reklamë

Shkrimtari shqiptar përballë politikave kulturore përçmuese

Ndue Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Sot, lexova në mediat suedeze, një tekst që fliste sesi norvegjezët e mundën Suedinë në letërsi. Autorja e tekstit,  Hanna Jedvik, këtë e lidhte me kushtet e punës që kishin shkrimtarët norvegjezë, në krahasim me ata suedezë, duke zbuluar kështu dallime që ndajnë dy vende – si një humnerë.

Në këtë tekst, autorja suedeze tregonte se para disa javëve u shpallën fituesit e Çmimeve të Këshillit Nordik – çmime shumë prestigjioze – dhe thoshte se shumë suedezëve u mbeti goja hapur, sepse, në të pesë kategoritë u shpallën fitues norvegjezë: në letërsinë artistike, letërsinë për fëmijë dhe të rinj, film dhe muzikë. Ishte kjo arsyeja që një drejtues i kulturës së gazetës Expressen, Victor Malm, e kishte cilësuar këtë si një ngjarje “poshtëruese.”

Autorja e tekstit, Hanna Jedvik, duke mos u pajtuar me Malmin, i shtjellon rrethanat që kanë çuar në këtë drejtim. Sipas saj, krijimi i artit me cilësi të lartë kërkon kohë. Ndonjëherë, shumë kohë. Shkrimi i një romani të mirëfilltë, eksperimentimi me forma të reja të shprehjes, deri në realizimin përfundimtar, kërkojnë si këmbëngulje, ashtu edhe kohë pune, thotë ajo. Për të shpjeguar këtë realitet ajo shtron një pyetje dhe pastaj disa të dhëna:

“Mos vallë pikërisht këtu gjendet çelësi i sukseseve kulturore norvegjeze? Të paktën ta shqyrtojmë këtë mundësi. Një bursë shtetërore norvegjeze për punë krijuese, e destinuar për artistët, në vitin 2026 arrin në 342 193 korona norvegjeze në vit (rreth 365 000 korona suedeze, konvertuar në euro përafërsisht 36 mijë euro në vit). Kjo vlen si për shkrimtarët dhe artistët pamorë, ashtu edhe për kompozitorët dhe artistët e arteve skenike.

Autorja, më tej, tregon se bursat mund të jepen deri në pesë vjet dhe paguhen çdo muaj, si të ardhura nga puna që i nënshtrohen tatimit. Ato llogariten edhe për përfitimin e kompensimit në rast sëmundjeje dhe rriten çdo vit. Kurse në Suedi, realiteti është krejt ndryshe. Fondi Suedez i Shkrimtarëve ndan bursa njëvjeçare pune, në vlerë prej 70 000 deri në 100 000 koronash. Bursat trevjeçare arrijnë në 176 000 korona në vit, ndërsa ato pesëvjeçare në 186 000 korona në vit.  

Këto krahasime, tregojnë vetëm një aspekt të organizmit të jetës letrare nëpër vende të ndryshme të Europës, ngaqë, dihet, kudo në Europë, tregu i librit është shumë më i pasur, ka çmime letrare me vlera të mëdha dhe ka përkrahje për këtë aktivet të bukur njerëzor nga shumë institucione, fondacione, etj.

Por, ta kontekstualizojmë këtë debat në realitetin shqiptar.

Pyetjes së, cili është statusi i shkrimtarit shqiptar, pakkush mund t’i jap një përgjigje pozitive. Sepse, me politikat kulturore, që zbatohen në shtetet shqiptare, janë krejtësisht përçmuese për shkrimtarin. Se nuk ka asnjë shkrimtar shqiptar, që ndihmohet në forma sic ndodh  në Europë.

Pse?

Politikat kulturore, nëse nuk e kanë qëllim të ndërgjegjshëm këtë përçmim, e kanë mendësi, ngaqë i frikësohen statusit të shkrimtarit, librit, dhe mundësive që krijon ai për njerëzit. Pra, një fakt është i pamohueshëm: kudo hapësirave shqiptare, ka një raport negativ të institucioneve kulturore në raport me punën e shkrimtarit. Ajo është një punë që as nuk çmohet e as nuk vlerësohet. Ajo që quhet ndihmë shtetërore për shkrimtarët në hapësirat shqiptare është njëlloj lëmoshe poshtëruese, që nuk i siguron krijuesit asnjë hapësirë a mundësi për punë, asnjë mundësi që të punojë me këmbëngulje e durim. Madje, edhe ato pak fonde që jepen, bëhen mbi parime të ngushta, më shumë partiake, pra, pa ndonjë standard të mirëmenduar kulturor.

Thjesht, shkrimtari shqiptar është krijuesi më i përçmuar në hapësirat kulturore shqiptare, ndonëse, përfitimet prej botës së lehtësisë, kultura shqiptare, i ka më të mëdhatë dhe më të dobishmet.

Letërsia shqipe dhe kombi shqiptar

 “Gjuha është më e vjetër se shteti,” – thoshte Nobelisti i letërsisë, Josip Brodsky në ligjëratën e Nobelit, për të vazhduar se “…prozodia i mbijeton gjithmonë historisë.”

Pakkush e ndien më shumë se ne këtë të vërtetë.

Sepse, përgjatë shekujve të gjatë sundimi e dhune, kur nuk kishim shtet e ishim buzë humnerës, kishim gjuhën, kur nuk kishim institucione, kishim pak libra. Dhe falë këtij aktivitet njerëzor, ndonëse i zhvilluar në kushte e rrethana tepër të rënda, u rajt ekzistenca jonë kombëtare dhe i krijuan dy shtet tona.

Pra, ishte gjuha, poezia e librat, që bën dritë në errësirën e madhe ku ishte katandisur kombi shqiptar.

Në zanafillën e saj, letërsia shqipe, ka një frazë goditëse, por njëkohësisht edhe magjepse: “n’së të dashunisë së popullit tonë.”

Letërsia shqipe, ka lindur, për dashuni ndaj popullit, që ishte plandosur në mjerim, i rënduar nga mjegulla e robërisë dhe padijes. Më saktësisht, letërsia shqipe ka lindur si dashuni ndaj dijes e gjuhës, siç shkruanin Buzuku e Bogdani, dy themeltarë të kulturës letrare shqipe, për të vazhduar deri në kohët e sotme.

Letërsia është krijim, është dashuri, pra është eros, prej së cilës krijohen botë, botë të gjuhës, limitet e së cilës, secila brezni i zgjeron duke shkruar për temat aktuale, duke evokuar kujtesën e duke regjistruar ato ndjesi e të vërteta që nuk i regjistron historia.

Lë të kthehemi edhe njëherë te burimi i parë për letërsinë shqipe; që ishte dashuria. Kjo dashuri, te autorët e parë, u shfaq si dashuri e kryqëzuar: horizontale e vertikale. Një dashuri që tokësoren e lidhte me qielloren. Kjo për arsye se krijuesit e parë shqiptarë, ishin njëherësh njerëz të besimit, priftërinj.

Pas kësaj periudhe të mesjetës shqiptare, shfaqet Rilindja Kombëtare. Shkrimtarët shqiptarë, kryesisht në diasporë, u bënë apostuj të ideve kulturore – njëkohësisht edhe të ideve politike – duke formësuar kështu edhe platformën për çlirim, liri e pavarësi. E gjithë Rilindja Kombëtare përshkohej nga një frymë e thellë emancipimi, përmes unitetit gjuhësor e idesë kulturore, që kishte mbjellë leteërsia. Ishte Naim Frashëri, që predikonte për dritën në atë errësirë, me vargjet goditëse:

“Në mes tuaj kam qëndruar/e jam duke përvëluar,/që t’u ap pakëzë dritë,/natënë t’ua bënj ditë.”

Ç’ishte kjo natë që poeti donte tua bënte dritë shqiptarëve?

Ishte nata e robërisë, e territ të robërisë, të cilën Naimi, ashtu sikurse edhe sivëllezërit shkrimtarë, donin ta bënin dritë.

Pra, letërsia shqipe, si aktiviteti më i hershëm i kulturës kombëtare dhe njëkohësisht kujtesës kulturore, ishte mburoja kryesore kundrejt robërisë, errësirës, shtypjes, por edhe nxitësja kryesore për liri, çlirim, emancipim. Dhe ajo që quhet “kujtesë kulturore” lë të themi një lloj institucioni ku jetësohet e kaluara dhe ruhet në forma e simbolika të cilat mund të bartën nga një brezë në në tjetrën, te ne, formën më përfaqësuese dhe më të gjallë e ka gjetur te letërsia.

Pra, nuk ka ndonjë aktivitet tjetër njerëzor që t’i ketë shërbyer më shumë historisë sonë kulturore sesa letërsia, që nga zanafilla e saj deri në kohët tona, me shkrimtarin më përfaqësues të letërsisë shqipe, Ismail Kadarenë.

Sikurse Rilindja Kombëtare, që ishte një lëvizje në thelb kulturore, me ideale kulturore, edhe lëvizja e Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, në fundshekullin e kaluar, në esencë ishte lëvizje kulturore, emancipuese, me prijës njeriun e librit, kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

Shkrimtari nobelist, Mario Vargas Llosa, thotë se “një shoqëri pa letërsi, ose një shoqëri në të cilën letërsia është lënë – si një ves i fshehur – në margjinat e jetës shoqërore dhe personale, dhe është transformuar në diçka si një kult sektar, është një shoqëri e dënuar të bëhet shpirtërisht barbare, dhe madje të rrezikojë lirinë e saj.”

Apo rrezikon shoqëria jonë të bëhet shpirtërisht barbare?

A po e rrezikon lirinë?

Mos vallë, ajo që thoshte Kadare, se shtypja e letërsisë dhe arteve në botën komuniste u ngrit në rangun e një shkence, po vazhdon tani të shfaqet me trajtë tjetër?

ObserverKult


Lexo edhe:

Kujtimet për Moikomin duken si ëndërr… fliste me pasion për leximin, por jo për dhimbjet