Shkrimtari i njohur: Ç’punë kanë politikanët me panairin e librit?!

Shishe në det

Panairi i librit ishte tema e bisedës në studion e emisionit “Open” në News24. Shkrimtari dhe dramaturgu Stefan Çapaliku deklaroi se problemi krucial i çdo panairi është mungesa e shifrave. Sipas tij, Shqipëria nuk ka shifra për botimet dhe leximin. Ai theksoi se institucionet në vend që të dalin për të bërë poza, duhet të monitorojnë situatën, duhet të publikojnë shifra, siç publikon shifra çdo vend i qytetëruar.

Çapaliku u shpreh dhe kundër hapjes së panairit nga politikanët.

Çapaliku: Unë jam personi që kam kontribuuar në themelimin e panairit të parë shqiptar në 1998. Ne kemi bërë edicionin e parë të panairit së bashku me Virgjil Muçin, Aurel Plasarin dhe me disa persona të tjerë të rëndësishëm të asaj kohe të ministrisë së Kulturës dhe përtej. Prej atij momenti e kam ndjekur në mënyrë sistematike të 25 edicionet dhe jam përpjekur ta vëzhgoj nga të gjitha pikëpamjet.

Çfarë nuk më pëlqen mua, hapet panairi me disa figura politikanësh. A ka mundësi të kemi një panair njëherë pa ata njerëz. Të kemi një panair ku janë disa shkrimtarë, disa përkthyes. Po ç’punë ka Ministrja e Arsimit, e Kulturës, Kryetari i Bashkisë. Ça janë këta njerëz? Si s’munden këta njerëz të rrinë një ditë pa dalë në një kamerë.

Kjo është festa jonë, është festa e njerëzve të cilët heqin keq, janë skllevër. Të shkruash do të thotë të përjetosh skllavëri. Ti ke 5 ditë, janë 5 ditët e tua. Shkon atje dhe të dalin para prapë këta njerëz. Është një masakër totale që i ndodh edhe mendjes së shkrimtarit dhe artistit.

Vasili: E keni me organizatorët besoj?

Çapaliku: Nuk e di me kë e kam, e kam me…

Petro: Po të mos ishin Stefan do bëje namin pse nuk ishin. Pse nuk erdhi ministrja e Kulturës, pse nuk erdhi e arsimit.

Çapaliku: Ata funksionojnë me paret tona moj zonjë.

Petro: Ashtu do thuhej, pse nuk erdhën këtu. Ka ndodhur.

Çapaliku: Problemi krucial i çdo panairi është mungesa e shifrave. Ne nuk kemi shifra. Institucionet në vend që të dalin atje për të bërë poza, duhet me monitoru situatën, duhet me publiku shifra, siç publikon shifra çdo vend i qytetëruar. Sa botohet, kush lexon, sa lexon, çfarë lexon, si janë tirazhet. Ne flasim në tym.

Po marrim Italinë, klikon te faqja e shoqatës së botuesve italianë dhe dalin shifrat. Viti 2019 para COVID, 1809 shtëpi botuese, të cilat kanë botuar 75758 tituj, imagjinoni çfarë oferte. Po flas tituj. Me ekzemplarë matet numri i popullsisë. Me tirazhe të barabarta që i takojnë 2 libra për çdo 1 mijë banorë. Dalin 237 tituj në ditë në libraritë e Italisë.

Çfarë lexojnë? 46.5% e popullsisë lexojnë nga 1-4 libra në vit. 39.2 % lexon nga 3-1 libra në vit. 14.3% e popullsisë lexojnë më shumë se 12 tituj në vit. 77.2% lexojnë libër letër dhe 7.9% lexojnë libra dixhitalë. Ku janë shifrat këtu?

Duhet të kuptojmë realitetin, kush lexon në Shqipëri. Si mund të bëhet diskutim mbi librin jashtë shifrave. Po flasim të grumbullojmë, të monitorojmë sepse vetëm mbi monitorime ndërtohen politika. Nuk është e vërtetë që 20% e popullsisë lexon të paktën një libër. Duhet vërtetuar. Ky është testi që është bërë.

Është detyrë e Ministrisë së Kulturës, monitoron dhe ndërton politika.

Në gjithë botën ka dy politika të mbrojtjes së botimeve dhe të leximeve. Njëra që mbron autorin dhe tjetra që mbron lexuesin.

Austria jep 20 bursa në vit për 20 shkrimtarë për të shkruar 20 libra. Ka shkrimtarë që jetojnë me këto bursa. Vendet anglo-saksone stimulojnë leximin, nëpërmjet financimit të bibliotekave publike. Çdo vit Ministritë e Kulturës hapin fonde që bibliotekat t’i blejnë botuesve libra dhe duke blerë libra fiton autori dhe fiton lexuesi. Ka një qarkullim të jashtëzakonshëm të librit.

Panairi 4 ditë dhe iku. Çfarë ndodh me librin në 362 ditët në vijim.

Mali i Zi është me 600 mijë banorë, prodhon 1 mijë tituj në vit, ku është përfshirë dhe libri shkollor.

Petro: Duhet patjetër që t’i kemi këto sepse kjo lidhet me politikat e qeverisë. Ajo tregon njëherë që mund të kesh dhe shitje në të zezë, ndërsa kjo e ndalon./BW


Lexo edhe:

STEFAN ÇAPALIKU: SE SECILI DO KETË HANËN E VET…

ObserverKult