Shkrimtari kujton birin e ndjerë, aktorin Luran Ahmeti: Ti ishe ylli i dritës sonë!

xhabir ahmeti- luran...
Luran Ahmeti

Njëzet e një muaj pa djalin tonë të mirë, pa Luranin tonë
VAZHDOJMË TË JETOJMË ME BUKURINË ME TË CILËN PRANIA JOTE NA E STOLISTE JETËN

Nga Xhabir Ahmeti


Kaluan njëzet e një muaj pa Ty biri imi, Lurani im. Për njëzet e një muaj çdo ditë duket e lodhur, krejt ajo që kemi ngritur bashkë, themele e oxhak, tash duken si dritare e thyer. E në copëzat e qelqit lëvaren pikat e lotëve tona, ndërsa nga brendësi e shtëpisë dëgjohen pareshtur vajet e Nënës, si ato të Ajkunës. Vetëm ato janë si kristale dhembjeje varur në kujtime, gjërat tjera janë të mbështjella me shtresa mjegulle e ftohtësie. Ja, Pikëllimi është bërë shtegu dhe strofulli ynë i përhershëm.
Kështu ne nëpër dhembje e evokojmë buzëqeshjen Tënde, zërin Tënd të papërsëritshëm dhe e ndjejmë ngrohtësinë e përqafimit Tënd. Vazhdojmë të Të shohim si dilje me Arbën nga shtëpia duke nxitur te ne Krenarinë që Të kishim. Vazhdojmë të jetojmë me sukseset Tua, me planet Tua për të ardhmen e ndritshme të kësaj shtëpie tash të përvajshme, vazhdojmë të jetojmë me bukurinë me të cilën prania Jote na e stoliste jetën.

Ti, biri im, ishe shtylla e bashkimit shembullor të familjes. Ne të gjithë e ndjenim shijen e krenarisë pranë Teje. Sa të pathyeshëm kemi qenë, sa madhështore ishte figura Jote që ngrihej para syve të Arbës së vogël. Ne ecnim me hapa të sigurte kurse Lumturia e Arbës solemnisht përhapej kur ishe pranë saj. Buzëqeshja që ia falje shndërrohej në dritë që e ndriçonte shtegun e ëndrrës së saj.
Arba e ngrinte kokën e fëmijës së dashur dhe dëgjonte se si fjala Jote i hapte dyert e thellësive të së ardhmes për të. Vogëlushja jonë, Arbushi, pranë Teje e shihte paletën me shumë ngjyra të viteve që e prisnin.
Mbi të gjitha këto nga sytë e saj shkëlqente siguria, që vetëm Ti dije ta ofroje, sepse kur Ti e ofroje ajo ishte diçka që bëhet plotësisht, ishte amalgamë që e bënte tërësinë e pandashme të besës dhe premtimit.
Pranë Teje Arbushi ishte një vajzë që me një hap do të kapërcente humnerat që e presin njeriun gjatë rritës, pranë Teje Arbushin e prisnin ditë të bardha.
Edhe ne të tjerët pranë Teje u ngjanim luleve të pemëve në pranverë, plot gëzim, sepse qëndronim në kurorën e një trungu që me rrënjë të thella në tokën mëmë dhe me degë mbi re qëndronte vertikalisht para derës së madhe dhe e zbukuronte shtëpinë tonë arbërore.

Me ty ISHIM ne dhe, kuptohet edhe Arbushi… Po tash NUK JEMI… Tash ne jemi lulet që vyshken me shpejtësi në kurorën e këtij trungu të cilin e kanë rrëzuar stuhia e lemeria në çastin kur Ti u largove si një zog shtegtar që nuk kthehet më në vatrën e moçme.

Përmbi ne tash shkon duke u paluar pluhuri i përhimtësisë. Nuk je Ti më pranë nesh, nuk gjen vend as kuptimi për ne. Pakuptimësia i rëndon dhe i thyen degët e optimizmit që kishim, derisa ecim nëpër të tashmen me dhembjen e madhe. Në këto çaste në të dy anët e rrugës kah kalojmë shpaliri i kotësisë zgërdheshet me ne. Në këtë shteg të rëndë gjethet e kafta të drurëve të parkut bien të kalbura mbi ne si kurorëzim i kotësisë dhe ironisë së jetës. Kështu rrumbullakohet tmerri që përjetojmë.

E kemi vështirë, jo vështirë po e kemi të pamundshme ta shkundim barrën e madhe të pikëllimit nga vetja. Ajo na ra me befasi të pabesë mbi shpatulla në çastin kur të kalove në amshim duke lënë neve në Këngën e pafundme të Vajit, por njëherësh duke lënë pas vetes shenja të ndritshme të angazhimit Tënd artistik për të dëshmuar se i takon një populli me mundësi të pashtershme krijuese.

Na ra, po na ndjek dhe do të na shoqërojë si hije përgjithmonë kjo barrë. Por ne e kemi detyrë të ecim përpara vetëm për ta ndriçuar gjithë atë ëndërr që të mbeti pate, ne duhet ta rrëfejmë e ta shkruajmë dashurinë e pafund që ti ia fale popullit duke e vënë këtë dashuri në themelet altarit dhe duke e bërë një mburojë drite që i rri përballë kërcënimit të harresës kolektive, e cila ka gllabëruar aq momente që e kanë varfëruar shtegtimin tonë tragjik e njëherësh krenar nëpër histori.

Prandaj, krahas malit të dhembjes që e mbajmë mbi shpatulla duke kaluar shtegun e Sizifit, ne me këtë rrugë po e japim edhe kontributin tonë kundër harresës kolektive, kundër kësaj plage nga e cila vazhdojmë të lëngojmë. Nuk është lehtë të bëhet kjo pikturë, por atë që ke dashur Ti ne do ta bëjmë me nuancat më të rralla të ngjyrave që fshihen në rrezet e diellit. Dhe, njëherësh do ta shkruajmë amanetin Tënd për Arbën, të stolisur me lulet e rralla të atdheut.
Megjithëse lumturia jonë është rrokullisur prapa malit, dashuria për Ty nuk do t’i humbë kurrë dimensionet e paskajit. Sepse Ti ishe ylli i dritës sonë. Sepse Ti ishe babai i Arbës. Sepse Ti ishte vëllai i Lindës! Sepse Ti ishe sinonimi i Gëzimit të jetës për ne. Të duam shumë, biri im!

ObserverKult

Kliko edhe:

ALBINA GJERGJI: ANDRRAT E BABËS