Nga Xhabir Ahmeti
Shtegun që hape e stolisin lulet e përjetësisë
Ikin ditë, ikin javë, ikin muaj, ikin vite e ja u bënë njëzet e dy muaj pa Ty, biri im! Gjithë ajo vetmi!
Gjithë ajo dhembje!
Peizazheve e logjeve, blerinave të bjeshkëve të Sharrit kah luaje Ti kur ishe fëmijë, kah e shijoje bukurinë dhe kah e kërkoje Muzën në vitet e vrullit Tënd artistik, tash duken të pajetë.
As ka xixëllonja nuk ka më në fund të qershorit e në fillim të korrikut, as lodrojnë harabelat, por nëpër degët e ahut me kroin në rrënjë lëvaren hije të heshtura duke i shtrirë këmbët mbi lulet e vyshkura.
Nuk dëgjohet kënga e bareshave rudinave. Nuk është më ajo madhështi e stolisur me gëzim, por horizontin e shëmton pushteti i zymtësisë.
Gjithë ajo lemeri!
Tash kanoset një shtresë harrese e heshtjeje e cila bëhet gjithnjë e më e rëndë mbi këtë shtëpi dhe e pengon dritën e diellit të bjerë në dritare e të na e largojë acarin që po na ngrin. Po sa më shpejt që ecin akrepat e orës së zezë, aq më e hovshme ngrihet një shtjellë e tërbuar pikëllimi që djeg e na e përvëlon shpirtin dhe na bën me dije se sa të jetë jeta ajo do të na shoqërojë.
Shigjeta me helm bretkosash me ngjyra nga Amazoni janë bërë përditshmëria jonë e vrugët me fjalë të pakta që këmbejmë, edhe ato të shkreta të plagosura.
I ndjejmë në mishin tonë të lodhur kah na shpojnë gjilpërat e pasigurisë pa Ty! I dëgjojmë vazhdimisht hapat e Erebit gjithandej!
Ç’errësirë!
Vetëm rrezet e trishtimit dhe gjarpinjtë e zjarrtë të rrufesë kalojnë në horizontin tonë! E pas tyre kalëron kotësia!
Nuk janë drita këto, por janë një paralajmërim për valët e reja të flakës që do të na sulen me një qëllim: të Të harrojmë!
Në fillet e këtyre valëve Zëri gërvishtës i Prozerpinës përpiqet ta pushtojë e ta gjunjëzojë jehonën e zërit Tënd e cila kumbonte në çdo shfaqje ku luaje Ti, në çdo ndenje kur e mbroje të Vërtetën. Nuk është zë ky, po ushtimë!
Është bujë llahtari që i vendos kufijtë e ngushticës shpirtërore ku mbetëm pas Teje!
Po ne s’ua kemi dertin as flakëve e as ushtarëve të natës. As ngushticës me kufijtë e bërë prej kobrave që dalin nga pritat pse e dinë se forca e krahut Tënd tash pushon nën hijen e blirit!
As nga thikat tinëzare të grabitqarëve. Me barrën e pikëllimit mbi shpatulla ecim shtegut të krenarisë që e hape Ti, këtë shteg nga i cili duket si përvijohet kujtimi me buzëqeshjen Tënde që shpërndan dashuri.
Është ky shteg plot lule e ndodhi gazmore të cilin e stolisin notat e amshimit. Këtu janë çastet me Ty si fëmijë në barin me vesë kur i rrok dielli i ditës së bukur, çaste këto që i nga shtangur fotoaparati dhe që i ruan albumi.
Janë çastet si vrapoje në blerina! A mund të harrohen këto çaste? A mund të shlyhen nga kujtesa këto imazhe?
Në këto imazhe-piktura qëndron Ti me pamjen e cila rrezaton dashurinë e paparë për jetën, krenarinë e pashoqe që ishe babai i Arbës dhe sigurinë e patundur se na pret një e ardhme e ndritshme.
Këto janë çaste që i venë vulë lirike jetës sonë, biri im!
Ne do të Të kujtojmë, nuk do të lejojmë që emrin Tënd ta mbulojë harresa, sepse ne me germa amshimi e gdhendim këngën e përjetësisë Tënde që e thure, të copës së diellit që të rrinte në ballë të cilën e ruaje për t’ia dhuruar fondit të kulturës sonë dhe e cila me gjithë tmerret që ka kaluar ia doli të mbetet mbi sipërfaqe.
Sa të duam, biri im, sa të duam!
ObserverKult
Lexo edhe:
XHABIR AHMETI: KACAFYTEM ME PIKËLLIMIN…
Nga Xhabir Ahmeti
Shkojmë në mëngjes me gjyshin kah kurtnajat, arat krejt afër shtëpisë, që shumëkush tash i quan ograja.
Dielli ka dalë ka kohë. Ai duket i vogël, por rrezet e tij që vijnë kah ne pjerrtas kanë filluar të djegin. Bimët edhe kafshët e mirëpresin pas shiut të djeshëm.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult