“O moj çmendje e bekuar…”, interpretuar nga poeti i ndjerë, Petrit Ruka

Petrit Ruka: Shkrinte bora me rënkime

O moj çmendje e bekuar, thikë e ëmbël, pa harrim,
Nëpër borën dy pëllëmbë…në një natë të Jugut tim,
Qysh i mbushe trupat tanë plot e plot me ura zjarri
Dhe na shtrive lakuriq mbi çarçafët prej acari.

Si skulptore turpëruar bora merrte masën tënde,
Shkrinte nëpër kofshë e ije, nëpër vithet gjysma hëne,
Po për ne ajo s’qe borë, qe sheqer që hidhte Zoti,
Të qet’sonte përrenj gjaku, të tërbuar atij moti.

Shkriu bora me rënkime gjersa doli toka poshtë ,
Përmbi kryq të trupit tënd unë Krishti pa një gozhdë,
Krisht i moshës njëzet vjeç, me një Bibël kuturu,
Ngjisja malet e Sinait, – ata ishin gjinjtë e tu.

O moj çmendje e bekuar, bëhu prapë e gjallë për mua,
Po bje borë prej njëzet vjetësh, më ka hyrë gjer në thua,
Më kanë mbetur ca kongjij nëpër prush të burrërisë,
Një përrua gjaku qan tek një breg i dashurisë…

ObserverKult


Lexo edhe:

SINDROMI I ANA KARENINËS, DASHURIA QË E DËMTON VETEN