Shkrimtari Arif Molliqi sjell për lexuesit “Kreshnikët” e Boksh Barutit

Nga Sabit Rrustemi

Shkrimtari dhe krijuesi Arif Molliqi, i cili prej tri dekadash e sa jeton e krijon në mërgatë (Gjermani ), pas një serë veprash në poezi, prozë dhe publicistikë, kësaj here lexuesit i befason me një vepër të re, ndryshe nga të tjerat.

Bëhet fjalë për përmbledhjen me poezi humoristike, satirike e parodi pikante, me titull, “KRESHNIKËT” E BOKSH BARUTIT, të cilat fshikullojnë përditshmërinë tonë që nga fundi i viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar e këndej, veçmas skenën tonë politike dhe atë, skenën gjithëshqiptare, të cilën, natyrisht për ta parë ashtu si duhet, e karikaturon tej mase përmes vargjeve, duke ia shpërfaqur në publik, përmes petkit poetik, të gjitha të palarat, gafet, naivitetet, sorollitjet, mendjemadhësit e kapërdisjet e shfrenuara brenda e jashtë trojeve tona.

Një pjesë e lexuesve si dhe njohësve të letërsisë, veçmas bashkohanikët e  Arif Molliqit, e dinë që Boksh Baruti është pseudonimi i hershëm i shkrimtarit, qysh nga vitet shtatëdhjeta kur kishte filluar të merrej me humor dhe ishte njëri nga bashkëpunëtortët e zellshëm të revistës për humor e satirë, THUMBI nga Prishtina.

Arif Molliqi, këtë mjeshtri të stërholluar të humorit e satirës si dhe këngëve parodike nga kjo fushë, e ka ushtruar edhe më vonë, në revista të kësaj natyre, në portale e rrjete sociale, duke dëshmuar një afinitet solid në shkrimin e kësaj poezie po dhe një guxim e shkathtësi në gjetjen dhe mbarështrimin e dukurive të ndryshme nga realiteti ynë i përditshëm që, dashur pa dashur, shndërrohet në “lëndë të parë”, për këtë krijues të palodhshëm.

Përndryshe, Arif Molliqi u lind më 11 janar 1953 në Llukë të Epërm të Deçanit. Studioi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Juridik, drejtimi për gazetari.

Shkrimet e para , të cilat ishin nga fusha e humorit, i botoi me pseudonime të ndryshme si: Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri etj. Më vonë, vazhdoi me poezi, prozë, skica, ese e tjera.

Bashkëpunoi më të gjitha gazetat dhe revistat e kohës në faqen e kulturës, e sidomos në satirë dhe humor.

Së fundmi është anëtar i redaksisë në revistën më prestigjioze “Akademia”, e cila botohet në Prishtinë.

Deri më tash ka botuar këto libra: 10 libra me poezi, 6 romane, 2 drama,  3 monografi si dhe  një libër me skica dhe ese.

Molliqi është prezantuar edhe në disa libra, studime dhe antologji të ndryshme, po është dhe fitues i disa çmimeve letrare në Kosovë e jashtë saj.

Libri i tij më i ri, “Kreshnikët” e Boksh Barutit, i botuar nga shtëpia botuese, “Beqir Musliu”, do të jetë pjesë e Panairit të Librit, në pjesën e parë të qershorit, në Prishtinë.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARIF MOLLIQI BOTON VEPËR TË RE POETIKE

Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, vepra më e re me poezi e autorit Arif Molliqi, me titull “Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku”. 

Sipas botuesit të veprës, Berat Armagedoni, Arifi vazhdon të shkruajë me varg të lirë për lirinë e Kosovës, për çmimin e lirisë, për njerëzit më të dashur që s’i ka më dhe vazhdon të ndiejë mall edhe për ata që i ka ende gjallë.

Veprën mund ta gjeni në librarinë Artini dhe Dukagjini në Prishtinë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult