Jo pak shkrimtarë vendorë me ndikim ishin frymëzues të projekteve politike që patën përfundime vrastare në masë, përgjatë historisë ballkanike dhe sidomos luftërave të fundit në ish-Jugosllavi. Përtej çështjes së ballafaqimit të sotëm të letërsive dhe të artit me të kaluarën; temat e imperativit estetik, përgjegjësisë morale, letërsisë të angazhuar ose rolit të shkrimtarit në shoqëri, janë rishfaqur së fundi edhe me rastin e fituesit të fundit të çmimit Nobel për letërsi, Peter Handke.

NGA BELGZIM KAMBERI
(Le Monde Diplomatique – Shqip)

Tragjeditë ballkanike kanë ridëshmuar se çështja e letërsisë së angazhuar mbetet komplekse. Përderisa përvojat e së kaluarës kanë dëshmuar se disa njerëz të letrave kanë kontribuar në zbatimin e politikave vrastare; disa zëra mbrojnë argumentin e ndarjes së veprës letrare nga mendimet shoqërore dhe politike të autorit.

Në anën tjetër, sot, në kohë paqe dhe të pluralizmit e tregut të lirë, letërsitë « pasjugosllave » dhe shqipe mbeten margjinale e periferike, të mbyllura në një lloj izolimi paskomunist, përderisa zhvillohen e përhapen kiçi dhe kultura zbavitëse.

A duhen shkrimtarët të angazhohen në/përmes letërsi(së) dhe të jenë në shërbim të së vërtetës, emancipimit dhe lirisë?

Për këto tema dhe për gjendjen e sotme në Serbi dhe në Kosovë, njëzet vjet pas rënies së Millosheviqit dhe dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, bashkëbiseduam me dy shkrimtarë të njohur, fitues të çmimeve të shumta në fushën letrare: Ag Apolloni, botues, shkrimtar, studiues dhe ligjërues universitar në Prishtinë; si dhe Gojko Bozhoviq (Gojko Božović), botues, shkrimtar dhe kritik letrar nga Beogradi.

Ag Apolloni

Gjatë historisë ballkanike dhe sidomos luftërave në ish-Jugosllavi, shumë shkrimtarë vendorë me ndikim ishin frymëzues të projekteve politike që patën përfundime vrastare në masë dhe ç’njerëzore. Sa ka pasur guxim letërsia e pasluftërave ta kthejë së paku tmerrin, të pakuptueshmen dhe të pashpjegueshmen, në njerëzoren?  

Ag Apolloni : Lidhja e letërsisë me politikën dhe sidomos animi politik i shkrimtarëve nuk është fenomen i njohur vetëm në Ballkan, pasi sigurisht nëpër periudha të ndryshme atë e hasim edhe në Itali, Francë, Spanjë, Gjermani, Rusi etj. Natyrisht, në ish-Jugosllavi kjo lidhje ishte shumë e theksuar, pasi konteksti ishte i atillë që e instrumentalizonte shkrimtarin. Pa dashur të krijoj alibi për shkrimtarët, mendoj se angazhimi i tyre politik duhet të shpjegohet me analiza sociologjike dhe psikologjike. Ndërsa, se sa ka pasur guxim letërsia ta kthejë tmerrin në art humanist, mendoj se ky është një shqetësim i vjetër sa letërsia dhe më shumë se për guxim, ndoshta do të mund të flisnim për talent. Dhe për karakter, natyrisht.

Gojko Bozhoviq : Nuk kemi fare të bëjmë me ndonjë veçori, të historisë së re, të ndonjë shoqërie të veçantë dhe të shkrimtarëve ballkanik ose jugosllav. Rrethanat dramatike historike nuk kanë qenë kurrë një kornizë e mirë për mendimin kritik dhe të pavarur, apo për t’i rimenduar proceset historike ose strategjitë politike. Në Ballkan ka histori për së tepërmi. Shoqëritë ballkanike, të gjitha pa dallim, kanë nevojë për një shkëputje nga historia, në mënyrë që të rregullojnë më mirë veten e tyre, të përballen me historinë e tyre dhe modernitetin e tyre, jo më pak të rëndësishëm. Unë besoj se kjo do t’i ndihmonte shoqëritë ballkanike ta kuptojnë më mirë veten e tyre, por edhe t’i shikojnë shoqëritë fqinje me më pak vrazhdësi. Sigurisht se letërsia ka një potencial kritik që mund të jetë i vlefshëm për ta kuptuar momentin aktual, si dhe tendencat e fundit apo më të vjetra historike. Letërsitë ballkanike vazhdimisht pas luftës, por edhe në veprat e tyre më të mira japin pamjen më të bazuar dhe më të mprehtë të historisë së Ballkanit.

– Megjithëse sot zyrtarisht pjesë të sistemit pluralist dhe tregut të lirë, duket se letërsitë « pasjugosllave » dhe shqipe mbeten margjinale e periferike, të mbyllura në një lloj izolimi paskomunist. Madje, ndryshe nga kultura zbavitëse dhe kiçi, letërsitë vendore nuk po munden të zhvillohen mjaftueshëm edhe në hapësirën rajonale,  e mos të flasim për hartën letrare të Evropës. Cilat janë shkaqet dhe si mund të dilet nga ky rreth vicioz?

Ag Apolloni :Sot jetojmë në “epokën e anglishtes” dhe gjithçka që nuk i përket kësaj gjuhe na duket sekondare, terciare e kështu me radhë. Por, ky mund të jetë një iluzion që e shkakton gjuha, jo letërsia. Për t’u integruar në gjuhën e madhe kërkohen politika kulturore-përkthimore, sado që vetë përkthimi nuk mund t’i atribuojë veprës vlera që ajo nuk i ka në gjuhën origjinale. Është fakt që letërsia, por jo vetëm ajo “pasjugosllave”, nuk po gjen mjaftueshëm hapësirë, për shkak të vërshimit të kulturës zbavitëse dhe të kiçit. Në njëfarë mënyrë, kultura estradeske, e përkrahur fuqishëm nga mediat, ia ka ngushtuar hapësirën kulturës elitare, por le të shpresojmë se kjo që e po e shohim si çështje hapësire do të jetë vetëm çështje kohe.

Gojko Bozhoviq : Nëse e shikojmë me kujdes hapësirën “pasjugosllave”, ose Ballkanin Perëndimor, ose Mini-Schengenin, dhe nuk kam dilema se së shpejti do të kemi emërtime të tjerë në qarkullim, mund të shohim lehtësisht që sunduesit populist dhe autokrat bashkëpunojnë shkëlqyeshëm midis tyre, duke qeverisur atdhetë e tyre si prona private, midis të cilave mbajnë tensione të kontrolluara dhe të dozuara, sepse është më e lehtë të sundosh kur sajon armiq të brendshëm dhe të jashtëm. Paralelisht kriminaliteti i madh bashkëpunon shkëlqyeshëm, ndërsa kiçi dhe kultura zbavitëse vetëvetiu rajonalizohen dhe globalizohen lehtë. Kultura është margjinalizuar, sidomos letërsia. Ky është një proces global, por në pjesën tonë të botës kjo ushqehet nga populizmi që ka kulturën për armik natyror. Rëndom, margjinalizimit të kulturës dhe qëndrimit të saj brenda hapësirave të mbyllura i ndihmojnë edhe dramat identitare ballkanike, të cilat ndikojnë që elitat politike ta perceptojnë kulturën si makina prodhuese të identitetit. Ekziston një problem tjetër i hapur në një shkallë evropiane: letërsitë e Evropës Lindore, përfshirë ato ballkanike, ishin interesante në perëndimin evropian përderisa shkrimtarët ishin disidentë komunistë dhe letërsia kishte këtë subverzitet politik. Ballkani nuk është më në fokus, siç dëshmohet më së miri nga stabilokracia si një model i imponuar i fatit politik të shoqërive ballkanike në shpërndarjen aktuale të roleve evropiane. Megjithatë, shoqëritë ballkanike nuk duhet të pranojnë një rol inferior ose të kontribuojnë në atë. Nëse politikat dhe ekonomitë ballkanike nuk janë të mira dhe me rëndësi evropiane, padyshim që kulturat ballkanike janë të tilla.

ISTIKAMET

– Z. Apolloni, keni deklaruar se letërsia shqipe përgjatë gjithë historisë së saj ka qenë propagandë fetare, politike ose nacionale. Cilat janë argumentet tuaja dhe sa ka perspektivë për ndryshimin e kësaj fryme letrare?

Ag Apolloni :  Po, këtë e kam deklaruar në librin “Koferi i Konicës”, që është libri im kritik më i diskutuar në Kosovë dhe i bojkotuar plotësisht në Shqipëri. Në këtë libër, ku e trajtoj letërsinë shqipe nga fillimi deri në fund të shekullit XX, kam sistemuar konstatimet që i kam mbajtur nëpër margjina librash, të cilët i kam lexuar kujdesshëm dhe sistematikisht për vite më radhë. Asnjë konstatim aty nuk është bërë në mënyrë të ngutshme, apo me dashakeqësi, sado që konciziteti i konstatimeve lë shijen e një arbitrariteti gjykues. Letërsia shqipe lindi si propagandë fetare, sepse erdhi si përgjigje ndaj thirrjes së Kundër-reformës, e cila çoi te krijimi i një sektori propagandistik të quajtur “Propaganda Fide”, që financonte botimet kishtare dhe pro-kishtare. Letërsia shqipe është edhe propagandë nacionale dhe politike, sepse me shekuj udhëhiqet nga ideja e Motit të Madh (epokës së lavdishme të Skënderbeut) si model i projektit për bashkimin e shqiptarëve dhe të trojeve të tyre. Ndërsa, faza më e padurueshme e propagandës politike ishte periudha e komunizmit, kur letërsia iu nënshtrua metodës zyrtare të realizmit socialist. Sigurisht, për dallim prej shkencës, letërsia nuk përparon, thjesht ndryshon, por problemi i letërsisë shqipe është se deri në fund të shekullit XX nuk ka ndryshuar, ka qëndruar në istikamet e hapura shekuj më parë. Dalja nga istikamet nënkupton edhe emancipim intelektual, edhe transformim estetik e letrar.  

– Ndonëse e pavarur që më se dhjetë vjet, Kosovën e cilësoni si një vend me « demokraci danteske », ku « nuk ka mbaruar Mesjeta », si një  « vend i pafrymë, një tokë e shkretë dhe e vdekur ». Ç’nënkupton kjo kur e thotë një njeri i letrave? 

Ag Apolloni :Dhjetë vjet pas pavarësisë dhe njëzet vjet pas luftës, askujt s’do t’ia merrte mendja se mund të vinim në këtë ditë sa t’ia kishim frikën demokracisë. Vendi ka kaluar nga diktatura orwelliane në demokraci danteske (infernale) dhe unë nuk e di se cila është më e frikshme. Që njëzet vjet në Kosovë bëhet politikë korruptive, klienteliste, shantazhuese, ofenduese, kërcënuese dhe linçuese. Kulturalisht ajo është e pafrymë, e shkretë, e vdekur. Është nevojë urgjente të formohen disa çerdhe intelektuale dhe kulturore në mënyrë që klima të bëhet e përballueshme për shoqërinë e shkelur nga thundra oligarkike, së cilës nuk i duhet shumë kohë e mund për t’u kthyer në thundër tiranike. Politikat e gjata izoluese gjithmonë shkaktojnë klaustrofobi te qytetarët, instinkti i mbijetesës së të cilëve, për t’i shpëtuar atakut astmatik, synon të hapë dritare edhe aty ku ka vetëm mure. Dritare të tilla i shoh forumet (vendet, çerdhet, qendrat) intelektuale e kulturore, që krijojnë atë “esprit du lieu”, atë “frymë të vendit” (“genius loci”) që, sipas kuptimit mitik, kuptimëson dhe mbron jetën dhe vendin.

Z.Bozhoviq, si do ta kishit përshkruar Serbinë e sotme njëzet vjet pas rënies së Millosheviqit?    

Gojko Bozhoviq

Gojko Bozhoviq : Shoqëria është e ndarë dhe e varfër. Ekonomia është e dobët, e për këtë korrupsioni i përhapur. Kultura është e margjinalizuar. Mediat janë shumë të kontrolluara, me pak përjashtime. Të rinjtë, por tani gjithnjë e më shumë të moshës së mesme, po braktisin vendin masivisht. Në vend të unifikimit me Bashkimin Evropian, Serbia, si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është zhytur në stabilokraci. Në kuptim  politik kemi të bëjmë me autokraci populiste.

– Qarqe të ndryshme dhe njërëz të shumtë nga arti e letërsia në Serbi kanë mbështetur ose frymëzuar regjimin e Millosheviqit në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sa janë sot në Serbi të gatshme lëtërsia dhe arti të ballafaqohen me të kaluarën?

Gojko Bozhoviq : Të gjithë regjimet autoritare kanë pasur dhe kanë shkrimtarë dhe intelektualë të tyre. Regjimi i Millosheviçit nuk është përjashtim në këtë drejtim. Pati shkrimtarë dhe intelektualë që e mbështetën hapur regjimin e Millosheviçit në periudha të ndryshme. I kam kritikuar në vitet ’90, por kurrë nuk kam menduar se ata e kishin fjalën kryesore dhe se Millosheviqi ishte arma në duart e tyre. Në marrëdhëniet mes shkrimtarit idhujtar dhe regjimit, forca është gjithmonë në anën e regjimit. Shumica e shkrimtarëve dhe intelektualëve në Serbi kanë kontestuar regjimin e Millosheviqit, ndërkohë të shumtë janë ata që e kanë kundërshtuar. Ekzistojnë sot shumë libra për këtë jo vetëm në Serbi. Luftërat ballkanike të viteve ’90 janë tepër të tmerrshme dhe do të jenë tepër rënduese për gjeneratat e tëra që të reduktohen vetëm në një shkak ose vetëm në një të kaluar të errët. Nëse duam ta kuptojmë dhe ta tejkalojmë këtë trashëgimi, atëherë me qasje kritike e të hapur,  me gjakftohësi dhe pa vullnet të keq duhet patjetër nisur nga vetja dhe ta kuptojmë tërë kontekstin. Më mirë të jetojmë me të vërteta të hidhura se të mbetet vazhdimisht e hapur lufta e ftohët ballkanike.

– Sa zhvillohet vetëkritika shoqërore në krijimtarinë artistike shqipe dhe serbe, sidomos në raport me tjetrin?

Ag Apolloni : Mendoj se vetëkritika, apo autokritika e ndërgjegjëson njeriun, e shpëton nga narcisizmi. Për letërsinë shqipe diskursi autokritik është kusht i domosdoshëm për njohjen e vetes dhe njohjen e tjetrit. Njeriu e ka shpikur pasqyrën për ta parë (dhe rregulluar) fytyrën e vet dhe për të mos e shastisur tjetrin.

Gojko Bozhoviq : Vetëkritika ka qenë gjithnjë e shprehur fuqishëm në kulturën dhe letërsinë serbe. Kjo është, pos tjerash, një virtyt i domosdoshëm i kulturës së lartë dhe letërsisë. Zhvillimi i kulturës nuk është i mundur pa vetëkritikën, e besoj se edhe vetë kultura nuk është e mundur. Çështje tjetër është se kultura është margjinalizuar sot, si në Serbi ashtu dhe në çdo shoqëri tjetër evropiane, që e bën të pavërejtshëm mjaftueshëm potencialin kritik dhe vetëkritik të kulturës.

– Z.Apolloni, a mund të na shpjegoni se si paraqiten serbët në kulturën, kinematografinë dhe letërsinë shqipe?  

Ag Apolloni : Zakonisht në kinematografi dhe në teatër, paraqitja e serbëve është bërë sipas stereotipave të njohur, pa ndonjë trajtim psikologjik, kurse proza dhe poezia, në disa raste të rralla, i ka sfiduar këto paragjykime.

– Po shqiptarët në ato serbe z.Bozhoviq?

Gojko Bozhoviq : Marrëdhëniet serbo-shqiptare janë të ndërlikuara për më shumë se një shekull. Serbët dhe shqiptarët nuk kuptohen mjaftueshëm, ndërkohë që ndërmjetësuesit i kontribuojnë pak ose aspak këtij mirëkuptimi. Ndoshta kultura mund të jetë ndërmjetësi më i mirë midis dy kombeve ballkanike. Shqiptarët janë të pranishëm edhe në romanet e reja serbe, në filmat dhe seriale të reja serbe, si dhe në debatet historiografike. Në mënyra të ndryshme, por rrallëherë në rolet kryesore. Vlenë të përmendet një rast : para dy vjetve, fituesi i çmimit të revistës NIN për romanin e vitit ishte libri “Luzitanija” i Dejan Atanackoviq, me temat serbo-shqiptare të shekullit XX.

ANGAZHIMI

– Tragjeditë ballkanike kanë ridëshmuar se çështja e letërsisë së angazhuar mbetet komplekse. Marrë parasysh edhe këto përvoja, a mendoni se shkrimtari duhet të angazhohet në/përmes letërsi(së) dhe të jetë në shërbim të së vërtetës dhe lirisë, siç e thoshte Albert Camus? 

Ag Apolloni : Angazhimin, të cilin e refuzoi letërsia moderniste e ktheu letërsia postmoderniste, e cila ishte për një angazhim kritik. Tash kur edhe postmodernizmit i erdhi fundi, mendoj se ka ndryshuar edhe funksioni i artit. Tashmë edhe statistikat e bazuara në anketimet e lexuesve nëpër botë po tregojnë që letërsia jofiksionale po dominon ndaj asaj fiksionale dhe se letërsia është vënë në shërbim të së vërtetës, në kërkim të së cilës janë vënë autori dhe lexuesi.  

Gojko Bozhoviq : Çështja e letërsisë së angazhuar do të jetë gjithmonë komplekse. Do të jetë komplekse në Ballkan, por do të jetë komplekse edhe në çdo pjesë tjetër të Evropës. Angazhimi është çështje e temperamentit, poetikës, kontekstit konkret historik, kulturor, shoqëror dhe politik, përzgjedhjes vetëndërgjegjëse të secilit shkrimtar. Ka shkrimtarë të jashtëzakonshëm që janë neveritur nga angazhimi, ka shkrimtarë të jashtëzakonshëm që nuk mund ta paramendojnë jetën ose letërsinë e tyre pa angazhim. Por asnjëri prej tyre nuk bëhet i jashtëzakonshëm vetëm se nga angazhimi. Edhe pse nuk e kam vlerësuar kurrë letërsinë me tezë, aq më pak letërsinë që pranon çfarëdo funksionalizimi ideologjik, për mua më e afërt është ideja e angazhimit nga ideja e eskapizmit. Nuk mund ta përfaqësojmë qëndrimin se shkrimtarët patjetër duhet të kenë qëndrime identike me tonat që angazhimi i tyre të jetë i pranueshëm. Korrektësia politike është e papranueshme në letërsi. Duhet ta njohim të drejtën e shkrimtarëve për ta përcaktuar rolin e tyre në shoqëri, për t’i zgjedhur temat e tyre dhe poetikën e tyre. Në të kundërtën, nuk ka diversitet, e as shoqëri si oratorium zërash, shpeshherë plotësisht të ndryshëm.

– Ndarja e sivjemë e çmimit Nobel të letërsisë për Peter Handken ka rindezur debatin e njohur, veçmas në Bosnje, Kosovë dhe Serbi, se a duhet apo jo ta ndajmë veprën letrare nga mendimet shoqërore dhe politike të autorit ? A ka shkrimtari « përgjegjësi morale » dhe a duhet një vepër artistike t’i përgjigjet një « imperativi estetik » sipas formulës sartriane?

Ag Apolloni :  Në fakt, kjo ndarje e jetës së autorit nga vepra e tij filloi në fillim të shekullit XX, me formalizmin rus dhe Kritikën e Re anglo-amerikane (Neë Criticism), pastaj avancoi me strukturalizmin frëng. Edhe pse i gjithë shekulli i njëzet duket sikur është marrë me këtë distinksion, shekulli i ri ka shprehur dyshimet lidhur me përpjekje të tilla. Reagimet që shpërthyen pasi iu dha çmimi Nobel shkrimtarit Peter Handke, tregojnë se nuk është mbyllur ende çështja e ndarjes së autorit nga vepra, të hapur në fillim të shekullit të kaluar. Pra, këtë nderim që iu bë shkrimtarit austriak, unë e shoh si testim të një teorie të ngritur njëqind vjet më parë.

Gojko Bozhoviq : Qëndrimi i Sartrit është një nga të shumtë dhe nuk mund të shndërrohet në formulë. Nëse qëndrimi i Sartrit do të shndërrohej në një formulë, atëherë as Sartri nuk do ta kalonte secilin test të sprovës. Secili njeri ka përgjegjësi morale. Historia e Evropës Lindore, ku janë zhvilluar në ndërkohë institucionet qytetare, solli deri te ajo që shkrimtarët për një kohë të gjatë të mbeten si baballarë të kombit, zëdhënës të kolektivit, zëdhënës të opinionit publik. Por në të njëjtën kohë, nga të njëjtët shkrimtarë me role kaq të rëndësishme është kërkuar të kishin një mendim të përshtatshëm politik dhe shoqëror. Nuk lexohet letërsia për shkak të profilit personal të një shkrimtari ose për shkak të pikëpamjeve të tij politike dhe ideologjike. Përderisa shijojmë shumë libra, njëkohësisht nuk dimë shumë, ndonjëherë pothuajse asgjë, për autorët e tyre. Sidoqoftë, disa shkrimtarë projektuan biografitë dhe pikëpamjet e tyre politike në ekranin më të madh të mundshëm. Kjo është zgjedhja e tyre, por letërsia e tyre nuk është më shumë ose më pak e vlefshme për këtë arsye. Kjo vlenë për të gjithë shkrimtarët dhe duhet të vlejë edhe në rastin Peter Handke. Nëse nuk e ndajmë letërsinë nga pikëpamjet publike të autorit, atëherë do ta rivendosnim përshtatshmërinë moralo-politike si në kohën e totalitarizmave të mëdha të shekullit XX.