Pablo Neruda: Këto janë gjërat që më le…

Poezi nga Pablo Neruda

Lexo, këta janë emrat e gjërave
që më le – mua, librat , parfumin tënd
përhapur në dhomë, një ëndërr të përgjysmuar
dhe dyfish dhimbje,
puthje për gjithë trupin si therje të thella
që s’kanë për t’u mbyllur kurrë;
dhe libra, nostalgji,
çelësin e një shtëpie që s’ka qenë kurrë jona,
një rrobdëshambër prej fanellate të kaltër
që e vesh, kur bëj këtë listë emrash:
libra, qeshje që s’arrij t’i vë në rregull,
dhe zëmëratë – një vazo orkidesh
që aq tepër i doje, pa e ditur unë pse
që mbase për këtë nuk u ktheva që t’i ujisja,
dhe librat, krevatin e parregulluar prej ditësh ,
një letër mbi jastëkun tënd
dhe shumë vuajtje, mjaft vetmi,
dhe në sirtar dy bileta për një film me dashuri
që s’e pe me mua, e libra të tjerë,
dhe një këmishë të zbardhur me të cilën fle natën,
për të ndenjur më pranë teje,
dhe, nga të gjitha anët, libra, shumë libra,
shumë fjalë që s’m’i the kurrë
para se të shkruaje letrën atë mëngjes,
dhe unë, unë që ende besoj që ti do të kthehesh,
të kthehesh, qoftë edhe vetëm për librat e tu.

Në shqip: Faslli Haliti

ObserverKult


Lexo edhe:

YEVGENY YEVTUSHENKO: DIKUR KAM QENË I SJELLSHËM… NUK ZGJATI SHUMË

Thënie të zgjedhura nga Yevgeny Yevtushenko:

– Jeta është një ylber që përfshin edhe të zezën.

– Ku nuk është më mirë, do të jetë më keq, por nga e keqja në të mirë nuk është përsëri larg.

– Kur e vërteta zëvendësohet nga heshtja, atëherë heshtja është gënjeshtër.

– Autobiografia e një poeti është poezia e tij. Çdo gjë tjetër është vetëm një fusnotë.

– Bëhu i barabartë me talentin tënd, jo me moshën. Le të jetë i turpshëm ndonjëherë hendeku mes tyre.

– Në çdo njeri që vdes, me të vdes, bora e tij e parë dhe puthja dhe lufta. Nuk vdesin njerëzit, por vdes bota në ta.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult