Shkrimtari si “armik” i Shtetit

shkrimtari lazer stani

Nga Lazër Stani

“Një shoqëri mund të duket e lumtur, sado që shumë nga anëtarët e saj vuajnë”, shkruan Moris Dryon në romanin e tij të njohur “Familjet e mëdha”.

Shkrimtari, prej natyrës së tij, nuk është kurrë në anën e njerëzve të lumtur, e njerëzve që gëzojnë pushtet, para, gra, pra të atyre njerëzve që rëndom konsiderohen të suksesshëm në këtë jetë.

Ai, i prirur nga një instinkt fatal, është më i ndjeshëm ndaj vuajtjes sesa lumturisë, shqisat e tij përbuzin të kënaqurit dhe receptojnë të vuajturit.

Jo rastësisht prej Homerit trashëgojmë këto dy vargje tronditëse:
“Zotat fatkeqësitë njerëzve ua çojnë,
që brezat e ardhshëm të kenë për çka të këndojnë”.

Shoqëria shqiptare, qoftë në kontekstin historik, qoftë në kontekstin e tanishëm, vuajtjen e bartë si dergjë, si mallkim. Libri i ri me tregime i Faruk Myrtajt, që lexuesi po e merr në duar, është një përmbledhje ku përfshihen tregime të konceptuara në kohë të ndryshme; në këtë libër ka tregime që vijnë si ripunim i tregimeve të shkruara para njëzet vjetësh, dhe i tregimeve të tjera, të shkruara në këtë fillimshekull, kur shkrimtari për shkak të rrethanave jetësore, është detyruar të emigrojë në Kanada.

Megjithatë libri ka një unitet të habitshëm, krijon jë realitet autentik e të papërsëritshëm, absurd dhe paradoksal aq sa duket produkt i imagjinatës impulsive të autorit në çaste metamorfike.

Megjithatë shkrimtari Faruk Myrtaj është një krijues realist, pavarësisht nëse historitë e tij të treguara në këtë libër janë krijime të imagjinatës, apo rrëfime artistike të historive të mbështetura në fakte reale.

Lexuesi, sado i vëmendshëm, e ka të vështirë të bëjë një ekzaminim të tillë në tregimet e tij, pasi, siç shprehet Garbriel Garcia Marquez, ai, nëpërmjet poetikës së rrëfimit, di t’i çlirojë tregimet e bazuar në fakte reale prej gjendjes së tyre vdekjeprurëse. Në prozën e tij shkrimtari Faruk Myrtaj nuk parapëlqen lojën.

Ai është i prirur të rrëfejë të vërtetën rrënqethëse për jetën njerëzore, duke e vështruar atë nga pozicione të ndryshme; herë me dhimbje e trishtim, e herë me ironi dhe cinizëm të pamëshirshëm.

Veçse, ndryshe nga shumë autorë të tjerë shqiptarë, prozatori Faruk Myrtaj, edhe kur bëhet cinik dhe ironik i pamëshirshëm, në asnjë rast nuk e humbet dimensionin human të prozës së tij, aq sa kur e kur ngjan me një klerik zemërdhembshur që kujdeset për grigjen e tij të marrosur.

Reflektimi i të shkuarës

Edhe ky libër me tregime i Faruk Myrtaj është i lidhur ngushtë me të shkuarën jo të largët të shqiptarëve, me atë të shkuar, që autori e ka përjetuar dramatikisht ashtu siç e ka përjetuar në tërësi shoqëria shqiptare degradimin e diktaturës në çmenduri dhe tranzicionin e krisur në kërkim të demokracisë së endërruar.

Nëse e shkuara, siç shprehet Folkneri, nuk tretet kurrë, madje ajo nuk është as e shkuar, por një e tashme e përhershme, për Faruk Myrtajn risjellja e kësaj të shkuare është një dëshmim i së tashmes, e cila ndjehet e penguar dhe e pafuqishme, pikërisht prej kësaj të shkuare.

Në tregime të tilla sugjestionuese si “Në Mungesë të mbretëreshës”, “Autobusi i datës 1”, “Shëtitje e detyruar” apo “Bermuda” Faruk Myrtaj tematizon ketë të shkuar dramatike, ku fatet dhe jetët njerëzore luhen nën hijen çnjerëzuese të diktaturës.

Në një shoqëri të lirisë së munguar, dinjiteti i njeriut është i nëpërkëmbur. Shëtitja e babait me djemtë e tij, është sfida për kleçkën që rëgjimi shtypës i kujton vazhdimisht, “një njollë në biografi” a kush e di çfarë tjetër, por që gjithnjë i shërben si argument regjimit për ta kërcënuar orë e çast.

Tregimi “Shëtijte e detyruar” i rishkruar edhe një herë pas dhjetë vjetësh, ka fituar tiparet e një proze moderne, një kompozim befasues, me shtresa dhe ndërshtesa, që vijnë nga rikthimi i vazhdueshëm i autorit në këtë histori, rikthim që duket se nuk do të ketë fund kurrë, pasi autori gjithmonë do të gjejë diçka të re, edhe pse ai vetë evoluon, edhe pse ai vetë është në gjendje të ndryshme në kohë të ndryshme.

Varianti i dhjetë vjetëve më parë, është më idealist, më heroik, më sfidues, varianti i dhjetë vjetëve më vonë, është jo vetëm më i evoluar dhe më i përsosur si teknikë narrative, por është edhe më realist, më i zhveshur nga besimet dhe idealizmat e një dhjetëvjeçari më parë.

“Nëna s’ka për ta pëlqyer”, shprehet autori për variantin e dytë. Ai e merr me mend vështrimin e saj kur ta lexojë këtë variant. “E si të bënim tjetër në atë kohë, or’ bir”, e qorton e ëma të birin.

Por autori shfajësohet: “Po atë kohë po, por tregimin unë po e shkruaj tani, si të mos shkruaj ndryshe”. Po autori i përshkruan me dhimbje ato shëtitje të detyruara të cilat janë një shtirje për të fshehur vuajtjen, për të fshehur dhembjen në sy të të tjerëve, atë dhembje që shkakton ai regjim i mbrapshtë shtypës.

Autori trishtohet dhe konkludon se nuk ia vlen kremtimi i një fitoreje që ka kushtuar aq shtrenjtë. Një paralelizëm i hidhur me atë çka arritën shqiptarët në fund të viteve nëntëdhjetë pas vuajtjes dhe dhembjes së gjatë nën diktaturë, një fitore që vinte atëherë kur ishin shterruar fuqitë për të gëzuar. Edhe në tregime të tjera e shkuara është prezente me të gjithë dramatikën dhe tragjizmin e saj.

Në tregimin “Në mungesë të mbretëreshës”, shkrimtari Kadri Luna, një ekponent i njohur i realizmit socialist, krijon një letërsi ku mungon femra, një letërsi ideologjike që të kujton lëvizjet anti-sex të përshkruara nga Oruell, në librin e tij të famshëm “84”.

Shkrimtarit kjo e metë e tij, i zbulohet dhe i shqiptohet troç nja një femër e bukur, e internuar në një provincë, për riedukim. Protesta e këtij shkrimtari të ideologjizuar përfundon në mënyre groteske.

Mungesën e femrës në shtratin e tij, e zgjidh jo me Sandrën e bukur, por me Lemen, gruan e shëmtuar që shërbente në pensionin ku banonte.

Edhe në tregimin “Bermuda”, në të cilin autori ka arritur të krijojë me mjeshtri atmosferën e secilit prej qyteteve provinciale në Shqipëri, protesta e femrës për t’u shfaqur si femër, ashtu siç e ka krijuar natyra dhe në atë destin që ka prej krijuesit, pavarësisht fundit tragjik, ka në vetvete një nënteks të fuqishëm denoncues për diktaturën që po e shpërfyturonte qenien njerëzore, duke e skematizuar atë sipas modeleve të njeriut të ri, i cili në vetvete ishte modeli i anti-njeriut.

Ky anti-njeri, i rritur masivisht në socializëm, rikthehet dramatik në ditët e sotme, herë si kriminel e trafikant, e herë si politikan demagog, duke penalizuar të sotmen dhe të nesërmen.

Sigurisht letërsia nuk shkruhet për të rregulluar botën dhe as për të bërë interpretimin e historisë apo sociopsikologjisë. Përkundrazi, siç shprehet Sabato, letërsia shkruhet për të interpretuar dhe shprehuar ato gjendje të ekzistencës njerëzore ku historia dhe filozofia janë të pafuqishme. Në këtë kontekst tregimet e Faruk Myrtajt, sa janë realistë dhe të prekshëm, aq janë edhe metafizikë dhe të painterpretueshem.
Gjithsesi leximi i tregimeve të Faruk Myrtajt e kthen lexuesin në një botë ku e miagjinuara dhe realja janë të pandashme, krijojnë së bashku një realitet transhendent, ku lexuesi e gjen vetën si brenda një salle gjigande, ku nga të gjitha anët luhen njëkohësisht histori të kohëve të ndryshme.

Drama e individit

Në të gjithë letërsinë e Faruk Murtaj shteti përceptohet si armik i individit, si një e keqe fatale. Nëse shteti është një e keqe e domosdoshme në shoqëri, eksperienca shqiptare me sa duket e ka provokuar autorin që të jetë një armik i papajtueshëm me shtetin.

Edhe pse askund shteti nuk shqafet si një i tërë në shumicën e tregimeve të tij shteti dhe qeveritë kanë një prezencë armiqësore, rrënuese dhe fatkeqësi sjellëse për individin.

Në letërsinë e tij shkrimtari Faruk Murtaj e shikon individin shqiptar në katër raporte kryesore: individi në raport me vetveten, individi në raport me të tjerët, individi në raport me shtetin dhe individi në raport me të huajt.

Duket se drama e individit të krijuar nga Faruk Murtaj është dramë që vjen nga deformimi i këtyre raporteve, nga mosekzistenca e harmonisë në këto raporte.

Arsyet këtu janë disa, por më thelbësori është tipi sociopsikologjik i krijuar në rrethana të caktuara historike, sistemi i dyshimtë i vlerave, i krijuar nëpërmjet imponimeve të vazhdueshme, në mungesë të lirisë, informacioni i vonuar, absurdi dhe marrëzia që nganjëherë përshkruhen si një fatalitet i racës.

Faruk Myrtaj është mjeshtër në përshkrimin e raportit të individit me shtetin. Ai e përshkrun këtë raport me një realizëm tronditës, pa kaluar as në historicizëm dhe as në kriticizëm.

Për fat të keq të shqiptarëve, shteti për ta ka qenë gjithnjë një armik, që është identifikuar ose me pushtuesin (të huajin) ose me uzurpatorin (të brendshmin).

Një shtet i tillë nuk mund të jetë tjetër veçse një shtet keqbërës, një shtet që nëpërkëmb fatet e individit dhe njëkohësisht që zgjon te individi ndnjenjën anti-shtet – anarkizmin. Edhe pse individët e Myrtajt nuk janë anarkistë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, ata janë individë armiqësorë më shtetin, ose individë të shkatërruar –hije që kanë humbur kuptimin e ekzistencës.

Edhe individi në raport me të tjerët, është një individ i ndrydhur, një individ jo i lirë, mobesues, hezitues. Pohimi i Sartrit “Ferrei janë të tjerët”, duket se gjen një vend të dukshëm në tregimet e Faruk Myrtajt, ndërkaq me të huajt, është krijuar një raport ekzotik, falë një virtuti të lashtë, mikpritjes, pavarësisht se kjo ndjenjë e shqiptarëve për të huajin përceptohet si relike ekzotike prej tyre, si çudi e ruajtur prej kohëve të vjetra.

Individi me vetveten në prozën e Myrtajt, nuk gjendet në një raport me pak dramatik, ngaqë ai gjithnjë e ndjen se nuk mund të jetë ai që don të jetë, ai nuk mund të mendojë atë që don të mendojë, ai nuk mund të bëjë atë që don të bëjë në një çast të dhënë.

Kjo në tërësinë e vet e bën individin në prozën e Myrtajt një idivid dramatik në ekzistencën e vet, që lëviz midis fuqisë dhe pafuqisë së tij, midis rebelimit dhe nënshtrimit, midis ikjes dhe kthimit të vazhdueshem.

Shqiptimi i të vërtetave tronditëse

Letërsia e mirë duhet të jetë e vertetë. “Në të gjithëë tregimet e mia unë përpiqem të jap ndjesinë e jetës së vërtetë – jo thjeshtë të përshkruaj jetën a ta kritikoj – por faktikisht ta bëj atë të gjallë. Kështu që ti, kur të lexosh diçka timen, ta përjetosh me të vërtetë atë që lexon”, ka shkruar Ernest Heminguej.

Në tregimet e Faruk Myrtajt, të shkruara lirshëm e me një gjuhë të shkathët, ndjehet prania e kësaj të vërtete, çka rrit fuqinë receptive të tyre dhe bën që ata të lexohen pa u ndjerë deri në frazën e tyre të fundit.

Vëzhgues i vëmendshëm i jetës njerëzore, Faruk Myrtaj nuk e ngarkon prozën e tij me teorizime psikoanalitike dhe as me filozofime mbi kuptimin e jetës dhe vdekjes, por, me sigurinë e një mjeshtri, rrëfen jetën e gjallë në shumanësinë e saj duke shqiptuar me të njëjtën ashpërsi si të shëmtuarën ashtu edhe të bukurën, si sublimen ashtu edhe trivialen, si djallin ashtu edhe engjëllin.

Nga ana tjetër përdorimi i teknikave të ndryshe narrative e ka pasuruar stilin e rrëfimit të këtij shkrimtari, duke e bërë atë një nga mjeshtrat më të konsiliduar të tregimit të sotëm shqiptar.

Në tregimet e Myrtaj nuk ka as teprime gjuhësore dhe as rendje pas modave të ditës, po një ecje në truall të sigurtë, që është shqiptimi arstistik i zërit në vetvete, një zë i veçantë dhe kur e kur tronditës.

Ky libër i ri me tregime, që është në vetvete rezultat i një procesi krijues më se njëzetvjeçar, padyshim që e rendit atë midis autorëve më të mirë të prozës së shkurtër shqipe.

*Shkruar si parathënie për librin me tregime “Hijet e Virgjëreshave” të shkrimtarit Faruk Myrtaj

ObserverKult


Lexo edhe:

pablo neruda

PABLO NERUDA: KËTO JANË GJËRAT QË MË LE…

Poezi nga Pablo Neruda

Lexo, këta janë emrat e gjërave
që më le – mua, librat , parfumin tënd
përhapur në dhomë, një ëndërr të përgjysmuar
dhe dyfish dhimbje,
puthje për gjithë trupin si therje të thella
që s’kanë për t’u mbyllur kurrë;
dhe libra, nostalgji,
çelësin e një shtëpie që s’ka qenë kurrë jona,
një rrobdëshambër prej fanellate të kaltër
që e vesh, kur bëj këtë listë emrash:
libra, qeshje që s’arrij t’i vë në rregull,
dhe zëmëratë – një vazo orkidesh
që aq tepër i doje, pa e ditur unë pse
që mbase për këtë nuk u ktheva që t’i ujisja,
dhe librat, krevatin e parregulluar prej ditësh ,
një letër mbi jastëkun tënd
dhe shumë vuajtje, mjaft vetmi,
dhe në sirtar dy bileta për një film me dashuri
që s’e pe me mua, e libra të tjerë,
dhe një këmishë të zbardhur me të cilën fle natën,
për të ndenjur më pranë teje,
dhe, nga të gjitha anët, libra, shumë libra,
shumë fjalë që s’m’i the kurrë
para se të shkruaje letrën atë mëngjes,

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


T.S.ELIOT: E MËRKURA E PËRHIME

Sepse shpresë s’majë m’u kthy apet
Sepse shpresë s’majë
Sepse shpresë s’majë m’u kthy
Dhuntitë e kti dhe qëllimet e ati m’i pasë kâjë
Un ma s’msyjë me msy, gjanav t’tilla i graht
(Pse shqiponjës t’plaktë i duhet me’j hapë kraht?)
Pse un duhët me vajtu
Fuqinë e zhdukt t’sundimit t’rëndomtë?

Sepse shpresë s’majë me njoftë
Madhninë e brishtë t’nji ore t’padyshimt
Sepse un s’menoj
Sepse un e di qi un s’duhët me ditë
T’vetmën fuqi t’s’vërtetës t’përkoht’
Sepse unë s’muj me pi
Atje, ku behari, dhe pranvera rrjedhë, sepse atje nuk ka
asgja apet

Sepse un e di qi koha është gjithher’ kohë
Dhe vendi është përher’ dhe veç ven
Dhe çka osht e tashme osht e tashme veç për nji kohë
Dhe veç për ni ven
Un gzohna qi senet jon qysh jon dhe
Un-i em  ftyrës t’bekume moh i bjen
Dhe moh i bjen zanit
Sepse shpresë s’majë m’u kthy apet
Prandaj gzohna, tuj pasë diçka me maru najsen
me t’cilën m’u gzu.

Dhe i lutna Zotit mbi ne me lshu mshirën e vet
Dhe lutna qi un t’muj me’j harru
Kto sene qi me veten aq shumë i boj muhabet
Kaq shum shpjegim
Sepse shpresë s’majë m’u kthy apet
Le t’dhojnë xhevap kto fjalë
Për atë qi osht bo, mos m’u bo mo
Ishalla gjykimi për neve s’do t’jet aq i ranë

Lutu për ne mkatarët tash dhe n’orën e dekës tonë
Lutu për ne tash dhe n’orën e dekës tonë.

II

Zojë, tre leoparda t’bardhë u ulën nër ni dru t’dullisë
N’freskun e ditës, tuj u rrasë dej n’fun t’tërrpisë
me kamtë e mia zemrën tem mëlçinë tem dhe me at qi ish
kon përmbajtë rreth’i thatë i kafkës tem. Dhe Zoti tha
A duhët kto eshna me rrnu? A duhët kto
Eshna me rrnu? Dhe ajo me t’cilën ishin përmbajtë
Eshnat e mia (që tashmë ishte e thame) tha kujisshëm:
Për shkak t’mirsisë t’ksaj Zoje
Dhe për shkak të dashnisë t’saj, dhe për shkak
Se ajo neron Virgjinën nër t’menduem,
Ne shndrrijmë me shkëlqim. Dhe unë qi jom ktu shtihavshëm
tu ja ofru veprat e mia harresës, dhe dashninë tem
Për breznitë e shkretinës dhe frytit t’pocërrkës.
Osht kjo qi i shnoshë
Lukthdhimtë e mija telat e syve t’mi dhe racionet e patretshme
Qi Leopardët refuzojnë. Zoja është tërhjekë
në ni fustanellë t’bardhë, n’soditje, në ni fustanellë t’bardhë.
Leje bardhninë e eshnav me’j la fajet ndaj harrimit.
Nuk ka jetë ën to. Sikur që jam i harrumë
dhe do të mun’ t’harrohem, ksisoj do t’mun t’harroj
ksisoj devotshëm, i përqëndrumë n’qëllim. Dhe Zoti i dha
Profeci erës, erës vetëm erës sepse vetëm
Era do të ngonte. Dhe eshnat knunë kujisshëm
Me barrën e nji karcylli, tuj thanë

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult