
Gjuhë dhe antigjuhë
Nga Qemal Murati
Gjuha nuk është vetëm mjeti themelor i komunikimit, por është edhe qytetërim e kulturë. Kur e përdor bukur, rrjedhshëm, estetikisht, gjuha të jep kulturë; ndërsa kur e përdor shëmtueshëm, me shkelje të normave të saj, kur nuk kujdesesh për të, kur gjuha sundohet nga një indiferencë e rëndë, kjo quhet çkulturë. Nuk e ka thënë kot semiologu italian Umberto Eco se: “Njeriu nuk “e flet gjuhën”, por gjuha “e flet” njeriun.” E, rrjedhimisht, nuk e flasin ne shqipen, por shqipja na flet ne. Pra, çfarë gjuhe flasim, të tillë edhe jemi.
Gjuha shqipe është lëvruar shumë dhe në këta dhjetëvjeçarët e fundit është pasuruar shumë, por dhe është klishetizuar shumë (khs. përdorimet e tilla që përdoren në çdo fjali: në fakt, fillimisht, i radhës, shohim bashkë, etj.). Krahas drejtpërdorimit të saj, ka dhe tendenca (mëtime) retrograde për rikthim në gjendjen parastandarde, as standard e as dialekt, dhe për krijimin e një antigjuhe.
Antigjuha – është ligjërim i shkruar a i folur i mbushur me gabime drejtshkrimore e gramatikore, me fjalë e shprehje shabllone, me letrarizma të tepruar, me fraza e fjali të përkthyera drejtpërdrejt nga gjuhët e tjera nën ndikimin e tyre që tingëllojnë të panatyrshme, të çuditshme, absurde e të pakuptueshme.
Ajo që nuk shkon e ta vret veshin, është një shprehje e tillë: Kënaqësia është e imja, që ka filluar të përdoret shpesh. Kemi të bëjmë me një formulë stereotipe, të kalkuar (kopjuar) prej it. il pacere é mio, fr. c’est mon plaisir), e cila duhet shmangur. Në vend të saj, një Falemnderit, e shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë dhe përshëndetje me kokë, do të ishte përgjigjja më e përshtatshme. Thjeshtësia dhe përkorja janë cilësitë që duhet të karakterizojnë formulat e prezantimit (Kristina Jorgaqi).
Në sintaksë: Siç ju jeni në dijeni (në ligjërimin e deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë, sipas modelit të ang. As you are aware) = Për: Siç jeni ju në dijeni.
Siç edhe ju e thatë (në vend të siç e thatë edhe ju).
Siç edhe Top Channel e lajmëroi një javë më parë… = Siç e lajmëroi edhe Top Channel një javë më parë…
Në vendin tonë do të ketë prezencë të shiut… = Përse jo: në vendin tonë do të ketë shi.
Dielli do të jetë prezent në orët e para të mëngjesit (Top News) = Për: në orët e para të mëngjesit do të ketë diell.
Në fushën e theksit: Të nderuar deputet. Të nderuar kolegë deputet. Kanë votuar 61 deputet (deputetët në Parlamentin e Kosovës nuk e dallojnë në shqiptim njëjësin dhe shumësin e emrit deputet – deputetë, por shqiptojnë: 1 deputet – 61 deputet).
Në fushën e semantikës: Për ta ndaluar tregtinë joformale dhe të paligjshme (KTV) = Për ta ndaluar tregtinë joformale (ose të paligjshme), sepse tregti joformale dhe e paligjshme janë e njëjta gjë.
Me shkeljen e normave të gjuhës në fushën e leksikut, gramatikës, sintaksës, frazeologjisë, ortoepisë (drejtshqiptimit), ortografisë (drejtshkrimit), mund të hartohen disa fjalorë të gabimeve gjuhësore.
Gabimet që cenojnë frymën e gjuhës shqipe janë edhe gabime që cenojnë frymën kombëtare shqiptare.
Për këtë lloj shqipeje të mbytur në shkarje gramatikore të gjithëfarllojshme, në përkthime të çoroditura me struktura të huaja sintaksore e frazeologjike, në artificializma e shabllone, do të përsërisim atë thënien e klasikut të mendimit shqiptar Mid`hat Frashëri që qortonte në kohë të tij shqiptarët që flisnin një shqipe lesheli të përmbytur nga turqizmat: Shqip kuvendojmë apo çorbë trazojmë?
ObserverKult

———————————-
Lexo edhe:
Qemal Murati: SHPREHJE TË BUKURA POPULLORE URIMTARIE SHQIPE QË MUND DHE DUHET TË RIAKTIVIZOHEN NË LIGJËRIMIN E PËRDITSHËM