Shkreli: Për kulturën e një populli, koha më e ligë është koha e mediokërve…

shko 10 perla poetike të Azem Shkrelit: Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal...

Një ndër shkrimtarët më përfaqësues të letërsisë shqipe, pa dyshim është Azem Shkrelí.

Ai shquhet për stilin e tij të veçantë të shkrimit, që la shenja të pashlyeshme në historinë e letërsisë sonë.

Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai e konsolidoi emrin e tij nga njëra vepër poetike në tjetrën.

Cilësohet si poet i mendimit, fanatik i latimit të vargut, i muzikalitetit tekstor, i ironisë së kthyer shpesh në sarkazmë.

Shkreli brenda poezive por edhe shkrimeve eseistike ka edhe fraza që përdoren tashmë si thënie proverbiale.

ObserverKult ua sjell disa prej tyre:

“Për kulturën e një populli, e jo vetëm për kulturën, koha më e ligë është koha e mediokërve.”

“Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.”

“Mësojeni kohën të mos i hajë të vetët, ç’u shemb shëmtije do ta ngrenë poetët.”

“N’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë, jo në sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.”

“Liria thinjët bukur, nuk plaket!”

“Ruaju, moj se vashat më të bukura i vret bukuria e vet!”.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.

Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997).

Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Azem Shkreli vdiq në pranverën e vitit 1997.

E përgatiti: A. S.- ObserverKult


Lexo edhe:

AZEM SHKRELI: LOJË E ÇUDITSHME! KA APO S’KA MBARIM?