Shkupi përmes ITSHKSH-së rikthen lavdinë e Pjetër Bogdanit dhe Ibrahim Rugovës

Me vendosjen e luleve para shtatores së Pjetër Bogdanit,të enjten (5 dhjetor)  në Shkup, ITSHKSH në bashkëpunim me Redaksinë e Botimeve “Drita” nga Prishtina filloi simbolikisht manifestimin tradicional kulturor-shkencor, i treti me radhë,   “Ditët e Bogdanit”, i cili vazhdoi pastaj me tryezën shkencore, me studiues pjesëmarrës nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi. I pranishëm në këtë ceronomi, ishte edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Florian Qehaja.

Tryeza shkencore që u mbajt në ITSHKSH pati temë qendrore “Personaliteti i Ibrahim Rugovës nga studiuesi i letërsisë tek burrështetasi vizionar”, kurse drejtori i ITSHKSH-së, Prof. dr. Skender Asani, në fjalën e tij përshendetëse potencoi rolin e Rugovës në procesin e shtendërtimit të Kosovës, duke udhëhequr një politikë të matur e vizionare, duke qenë gjithmonë i koordoniar me aleatin kryesor të shqiptarëve, SHBA-të. Ai me këtë rast veçoi edhe një detaj që ndërlidhet me ndërtesën ku sot ndodhet ITSHKSH, e cila dikur ishte Ambasada amerkikane, ku, siç tha drejtori Asani, Rugova dhe elita kosovare vinin në kosultime parapraprake para vendimeve vendimtare.

Në hapje të debatit shkencor mbi Rugovën, dje i pranishëm ishte edhe zv. ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Lulzim Aliu, i cili pasi inkurajoi punën që po bën ITSHKSH në ndriçimin e shumë figurave e proceseve, foli edhe për personalitetin e Ibrahim Rugovës, duke veçuar disa atribute që ai i posedonte, si në planin krijues-intelektual, ashtu edhe në atë politik e kombëtar.

Në emër të misionit diplomatik të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, me një fjalë përshëndetëse u paraqit edhe Agim Krasniqi, konsull i Republikës së Kosovës në Strugë, i cili pati një qasje retroskeptive mbi aktivitete e Rugovës në fillim të viteve nëntëdhejtë dhe roli i tij i heshtur në përgatitjen e rezistencës së armatosur në Kosovë që pasoi në fund të viteve nëntëdhjetë.

Si mik i ngushtë i Presidentit Rugova dhe si përfaqësues i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, foli për disa aspekte të portretit krijues, intelektual e politik të Rugovës, duke veçuar me këtë rast maturinë dhe largapmësinë e tij si dy komponente që e karakterizonin personalitetin tij.

Me një temë specifike e titulluar “Rreth një vështrimi analitik e tipologjik të veprës së Pjetër Bogdanit në gjurmimet e Ibrahim Rugovës”, kishte ardhur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Shqipërisë, prof.dr. Evalda PACI, e cila përmes një qasjeje analitike shtjelloi metodologjinë dhe përkushtimin e Rugovës ndaj autorëve të vjetër shqiptarë, duke u thelluar më tepër tek kompleksiteti i veprës së Pjetër Bogdanit, si një paradigmë e studimeve të tij bogdaniane.   

Njëri prej bashkëpunëtorëve dhe miqëve më të afërt të Presidetit Rugova ishte edhe prof. dr. Milazim Krasniqi, i cili në tryezën shkencore u paraqit me kumtesën me titull: “Konfliktet ndërmjet shkrimtarëve stimuluan zhbërjen e RFSJ-së  (Cili ishte ndikimi i Ibrahim Rugovës dhe SHSHK në ato zhvillime?)”, me ç’rast ndër të tjera nënvizoi se barraka ku e filloi punën Ibrahim Rugova si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (dhe unë si sekretar i saj) ishte jo vetëm e papërshtatshme për punë normale, po ishte edhe e ekspozuar ndaj survejimeve e provokimeve. Kushdo që e dinte këtë fillim të çuditshëm të karrierës publike e politike të Ibrahim Rugovës më 16 shkurt të vitit 1988, kishte të drejtë të çuditej kur do ta shihte Rugovën në vitin 1998 si mysafir në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Ama, për të mbërritur nga ajo barrakë e mjerë në Shtëpinë e Bardhë dhe në nivelet e larta të politikës si president i Kosovës, Ibrahim Rugova kaloi nëpër një rrugë të vështirë në vitet 1988-1999”, u shpreh Krasniqi.

Ndërkaq Zef (Ahmeti) NOKA, duke folur (përmes një videoparaqitjeje nga Zvicra) për personalitetin e Rugovës, e shikoi këtë nën prizmin e temës që kishte zgjedhur për ta trajtuar: “Roli i Rugovës në procesin e kthesave historike”, duke veçuar me këtë rast dy aspekte të qasjes: Strategjia e veprimit dhe Lidershipi i Rugovës. Duke folur për mendimit politik të Rugovës, Zef Ahmeti veçoi katër rrathë të cilët i mirrte parasysh Rugova: Rrethi i parë, që përfshinë jetën politike te shqiptarët. – Diskursi politik brenda shqiptar,  rrethi i dytë, përfshin ngjarjet përbrenda procesit të shkatërrimit të Jugosllavisë – por edhe ato që lidheshin me rajonin, Ballkanin – pra diskursi politik rajonal e ballkanik, rrethi i tretë përbëhet nga njohjet, marrja parasysh e ngjarjeve dhe ecurive politike të kohës në Evropë – diskursit politik evropian dhe rrethi i katërt, do përfshijë raportet e fuqive në rrafshin evropian e botërorë, përkatësisht diskursin politik global.

Jusuf Buxhovi, ndonëse nuk ishte i pranishëm fizikisht në këtë tryezë shkencore, ai e kishte dërguar kumtesën e tij me titull:“Ibrahim Rugova midis realitetit dhe ikonës”, në të cilën, në mes tjerash, shprehet se “Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm. I tillë shfaqet edhe dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vitin 1992. President i Kosovës do të zgjidhet edhe në vitin 1989. Edhe në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar, në vitin 2001 dhe 2004 Rugova do të zgjidhet president i Kosovës. Nuk do të arrijë 17 shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë të drejtën që e ka fituar të zë vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj”, nënvizon Buxhovi.

Shkrimtari Sabit Rrustemi në kumtesën e tij me titull: “Momente të ndryshme në kohë të ndryshme me Rugovën”, veçoi një detaj nga fëmijëria e hershme e tij. “Para se të njihem me Ibrahim Rugovën, jam njohur me veprën e tij, qysh si nxënës i klasës së tetë, në vitin shkollor 1973. Ishte vepra e parë e tij, “PREKJE LIRIKE”, të cilën e mora për lexim në bibliotekën e fshatit Zhegër, që atëherë  e frekuentoja gati në çdo tri-katër ditë”, tha Rrustemi..

Ndërkaq poeti Ndue UKAJ foli për “Mësimet e Rugovës”, duke theksuar me këtë rast se  Rugova ishte një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale, me vepra përfaqësuese e identifikuese, dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale.

Studiuesi i letërsisë dhe përfaqësuesi i Kosovës në Selinë e Shenjtë, Vatikan, Vehbi Miftari, në kumtesën e tij foli për “Tri liritë e Ibrahim Rugovës”, duke analizuar me këtë rast kompleksitetin e figurës së Rugovës brenda formatit të studiuesit, inelektualit dhe politikanit.

“Si e njoha Ibrahim Rugovën?”, ishte kumtesa e fundit e Emin Azemit ku në mënyrë kronologjike u rrëfyen njohjet personale dhe të drejtpërdrejta të tij me Rugovën para se të përfshihej në polikikë, konkretisht në harkun kohor të viteve 1983-87, vite këto të cilat kishin qenë mjaft produktive për atmosferën kulturore e letrare të Kosovës, ku roli i Rugovës kishte qenë i pashmangshëm.

Pas përfundimit të punimeve të tryezës shkencore, u promovua edhe nr. 39 i revistës së specializuar SCUPI, e cila këtë numër ia kushton Imzot Lazër Mjeda dhe Shkupi i kohës së tij, një përmbledhje punimesh shkencore nga tryeza e vitti të kaluar ku tzemë qendrore ishte veprimtaria atdhetare e fetare e Imzot Lazër Mjedës. Për këtë numër të “Scupit” foli Don Fatmir Koliqi, në cilësinë e bashkërendeuesit  dhe anëtarit të redaksisë së kësaj reviste si dhe Emin Azemi kryeredaktor i këtij edicioni të revistës “Scupi”.

“Ditët e Bogdanit” vazhdoi dje në Katedralen “Nëna Tereze” në Prishtinë, me një program artistik tematik kushtuar personalitetit të Presidentit Rugova.

ObserverKult


Lexo edhe:

“IBRAHIM RUGOVA”, POEZI NGA SABRI HAMITI