Përkujtim për bijën tonë të mirë, Lindën
Nga Xhabir Ahmeti
Spartanja e babit, Lindushi i babit, Atena ime që dije aq shumë të kacafytesh me fjalët e me vargjet heshtazi na ike në Parnas pranë vëllait
Ti spartanja e babit, Atena ime, para disa ditësh përgatiteshe ta festosh ditëlindjen. Bëje plane të ndryshme, kurse unë pajtohesha me krejt çfarë thoshe. E si mos të pajtohesha kur për Ty, bija ime, ishte me rëndësi, ajo që kërkoje. Megjithatë vazhdimisht e theksoje mungesën e Luranit, vëllait Tënd që aq shumë e vuaje. Luli, thoshe, tri vjet motra çdo gjë lava me lot për Ty dhe pyeteshe: e kush do të ulet në krahun tim të djathtë kur do të festojmë në shtëpi me Arbushin, pasi të kthehem nga ndeja me shoqërinë, si do të ndjehem me vendin e zbrazur ku ulej Luli, vëllai im i vetëm. Por këtë skenar na e ndërpreu fatkeqësia.
Fati i zi deshi që pas tri vjet vajesh që i bëre për Lulin tonë të na largohesh edhe Ti dhe t’i bashkohesh atje në amshim e ndër yje. Ne, prindërit Tu, familja Jote e gjerë, dajët e tezja, kushërinjtë e kushërirat e shumta mbetëm të stepur. Vaji e lotët e veshën atë ditë me pikëllim e dhembje. Në vend se të uleshe në krye të vendit në tryezën festive Ti, spartanja e babit, Ti Atenë e vërtetë që dije aq shumë të kacafytesh me fjalët e me vargjet heshtazi na ike në parnas pranë vëllait të cilin vazhdonim ta qanim bashkë me Ty për tri vjet me radhë, nga dita që na la.
Bija jonë, kjo ishte goditje e tmerrshme. Ne ende nuk ngriheshim dot në këmbë nga fatkeqësia që na e mori vëllain Tënd dhe pa ardhur në vete rrufeja na goditi për së dyti. Në të njëjtin vend. Rrallë ndodh që rrufeja të bjerë dy herë në një vend, por ja që neve na ra dhe na la pa të dy fëmijët e mbarë e punëtorë që po ngjiteshin majave të artit, Lurani në teatër e film, kurse ti në letërsi dhe në kërkime në fushë të mitologjisë, të folklorit, të filologjisë klasike dhe përgjithësisht të trashëgimisë. Ne u përvëluam.
Shumë plane ambicioze pate moj bija jonë dhe mezi prisje të bëhen konferenca e tubime shkencore në Institutin e Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore ku punoje që si thoshe “edhe unë ta jap një kontribut të vogël”. Ishte modesti Jotja kjo, kurse punën Tënde kolegët dhe njerëzit përgjithësisht e vlerësonin lart. Tash zyra jote mbeti pa Ty ku çdo ditë i kaloje tetë orë të plota e stresuar se aq shumë detyra i jepje vetes. Zyra mbeti zbrazur, por Instituti vendosi ta ruajë emrin Tënd duke e quajtur Bibliotekën LINDITA AHMETI.
Kishe edhe një dëshirë të madhe që mbesës sonë aq të mirë, Arbës, t’ia mbjellësh shprehinë për lexim dhe t’ia hapësh dyert e perspektivës në shkencë. Edhe kjo ëndërr të mbet pa realizuar, sepse Ti ishe një luftëtare spartane që jeta të vuri përballë vështirësive të mëdha, më të mëdha se ballafaqimi i spartanëve me ushtrinë e stërmadhe persiane.
Në këtë ditë kaq të pritur, më 26 prill, në ditëlindjen tënde ne në vend se të të dorëzonim lule shkuam dhe lulet i vendosëm në vendprehjen Tënde atje pranë vëllait tënd, Luranit.
Neve na mungoni që të dytë pafundësisht, por po aq jemi krenarë që ju patëm sepse ishit fëmijë jashtëzakonisht të zellshëm dhe jashtëzakonisht të mirë. Ju duam shumë, shumë!
27 prill 2024
ObserverKult
Lexo edhe: