Shkrim prekës për Rexhep Ferrin: Do t’i mungojë Prishtinës…

DHEMBJE PËR AKADE/MIK REXHEP FERRIN…

Lajmi dëshpërues kaloi oqeanin: Rexhep Ferri sot na la…

Lajmërojnë familjarët e tij, miqtë e shumtë, kolegë të tij piktorë e shkrimtarë, akademikë, botues, studentë, të njohur e të panjohur e deri te Kryeministri dhe Presidentja e Republikës së Kosovës…

Kur themi Kosovë e Prishtinë, mes emrave të dashur e të shquar për ne vinte kumbueshëm dhe emri Rexhep Ferri.

Piktor i shquar i lartësive evropiane, Profesor universitar, akademik, por dhe poet, eseist, romancier, mik i madh, familjar i dashur, etj, – kështu shkruajnë për të, – lindi në Kukës në vitin 1937, u shkollua në Prishtinë e Beograd për artet e bukura, hapi ekspozita shumë në Prishtinë e Tiranë, në Ballkan e Evropë e deri në Paris, botoi poezi e prozë, shumë libra në “Onufri”, etj, katalogë e albume, artist modern e i natyrshëm, bashkuar me një individualitet të fortë, etj, etj.

Studiuesi i shquar, kritiku i artit Gëzim Qendro ka botuar një monografi-album për Prof. Rexhep Ferrin, të shkëlqyer, ndërsa së fundmi në Rumani revista prestigjioze “Albanica” pati një kolazh interesant me piktura të Rexhep Ferrit…

…kujtojmë ditët e bukura në Prishtinë, kur ishim të ftuar familjarisht në shtëpinë e tij mes blerimeve. Ajo shtëpi, kur regjimi i egër serb mbylli dhe universitetin e Prishtinës, u bë auditor, edhe aty studentët merrnin leksione. I vetmi universitet në botë ilegal që do t’i vazhdonte mësimet nëpër shtëpitë e profesorëve, madje dhe diplomimet, do të ishte ai i Prishtinës.

Në shtëpinë e Profesorit çdo gjë ishte art deri në dhimbje, kështu e kujtoj. Dinjiteti i Zonjës së shtëpisë, tryeza me shishen e verës në mes, pikturat e djalit të Profesorit, piktor dhe ai, që kishte ikur me shokë jashtë shtetit, studioja e Profesorit poshtë, veprat e shumta, edhe të pambaruara, ajo magji e tyre në forma si vallëzuese, vegime të pakapshme si me vezullime mermeri, sintetike si dhe proza e tij, me ritëm poetik, etj, etj.

– Zgjidh, cilën pikturë do, – i tha Atjonit tonë, ishte fëmijë atëhere, – është vetëm për ty, – shtoi me zërin e tij të fuqishëm. – Mirë e zgjodhe, të lumtë… – dhe i shkruajti dedikimin nga pas. E mbështoi mirë. Ishte e madhe dhe na shoqëroi deri në stacionin e autobusit, që të porosiste shoferin si ta vendoste te bagazhet. E sollëm të gëzuar në Tiranë.

Edhe libri im, “Rrugët e ferrit”, botimi I nga “Onufri”, në kopertinë ka një vepër të tij, me lejen e tij…

Sa herë vinte në Tiranë, e takonim krahëhapur. Kur vizitonim Prishtinën, e kërkonim. Kam dhe një poezi për të në librin “Si shkohet në Kosovë”.

– E kujt është kopertina, e Paul Klee? – më pyeti vëllazërisht siç fliste ai.

– Jo, e Atjonit, kur ishte tre vjeç e gjysmë…

Buzëqeshi çiltër siç dinte ai, një buzëqeshje e gjerë, me shpirt…

Prandaj dhe në titull fjalën akademik e ndava: akade/mik se i tillë do të mbetet, mik i madh i të gjitheve njerëzve të artit. Do t’i mungojë Prishtinës…

Por është vepra e tij superbe me atë estetikë të papërsëritëshme, evropiane…

Eda e Visar Zhiti

6 qershor 2024

ObserverKult


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA AKADEMIKU REXHEP FERRI