo me shpjegime të kursyera deri në magjepsje. Në pamundësi për të dhënë statistika, zgjedh vetëm njërin nga heronjtë dhe i bën shpejt e shpejt aty në këmbë një skicë homerike.

“Mersin Meçe, rahmet xhani,
Hodhi zinxhirët tek varri…
O djem këtu u mbani,
Se nuk ka vend Junani…“

Si është e mundur të vizatohet vetëm me 15-16 fjalë një portret kaq i saktë dhe kaq madhështor? Ja që kjo mund të ndodh në këngën popullore. Një burrë nga Dhëmblani (edhe emri i fshatit këtu “dhemb”) i Tepelenës bën të pabërën, na thotë kënga. Lidhet me zinxhirë pas varrit të vet! Domethënë bën një pakt me varrin e tij. Dhe tani, më thuani ju, ç’mund t’i bëjnë gjylet këtij, Mersin Meçes?!

Me se mund ta trembësh këtë burrë?!
Le që edhe sikur të mundej, nuk e ka mundësinë të lëviz më mbrapsht. Ai është vetë-lidhur me zinxhirë pas varrit të tij, e ka marrë varrin e tij në kurriz. Fuqia e kësaj tabloje vetëm me katër vargje është një magji që nuk komentohet. Besoj se nuk e teproj aspak, nëse ju them që ajo ia kalon për nga dendësia artistike dhe emocionale si gjetje edhe skenës së lidhjes me zinxhirë të Prometeut te vepra e Eskilit, “Prometeu i Lidhur.”
Ndonjë mund të më thotë, mos e tepro tani, prit njëherë!


Dakord, por edhe ti ki durim ta sqarojmë e mbase na del kështu siç thamë.
Në se heroi i parë i botës, Prometeu, pasi u vodhi zjarrin dhe germat perëndive në Olimp dhe ua dha njerëzve, Zeusi e dënoi duke e lidhur me zinxhirë tek shkëmbinjtë e Skithisë. Pra dikush e lidhi, nuk u lidh vetë.

Këtu, në vargjet që citova, heroi i këngës është ku e ku më i paepur. Nuk e lidh askush. Merr një zinxhir, shkul varrin e tij (të gjithë e kemi diku nujë varr!) dhe e lidh në kurriz, në emër të lirisë.

A nuk është mijëra herë më tragjike të lidhesh vetë pas varrit tënd me zinxhirë se sa të të lidhin për një dënim tek shkëmbinjtë e Skithisë? Padyshim që po, edhe pse legjenda e famshme antike pati fatin e vjetërimit fantastik nëpër mijëra vite dhe gjuhë të mëdha.

Kënga e Mersinit u rrotullua nëpër shtatë-tetë fshatra dhe aty mbeti e u harrua. Madje nuk di në se do gjendej ndonjë libër folklori sot nëse nuk do të botohej e ribotohej në çdo odë të dasmave labe.

Shtatë vjet më vonë, një shoku tjetër të Mersinit, nga një fshat ngjitur, i vjen thirrja e luftës në mënyrë urdhërore:

“O Selam do veç në Vlorë….
Do vete në paça forë,…”

E para nuk ka asnjë sqarim se kush e urdhëron këtë burrë, nga vjen lajmi, nga cila komandë? Sado e çuditshme të duket kjo pyetje, përgjigja është edhe më lemeritëse. Nga asnjë komandë. Urdhëri vjen nga vetë ai dhe po kështu përgjigja. Veçse përgjigja e tij të lë fare pa gojë… “Do vete në paça forë” (forcë, fuqi)

Çfarë modestie prekëse dhe fare pa bujë zgjedh poeti popullor në përgjigjen e Selam Musait. Sa burrërish: “do vete në paça forë.” Edhe pse fora e tij tani ish bërë proverbiale, kur shtatë vjet më parë, luftonte brigjeve të Labovës në këmbë e me thikë në dorë kur i mbaroheshin plumbat.


Dhe si për t’ia ngritur akoma më lart kultin e lavdisë Heroit të Njëzetës, poeti popullor, në këtë rast tepelenas, gjen një rrugë të tërthortë që të çan më dysh trurin për nga bukuria: nuk e vlerëson vetë Selam Musai-n, por gjen një gjykatës suprem, më të madhin e jetës mbi tokë, Diellin. A ka më të madh se dielli? Nuk ka! E po atij vendos t’ia bëj pyetjen.

“O dielli proto* ku bie? “ (proto, – i pari, në fillim)

Domethënë, na i thuaj ti, o sovran, se ku bien rrezet e tua të para në mëngjes. Dhe dielli e ka përgjigjen në majë të gjuhës:

“Në malet të Salarie…
Selam Musai kur vije…” e të tjera.

Se përse dielli, më parë sesa në Himalajë a Këndrevicë, bie këtu, në këto “malet e Salarie,” kjo nuk ka nevojë për shpjegim dhe poeti popullor nuk merret me sqarime të kota, nga ato që bëjnë të patalentuarit. I kursen fjalët, se ato i çmon më shumë se floriri. Dielli është diell dhe e di vetë se çfarë burrash nderon, madje edhe para maleve. Mençuri drithëruese. Gjetje e përmasave shekspiriane. Lakonizmi i skajshëm. Kapërcime të befta që të tronditin. Magjia e artit të madh…

***
“Ra një ves e mbuloi dhenë,
ra Tafili në Tepelenë…”

Çfarë prisni që të ketë mes vargut të parë dhe të dytë? Sqarime se përse është këtu fjala?! Nga kaloi, si e hodhi Vjosën kur nuk kish ura, me sa shokë ra kësaj ane, sa shpirtra kish me vete? Ah, jo, mos prisni gjëra të tilla! Këto janë vogëlima në një luftë e akoma më vogëlima për këngët e mëdha. Janë pesë më hiç…

Këto nuk janë për këngë labe që ka ligjësi të hekurta. Mbahet e gjitha mbi pesë ose gjashtë rreshta. Dmth gjithsej nja tridhjetë fjalë. I thau dot me kaq? Mirë, jemi në rregull. Ndryshe hap krahun se nuk je për këtë punë.

Rregull i mrekullueshëm që mund të barabitet vetëm me Haik-un japonez në anën tjetër të botës. Një rregull që e ka përcaktuar detyrimi për t’u kënduar. Nuk kanë më shumë frymë ata që do ta këndojnë, gjithka nuk duhet ta kalojë kohën prej tre deri në tre minuta e gjysmë. Ja me hatër të madh katër.
Aq mbajnë mushkritë e njeriut në një këngë labe. Se ato duan tërë ajrin e qiellit aty pranë këto tre-katër minuta.

Nejse të kthehemi tek Tafili që zbriti në Tepelenë. Paralelizmi midis vesës që bie e mbulon dheun dhe kryengritësve të Tafilit nga Buzi, nuk ka nevojë për asnjë koment sqarues. Ai nuk është një njeri, është një fenomen natyror. Do pyesni përse.

Po ja pra, vini re foljet. Thotë “ra”, nuk thotë ecën, vjen, arriti etj. Nga ana tjetër gjetjen e tij e ka bërë me një fjalë të vetme delikate, me vesën. Dikush mund të thosh se mund të shkonte edhe fjala shi, breshër. Oh, mos! Sa banale do ish sikur të kish përmendur shiun! Po ku bën ai gabime të tilla, të shpifura. Ata janë vërtetë burra plumbash e tymi, po janë dhe të brishtë e të bukur si vesa. Sidomos prej shpirti, nga brenda. Gati- gati të padukshëm.

Në një këngë tjetër për Hodo Nivicën vijnë ca pamje që nuk i gjen dot as poshtë mureve të Trojës, nga ato që shkruan babai i letërsisë botërore, Homeri. Në se këto, për Hodon, do të ishin përkthyer në gjuhë të mëdha dhe do të ishin bërë pronë e artit botëror, krahasimet nuk do të dukeshin aspak të tepërta.
Ja seç ndodh në këto këngën e tij… Pas shumë betejash Hodo Aliut i ka ardhur ora e rënies. Poeti popullor bën një kataklizëm të vërtetë me tre vargjesh mahnitës.

“Gjylja mbi kokë i ra,
Koka më dysh iu ça,
Ai bën sikur s’e pa…”

Vetëm një letërsi si kjo mund të krijojë skena të tilla kozmike, marramendëse, përtej arsyes. Hodos i ka rënë gjysma e kokës në tokë. Mirëpo Hodua është ende në këmbë edhe një sekondë me gjysmën tjetër. Ka akoma një sy për të parë se çfarë ndodhi. Çuditërisht, ai as që denjon ta shikojë gjysmën e kokës që është rrokullisur në tokë.

Aq i bën për të. A thua se ajo gjysmë koke, e cila pranoi të binte përdhe nga një gjyle, nuk e meriton të vështrohet fare, përderisa nuk qe e zonja të qëndrojë ende mbi supe, si gjysma tjetër. Në të vërtetë vargu i tretë na thotë, “ai bën sikur s’e pa”. Domethënë e ka parë, po bën sikur nuk e ka parë, nuk begenis fare t’i kushtojë vëmendje.

Njësoj si tek kënga e Bilbilit të Xhixhisë, po nga Nivica dhe ky, komitit tjetër, atij burrit që kur iu mbaruan fishekët tek Fushë e Peshkëpisë, “hoqi kopsat e jelekut/ia bëri plumba dyfekut” (kujtohuni që dyfeqet mbusheshin nga gryka me copa metali, saçme) Mirë, me plumbat bëri si bëri derisa u plagos për vdekje, po gjëma erdhi më pas, kur mbeti pothuajse i vetëm dhe atij i bëjnë pytjen vrastare. Ku i ke lotët, o njeri, ku i ke dy- tri pika lot për veten se po vdes kaq i ri, akoma djalë, pa e gëzuar jetën. Bilbil Nezha atëherë jep përgjigjen rrënuese që ta këput shpirtin.

“O Balil ç’i bëre lotët
i kam derdhur-ë për shokët… “

Ja pra pse nuk e llogarit më fare veten. Nuk i kanë mbetur më shokë dhe ky është fundi i botës, si mund të rrohet më tej pa ta. Përgjigja është shkatërruese për çdo zemër njeriu, edhe për dëgjuesin më zemërgurë në botë. Kjo përgjigje mund të shemb për tokë jo vetëm një njeri, por vetë malin aty pranë që po e dëgjon këtë dhembje lemeritëse.

Mbetëm akoma aty lart në Kurvelesh e duhet të zbresim ca më poshtë. Po ku të vemi më poshtë pa përmendur sado pak Bilbilenjtë, Mehmet Gugën një pëllëmbë e sa e sa të tjerë. Po nuk kemi çfarë bëjmë. Do t’ju kërkojmë falje e do bëjmë më tej. Pa të hedhim një sy këtej nga këngët lirike e të qetësojmë pak zemrën nga tërë kjo drithërimë lufte.

“O kokë e qëne, moj qëne,
pse s’dite për veten tënde,
nga bodrumi pse s’u trembe?
Bodrum nate e bodrum ditë,
na qorroi kandili sytë.
– Ç’haber më dërgon moj, Vitë?!
-Çaj hapsanën, dil e ikë!”

Kjo është një poemë e tërë, një kryevepër e rrallë, e pashoqe për nga dendësia dhe fuqia artistike. Është si një skenar filmi, ku nuk mungon asgjë, nga vetmia tmerruese e mureve, drita e pakët si në ferr prej kandilit që po e verbon, lagështia e fjalës bodrum dhe deri tek harresa e shokëve dhe miqve. Është tërë jeta njerëzore.

Dhe befas, atëherë kur mendon se këtij njeriu nuk i ka mbetur asgjë më për të jetuar, ai i drejtohet të vetmit “çengel” shpëtimi, një gruaje, një Vite, (një bukurie, zane, drite, gruas së tij të jetës.) Se mos ngatërroheni këtu me idenë se bëhet fjalë për një emër konkret gruaje. Aspak. Nderimi për gruan e tij është aq i lartë sa ai nuk mund të bjerë aq poshtë e të përdorë për atë një emër të vdekshmi. Ai i drejtohet një “Vite”, një zane, një gjysmë perëndie me fustan. Se ajo e tillë është në dashurinë e tij… Vitë!

Po nejse, le të presim përgjigjen e saj.
A kemi një përgjigje? Po, kemi.
Çuditërisht ajo, Vita e tij, bën atë që nuk pritet prej një gruaje. Ndërsa prêsim që të qaravitet në këngë, të përlotet, ta mishërojë, t’i japë shpresë a mëshirë me ca fjalë përkëdhelëse, vijnë fjalët e saj porsi një marsh trimërie, pikërisht në kohën urdhërore. “Vita” i kujton të vetmen gjë që mund të bëjë një burrë si ai që ajo dashuron… I thotë të çajë hapsanën dhe të dalë, të iki drejt saj…. Ajo beson se ai mund ta bëjë për të. Doemos, ndaj është ajo një Vitë (dhe jo një grua me fustan që vetëm lan e zien fasule në tenxhere.) Ajo beson në gjëra të perëndishme, jashtë njerëzores, siç është ajo në këngën labe.

Edhe gratë e “Iliadës” qajnë sipër mureve të Trojës për burrat e tyre që po ndeshen e po vriten. Kjo jo. Përkundrazi…
Çfarë gruaje, çfarë vlerësimi për veten e saj, çfarë besimi tek fuqia e burrit që do, çfarë zemre me kockë ka kjo grua labe!… Dhe çfarë nderimi ka për femrën në këto këngë!
***
Diku më tej një tjetër djalë ka vënë kokën në jastëk e vdes nga një brengë e pashërueshme për Alimen.

Ne divan tek rrije ti-në
Moj Alo, Alime,
Kishte dhënë zoti verin-ë
Të freskon gushën dhe gjin-ë
Kur u rrite, moj malin-ë
Se tërvjet jeshe kërthinjë,

Kjo Alo – Alimeja (vini re si e përkëdhel, a thua se i telefonon drejt e nga zemra!) në kokën e këtij të përvëluari nuk është një vajzë fshati, po një mbretëreshë. Sepse sipas tij edhe vetë zoti e di këtë punë dhe ka vënë veriun të fryjë vetëm aty. (Më tutje, le të pëlcas nga vapa e t’ia bëjë bamb gjithë dynjaja. Zoti nuk është i marrë t’i bëjë veri çdo humbamenoje që i kanë plasur sytë e nuk vë re se kë ka pranë!).

Po aty të ketë freski, se asaj duhet t’i freskohet gusha dhe gjiri që po i pëlcet nga pjekja deri në velani e vajzërisë. E vini re, sapo është pjekur, ajo tërvjet ish kërthinjë, një fëmijë. Një nderim i këtij lloji në poezinë popullore për të vluarën e zemrës është shpesh aq i dendur sa njeriu habitet, nuk di si t’i jap një përgjigje kësaj aristokracie të lindur në këngë.

***
Tjetër situatë një përrua më tutje. Kështu është jeta, ndryshon nga një vis në tjetrin… Një djalë aguridhe (adoleshentë i quajmë sot) sapo ka provuar “prekjen” e parë të një “cice” njomështake dhe i ka ikur fare mendja. Duket sikur ka zbuluar krejt botën e ajo nuk është më kjo që shohin të tjerët. Ai ka arritur të prek kërthinjën e tij dhe… befas është pataksur fare…

O shokë ç’u prish dynjaja
Nga këto cicat me maja,
Me maja si maj e gjëmbit,
S’i kap dot as maj’ e dhëmbit.

Këtij i duket se dynjaja tani është krejt tjetër. Për të tani edhe cicat janë ndryshe, me maja. A thua se më parë kanë qenë ndryshe, pa maja?! Domethënë bota ka ndryshuar e tëra, sa ka rënë ai në dashuri. Këndvështrim më mahnitës se sa ky për psikologjinë e një rioshi, turbulencat e para të djalërisë, (seksit po të doni), vështirë se mund të gjenden edhe në librat e Frojdit. Dhe vetëm me katër vargje. Katër vargje të shkretë. Tani bota me sa duket po shembet, po merr fund.

Një talent fundosës që të mpin krahët kur shkruan vetë poezi. Një krijim paralizues që të thotë, matu mirë para se të na rrokanisësh kokën më ndonjë poezi të shpifur erotike të mbushur plot me fjalë “të pista” seksiste për të na krijuar gjoja përfytyrime ndezëse në mendje.

Ja ku është poezia erotike e mbështetur vetëm në një krahasim të thjeshtë, madje me një nga lidhësat më ordinere në letërsi, me lidhësen e hapur krahasuese “si” në mes te fjalëve dhe kaq.

***
Moj kunadhe-ja leshverdhë
dimëron përtej në shpellë….

Tjetër hesap artistik ky! Po pse tej në shpellë? Eh, këtë e di ai, ashtu e sheh shtëpinë e saj, si një shpellë cikllopike ku të zë tmerri e llahtaria ta mendosh vajtjen, pa le ta bësh me të vërtetë. Le që edhe të shkosh me këngë të mpira, si ta kapësh atë, si ta arrish? Ajo është “kunadhe” me dyzet hilera, teka, naze, ajo të çon në shtatë kroje e nuk të jep ujë. Pse si e dashke ti?! Detyra e saj kjo është, të të rraskapisë deri në përgjërim para se ta shijosh fitoren tënde si të Piros.

Miq, po flasim për katakombe përfytyrimesh, për simbolika marramendëse, për situata poetike që krijohen pa metafora të jashtme, me aq pak fjalë floriri sa ta marrin frymën kur mbarojnë.

Dhe si nuk paska vend ku të mësojë këtu poezia e kultivuar, ajo jona, “modernia” domethënë. Si mund të jesh një poet i mirë pa kaluar kësaj shkolle, kësaj rrugë, kësaj bible poetike? Ku do e mësosh artin e të shkurtuarit, të seleksionimit, të sitjes së fjalëve?! Si mund të shkosh më tej pa pasur të paktën nja njëqind këngë të tilla përmendësh në kokë? Dhe akoma më keq, pa i pasur “të kënduara me gjithë iso” në kujtesë. Se ato nuk janë kurrë të mjaftueshme si të lexuara.

Ato vetëm gjysmën e shpirtit kanë nëpër germa pa ison drithëruese, hovjen e marrësit që ikën si kalë i hazdisur e i tërbuar dhe “frerin” e kthyesit që me atë okkk-ho-ho, okho-ho-n e tij e mban shtrënguar si një balancë e përkryer qiellore aty në mes, as në qiell e as në tokë.

Madje edhe në këtë fjalën time, sikur të ish e mundur, më mirë do të ishte që unë këngët t’i këndoja e shpjegimet t’i lexoja. Kjo do të ish idealja.

Nëse do të vazhdonim më tej më shembuj nga poezia e Labërisë, duhet të kishim lajmëruar njeri- tjetrin; të merrnim bukë me vete e të gdhiheshim sot këtu. Dhe mbase unë e teprova. Po më ka zënë një inat deri në vdekje me ata kokëboshët, që llomotisin se kënga labe nuk ka këngë lirike, ka vetëm zjarr, barot e tym.

E po mirë, zilia dhe inferioriteti nuk shuhet kurrë. Njerëzore janë! As ne lebërit nuk duhet t’ua themi me vend e pavend me atë fodullëkun tonë, që për dreq e kemi ca me tepri, se bash ne e kemi selinë hyjnore të këtyre kryeveprave shqiptare në këto anë. Në se ato i gjen edhe në krahinat e tjera këtu përreth, aq më mirë.

Ai që ka jep me të dyja duart, madje nuk e kthen fare kokën anash. Merrni sa të doni, i këndoni si të doni, i përshtasni, i përdridhni dhe spërdridhni si t’ua ketë qejfi me ato ngjyrimet e të folurit të kasolles suaj. Doni t’i bëni kaba a t’i këndoni me violinat e klarinetat që “pardje” erdhën në Shqipëri, bëjeni. Ne nuk kemi ndërmnd ta lëshojmë istikamin, do t’i këndojmë me iso dhe shtruar.

Këtu lëmi nuk mbaron kurrë, o vëllezër. Jini të mirëseardhur! Kjo minierë floriri nuk mbaron kurrë edhe pikë. Këtu Lefter Çipat, Maliq Lilët, Zahot Balilët, Feti Brahimët, Nertesi Asllanët nuk kanë të mbaruar… Ndjesë për ata që nuk i përmenda, po janë aq shumë sa duhet një orë e tërë veç për emrat e tyre.

Po me që jemi tek xhelozia, po u tregoj dhe një kujtim të shtrenjtë me Dritëroin për këngët labe. Dritëroi i madh, ai poeti bioshqiptar, pa kurrfarë kompleksesh krahinore, më pat thënë njëherë plot mençuri bujare…

Duhet të ketë qënë viti 1978 dhe ne, poetët tepelenas, kishim darkuar me të një natë në vendlindje. Ishim të gjithë riosh; unë, Qazim Shemaj, Ilirian Zhupa e disa të tjerë dhe pas një darke të gjatë ku rakia u derdh vërtetë lumë, siç ndodhte gjithmonë me të, kur dolëm jashtë, goditi të isha me të ca hapa para të tjerëve kur më tha:

“E di Petrit, pse unë shpresoj se do bëheni poetë të mirë ju djemtë e Tepelenës,… ja të ta them unë. Se jini me fat që kini lindur në një krahinë që ka folklorin më të mirë në Shqipëri. Nuk them se nuk ka folklor të mirë dhe në krahinat e tjera, po kjo punë e këngëve është si mademi. Diku ka ergjend, diku bakër, diku flori.

E di ti sa tekanjoz janë damarët e mademeve në tokë, nuk ndjekin rregulla. Unë jam i mendjes se mademi më i mirë i folklorit shqiptar fillon në Lumin e Vlorës, aty nga Drashovica e merr lart të dy anët e lumit për në Kuç, ngjitet në Kurvelesh, zbret e merr nja dy lagje të Gjirokastrës dhe shkon e këputet në Delvinë…

Mua, që nuk isha as 25 vjeç djalë asokohe, më ishte dukur një shpjegim i hatashëm ky i Dritëroit dhe nuk lija vend pa e treguar, duke u mburrur për këngët e viseve të mia. U thosha miqve të mi duke qeshur. Ej, e hoqi fare nga harta qytetin e Vlorës me një të rënë të lapsit, se punë e rëndë kënga labe për qytetarët.

Po akoma më e hatashme qe puna e Gjirokastrës, ku mademi i Dritëroit bëhej akoma më nazik, kalonte vetëm nëpër dy lagje të qytetit e nuk e përfillte fare pjesën tjetër. Hajde dhe merre vesh këtë hartë e mendje agolliane. Edhe sot e kësaj ditë që po plakem nuk i jap dot duman. Po kot ha inat.

Mendje poeti si e tij, sa mistike aq edhe e mrekullueshme për thagma të tilla kaq poetike.
Nuk do ta harroj kurrë atë çast, madje as vendin me centimetra ku ma ka thënë. Ndaj Labëria i ka një borxh të madh, Dritëroit, qoftë edhe vetëm për këtë, pa përmendur ato poezi të mëdha që i ka kushtuar plot dashuri bujare si “…mbushe xha Selim i Bratit/dy hejbe me këngë labe” etj.

***
Shkon një vajzë me gërsheta,
tundej si të qe Gjoleka …
Dhe Gjolekë të kishe qënë
Buzën do ma kishe dhënë.

Zot i madh, po çdo këtu krahasimi i një vashe të brishtë me një azgan dymetrosh si Zenel Gjoleka i Kuçit, që edhe me një vështrim “të pret e të bën feta- feta.” Sikur nuk shkon fare për një femër.

Ashtu të duket një çast. Po ajo, Gjonlekës i ka marrë vetën një hir të lindur gjaku, krenarinë e të quajturit femër, zanë, gjysmë perëndi. Vetëm kaq. Poetit popullor aq i bën se mos i prish punë ky krahasim mashkullor me diçka të pazakontë. Përkundrazi e përkundrazi. Ajo është një Gjonlekë më vete. Po aq e paarritshme, e papushtueshme, një kala me fustan e jelekë që ecën mbi dy këmbë të bukura. Dhe fundi është akoma më asgjësues:

Dhe Gjolekë të kishe qënë
Buzën do ma kishe dhënë.

Shkurt, para një përgjërimi të tillë ajo, (sado Gjonlekë me fustan) duhet të hap rrugë, buzën duhet t’ia japë atij të përvëluarit, duhet të shpëtojë një jetë. Se dhe Gjonlekë plot me hekura lufte në trup të jesh, zbutesh para një zemre të çarë më dysh si e tij. Para dashurisë të gjithë biem në gjunjë.

Thjesht është marramendëse dhe kaq.
E tepruam po ja edhe nja dy shembuj dhe t’i japim fund kësaj dalldie që na ka zënë më keq se rakia në një natë dollish dasme.

“Gryka me gjerdane zënë,
Dhe një çikë që kishe lënë,
Ndrinte si bora në hënë…”
Ndrinte si bora në Qorre
U verbofsh që më verbove.”

Që kjo kryevepër ka lindur lart në malet e Labërisë, ajo certifikatën e pronësisë e ka me vete për njëmijë e ca vjet. Madje nuk le vend për ndonjë diskutim aty-këtu as për ndonjë ngatërrim të paktën me ca kilometra.

Jo, ka lindur aty rreth majës së Qorres, sipër mbi malin e Dukatit dhe pikë. Se ai bariu që e lindi, as që i di majat e tjera nja dhjetë kilometra më tutje e as që e ka luksin e turistit që tërë jetës të shkelë mbase ndonjë mal tjetër deri sa të iki nga kjo botë. Po le të merremi me këngë, jo me ziliqarët e thesarit tonë, që është dhe i tyre pafundësisht…

Ajo… ka harruar të mbërthej komçën e fundit të fustanit dhe Ai ka parë një pjesë të qafës së saj farfuritëse. Kaq ka mjaftuar për të lindur një kryevepër poetike.

Ballë për ballë ata kanë qenë vetëm disa sekonda… Ajo, “leshraverdha, tëndë-tëndë,” brenda një ose dy sekondash i ka kthyer atij shpinën në kalim e sipër se ashtu i binte rruga e fshatit. Mirëpo në ato dy sekonda të shkreta, ai, me sa duket pati kohë të vinte re që fustani i saj, i kopsitur deri afër grykës, kishte një hapësirë të pa fshehur…

E aty derdhej një çiiiikëz gushë, nga gryka e saj… me “moj, grykëzënë.” Ka ndodhur çudia,… një nga dy-tre çuditë më të mëdha të gjithë poezisë popullore shqipe… dhe të të gjithë kohërave… Prej asaj copëzës së vogël sipërfaqe, në qafën e një vajze, të një vashe diku, në një katund të humbur malor, lindën dy nga vargjet më të fuqishme që kam dëgjuar në këtë jetë prej fjalës shqipe…

“Dhe një çikë që kishe lënë,
Ndrinte si bora në hënë…”

Atij duhet t’i ketë kaluar nëpër trup drithërima e borës, një shkumë e madhe mornicash. Nuk ka qenë drita dhe përndritja e qafës së saj, që i ka sjellë asociacionin e borës ndër mendje. Së paku, në çastin e parë. Përkundrazi, ndjesia e borës i ka ardhur së brendshmi. Pastaj duhet t’i ketë mbërritur vegimi i shkëlqimit verbues që jepte në sytë e tij ajo qafa e saj e hollë dhe e gjatë…

Mirëpo edhe pse e bardhë dhe rrezëllitëse, si dëbora e virgjër e shpateve të malit, ku ai është rritur, nuk e ka ngopur dot poetikisht për njëmijë arsye zemrën e tij. Është e vërtetë që ajo qafë ka po atë bardhësi dhe virgjëri, si bora e pashkelur e maleve të tij. Është e vërtetë që është po aq delikate dhe e brishtë si ajo, t’i merr sytë e t’i lëbyr me përshkëndritjen e saj. Por kjo nuk mjafton.

Madje krahasimi me borën do të ishte fare banal, si i ndonjë poeti bejtexhi nga ata që edhe sot i gjen me lopatë. Pfff, ndrinte si bora. E po pastaj, këtë e dinë të gjithë. Prisni, bëni durim!
Si djalë fshati, madje si bari, që kushedi se sa net i ka kaluar me bagëtitë e tij në stane, ai e ka parë dëborën nën dritën e hënës dhe ajo e ka magjepsur. Thonë se drita e hënës mbi dëborë është si e përtej-botshme. Borë e përhënur, me një lloj ndriçimi të marrë, të pazakonshëm, të pashpjegueshëm, borë e çmendur.

Fjala e labërishtes i/e përhënur duhet dëgjuar në dhjetëra përdorime të ligjërimit bisedimor që t’ia kuptosh ngjyrimet dhe nuancat.

Nuk është vendi të zgjatem këtu se në këtë sallë të gjithë e dinë, po për të tjerët mund të përdorja vetëm një shembull. Kur fillova të botoja poezitë e mia të para nëpër gazetat e kohës, kur donin të më përqeshnim pas krahëve thoshin, “e mo lere atë, ai është i përhënur”. Dhe çuditërisht edhe kur më lëvdonin në sy, më thoshin po të njëjtën gjë: “eh, je ca i përhënur ti”. Tani ec e merre vesh këtë punën e kësaj fjale më hënë.

Mirëpo nëse këtu hëna është hënë e dashurisë, kënga labe ka sa e sa hënë-ra të tjera… Ja një hënë tjetër nga ato që nuk ta prêt mendja:

“Doli Hëna për kusarë,/dil, moj Hënë!
Faqekuqja në behar/dil moj hënë
Mora sharkun e pashait, dil moj hënë
Ia vesha dhëndër vëllait, dil moj hënë…”

Si njeri i letrave kam dëgjuar tërë jetën që ka hënë dashurie, hënë pesëmbëdhjetë, që i bën vajzat e pamartuara t’u dhembin gjinjtë netëve, hënë çobenësh, hënë mbi dëborë, hënë për kullotën e mëngjesit, hënë për qafën e grave (“dhe një çikë që kishe lënë/ ndrinte si bora në hënë,”) hënë për dasma dhe për ujët e ri të dhëndrit, hënë lugate, hënë që lan fëmijët në gjumë (melaiqet- engjëjt) hënë fyelli për kuje gjëmash, për të lajmëruar të dashurën (Tanë, moj e zeza Tanë…, ) hënë malli.

Janë të pafundme Hënë-rat në folklor. Po se paska edhe një hënë për kusarë, ja këtë e vë re një ditë krejt papritur!
Është një varg i mahnitshëm artistikisht. Si qenka kështu një hënë që dalka apostafat vetëm për kusarët?! Si dreqin është? E plotë, hënë kunadhe nëpër re, hënë kurnace, e ftohtë si një teh thike apo kushedi se si?! Këtë vetëm këngët labe e dinë dhe e merr vesh vetëm kur i dëgjon të kënduara nga këngëtarë të mëdhenj.

Kuptimin nuk ua gjen dot nëpër fjalë, po në shpirt, në mënyrën si zgjatet dhe ndërpritet fryma e marrësit, e isos…
E dëgjoj dhe e ridëgjoj, dhe ende s’ia marr dot vesh të fshehtat. Diku shfaqet në këngë një shark që ia veshin dhëndër- vëllait, po ku niset ky dhëndër? Ajo që ia vesh është një; ose motra, ose kunata, që në Labëri e thërret gjithmonë vëlla, kunatin.

Dhe përse e lë ai shtëpinë për t’u nisur nën një hënë kusarësh? Vë veshin të dëgjosh më tej, por hëna ikën, bie terri, kënga pushon, isua ndërpritet si me thikë dhe ti mbetesh në mister, krejt në terrin e pyetjeve pafund.

“Doli, Hëna për kusarë,/ Dil, moj Hënë!”

Duket sikur thirrja nuk vjen prej atyre që po nisen, por prej një tjetri. Kush është ai, apo ajo, tek lutet që hëna të kusarojë mirë në qiell?! Po ata që janë nisur për kusarë?! Mos kërkoni të dini për këtë. Është e pamundur të dihet kjo. Hapësirat e paqarta dhe të pasqaruara në poezinë popullore janë tërë kripa e tyre, ajo që ne të kultivuarit e quajmë mister e kushedi çfarë tjetër. E kotë ta shpjegosh.

Por le të shijojmë këtë varg madhështor në kohën “lutëse” që i drejtohet Hënës lart në qiell! Kalendari i hënës në këngët me iso është i çmeritur deri aty ku nuk ta pret mendja! Si për çudi, Dielli, ai që duhet të ishte një sovran këngësh, gjendet pak, mjerueshëm aq pak, sa të vjen keq për të. Ndërsa asaj, Hënës, nuk i gjendet fundi i hijeshisë nëpër këngë. Ndoshta nga që ashtu si këngët, që më mirë ngjizen e venë natën, edhe ajo, Hëna, është gjaku i natës.

“Doli Hëna për kusarë…/dil, moj Hënë!”

Për ç’vjedhje të hatashme zemre, natën, ca burra Labërie janë nisur me nxitim?! As që vihet në dyshim se nuk bëhet fjalë për ndonjë vjedhje ordinere bagëtish, por për ndonjë grua “grykëzënë,” të cilënbabai nuk do t’ia japë këtij trimit që ka vendosur të dhëndërojë me kokën e tij, jetën e vet?!

Edhe pse në jetën e përditshme vjedhja natën e bagëtive ishte teatri i kapardisjes dhe provës së zjarrit për të marre ofiqin më të vështirë, atë të guximit dhe trimërisë, një ofiq që shumë vonë filloj të jepej jo me këngë, po me dekrete dhe vula presidenciale.

Kjo sakrificë, kjo marrje “licence”, që zakonisht bëhej në dyluftim me çobanët roje të kopeve dhe qentë e tyre të tmerrshëm të stanit, ishte sprova e vetme për t’u quajtur trim, sypatrembur, pika e djalit, i denjë për të mbajtur nesër një nuse, grua, fëmijë. Kjo lloj «kusarie» e pakuptueshme dhe e përfolur shpesh në krahinat e tjera, përfshinte vetëm një mall të vjedhur, e theksoj, vetëm NJË, bagëtinë dhe asgjë tjetër, as lekë, as pasuri të tjera, pa le ca turpërira të tjera si veshje, tenxhere apo tiganë që ishte fundi i botës për një djalë labërie. (Pu, pu, luaj vendit, o njeri!)

Ishte një kod i tërë, tmerrësisht i kokolepsur e i pakuptuar, në se nuk jetoje aty me ta për kohë të gjata. Kjo është dhe arsyeja, pse as e mençura Edith Durham nuk arriti dot ta kuptoj me atë kalim pesë ditor nga Saranda në Vlorë. Sido që mund të jenë rrekur shoqëruesit t’ia shpjegojnë, nga një veshi i ka hyrë e nga veshi tjetër i ka dalë londinezes aq të dhembshur e të dashuruar pas shqiptarëve.

Ja pra, pse në një fare mënyre, kjo lloj grabitje, u kthye në një institucion të çuditshëm moral, për të marrë, siç e thamë më lart, certifikatën e trimërisë dhe sfidave të jetës. Këtë, veç të tjerash e provon fare lehtë fakti, që ajo nuk fshihej, ndryshe nga hajdutët, bandat e tyre kriminale që natyrisht nuk ishin të pakta, kjo lloj kusarie nuk e njihte fare fshehtësinë, përkundrazi bëhej pikërisht që të merrej vesh dhe ata që pagëzoheshin me të, pothuajse të gjithë bënin teatrin e sfidës, ia hidhnin të nesërmen, të zotit, lëkurën e dashit tek këmbët, si për ti thënë, ja, fitova unë në këtë dyluftim.

Shkurt, jo fshehja, por ekstremisht e kundërta, shpallja e saj me bujë, ishte esenca e saj, kripa e saj publike, një salcë djegëse që u shijonte të gjithëve, nga fëmijët deri tek pleqtë e moçëm që e bekonin.

Unë vetë, duke «notuar» qysh fëmijë në këtë buisje historish, në këtë sagë marramendëse që padrejtësisht ka mbetur jashtë studimeve të dokeve dhe zakoneve të Labërisë, gjoja si e padenjë, di raste nga më të paimagjinueshme si ato, kur nipi mustaqedirsur i vidhte dashin përçor xhaxhait të tij dhe e ftonte për darkë, duke i treguar në fund se kish ngrënë dashin e tij.

“Të bëftë mirë, o xhaxha, po dashin tënd ke ngrënë! Kënaqësia e tjetrit, xhaxhait, ish proverbiale dhe mezi priste të gdhihej që ta tregonte tek rrapi i fshatit aventurën e nipçes që u bë burrë dhe i duhej gjetur një nuse.

Madje, kjo ishte paralajmërimi fodull që u bënte burrave të tjerë se tani; ja, më prisni tani, kur t’ju trokas në derë për çupat tuaja. Dhe mjerë ju po nuk u gëzuat për një bandill të tillë si ky nipi im që të merr gjak në vetull!”

Në Labëri nuk vidhej për të ngrënë bulmet e mish, sepse të gjithë e kishin atë me bollëk (madje vetëm atë kishin në varfërinë e tyre të madhe. Ish proverbiale shprehja përbuzëse për ndonjë të varfër: “e po ç’pyet për filanajt, ata rrojnë për ibret me njëqind kokë dele”, një gjë që quhej fundi i botës për nga varfëria. “Më shumë mungonte kripa, që ish dy ditë karvani larg në Vlorë, se sa mishi!)

Ja, pse kënga e mësipërme me «hënë kusari» është një këngë rrëmbimi. Vjedhja këtë radhë është një vjedhje e hatashme zemre, vajza që ai do. Kënga nuk jep shumë sqarime të jesh i qartë për këtë “marshim,” por ka një varg të çuditshëm, një lloj të çare, që befas lëshon një rreze drite të plotë, se cili është misioni i kësaj nate.

Dhe ai është vargu: «Mora sharkun e pashait/ Ia vesha dhëndër vëllait” Në fund të fundit, në rastin e kundërt, nuk do të kishim fare një këngë, me lutjen për një hënë kusarie, sepse nuk gjen këngë që t’i jetë ngritur drejtpërsëdrejti vjedhjes.

Vetëdija e tyre e mahnitshme, se kënga ish për gjëra të tjera më fisnike e më të epërme në këtë jetë, është absolute në arkivin e tyre me hapësira perandorake, tezë e hedhur së pari nga i ndrituri Mitrush Kuteli dhe e ringritur mahnitshëm ca dekada më vonë nga shkrimtari i madh, Ismail Kadare tek “Autobiografia e popullit në vargje.”

“Doli Hëna për kusarë…/dil, moj Hënë!”
Në fund të fundit çfarë rëndësie ka qëllimi se për çfarë janë nisur
Ata u nisën natën për Diçka e për Diku e ja, “shpikën” për këngën edhe një Hënë të re, që nuk gjendej në asnjë kalendar astronomie e as në ndonjë letërsi të derisotshme.
Zoti e bekoftë “shpikjen” e tyre të rrallë!

Ndjesë që ndoshta u zgjata, por fajin e kanë shembujt, që janë të pafund, të mbysin, të marrin frymën.
Së fundmi më lejoni që këtë fjalë sot, t’ua kushtoj si një homazh nderimi disa krijuesve ballorë, poetëve popullorë penë-florinjtë të folklorit të Labërisë që nuk jetojnë më, por e çuan më tej këtë pasuri kolosale me krijimet e tyre të një jete.

Nuk po ua përmend emrat, sepse jam i bindur, që ju më mirë dini emrat e tyre se sa të kryeministrave dhe presidentëve të këtij vendi.
Ju faleminderit!

Ishit të mrekullueshëm me vëmendjen tuaj fantastike. Po ç’them dhe unë? Si mund të ndodhte ndryshe, të flasësh për këngët labe në një nga kryeselitë e saj, në Tepelenë e të mos jesh i tepelentë deri në thua…/ ObserverKult


Lexo edhe:

PETRIT RUKA: T’U THAFSHIN ËNDRRAT DHE TY…