Shpallet fituesi për projektin ideor të sallës koncertale “Gërmia”

Është shpallur fituesi për projektin ideor të sallës koncertale “Gërmia”. Kështu ka bërë të ditur drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.

“Komuna e Prishtinës – juria profesionale për konkurs projektimi, adaptimi i kompleksit ishte Gërmia për sallë koncertale, vlerësoi projektet si më poshtë:

Çmimin i I-rë shkon për projektin me titull “One Roof – Germia for Concert Hall” i autorit japonez të njohur botërisht, Kengo Kuma i cili bashkëpunoi me disa studio arkitekturore për të ardh deri te ky projekt i mrekullueshëm;

Çmimi i II-të shkon për Shkelqim Osmani, Vizion Projekt, MA Studio dhe partnerët, si dhe;

Çmimi i III-të për projektin e Prof. Arber Sadiki, i cili bashkëpunoi me G+A Architects”, ka njoftuar Berisha.

Berisha ka thënë se ky është hap i radhës që është ndërmarrë nga Komuna e Prishtinës për jetësimin e sallën koncertale, teksa ka theksuar se në bashkëpunim ndër-institucional do të vazhdojnë angazhimin për hapat e ardhshëm deri në finalizimin e projektit të Sallës Koncertale Gërmia.

“Ky projekt është i domosdoshëm për qytetarët e artistët e qytetit tonë. Ju faleminderit të gjithëve për bashkëpunimin, veçanërisht studiove arkitekturore për punën shkëlqyeshme në propozimet e dorëzuara”, ka shkruar Berisha në Facebook.

LEXO EDHE: Komuna i rikthehet ish-objektit të “Gërmisë” për ta bërë sallë koncertale