Shqipëri-Maqedoni e Veriut, plan të përbashkët për ruajtjen e trashëgimisë natyrore e kulturore të Ohrit

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti dhe homologia e saj e Maqedonisë së Veriut, Irena Stefoska nënshkruan në Ohër deklaratën e përbashkët për ruajtjen e trashëgimisë së pasur natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit.

Pas nënshkrimit të deklaratës ku i pranishëm ishte edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ministrja Margariti tha se “plot dy vjet pas vendimit për përfshirjen e pjesës shqiptare të Rajonit të Ohrit në listën e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s zhvilluam takimin ndërministror të radhës, për të diskutuar rreth arritjeve të deritanishme, problematikave dhe planin e veprimit për të shkuar përpara në përmbushjen e rekomandimeve të dhëna nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe Misioni Reaktiv 2020”.

Margariti tha se “në këto dy vite, pavarësisht problemeve të mëdha me të cilët është përballur Shqipëria, që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 te pandemia Covid-19, kemi hedhur hapa të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë së pasur natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit”.

Pas këtij takimi, shtoi Margariti, të dyja vendet ramë dakord dhe jemi tërësisht të angazhuar dhe të përgjegjshëm të zbatojmë një plan strategjik të përbashkët, për rimëkëmbjen e këtij rajoni, shoqëruar nga një plan veprimi të detajuar mbi masat që do të ndërmarrim për të parandaluar çdo lloj rreziku, që mund t’i kanoset pasurisë së këtij rajoni, që tashmë nuk është vetëm e jona.

Ministrja e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, Stefoska tha se “kjo deklaratë bën fjalë për një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve në drejtim të menaxhimit të përbashkët me trashëgiminë e ndarë kulturore-historike dhe natyrore të rajonit të Ohrit, për ndërmarrje të hapave konkretë për mbrojtjen e tij”.

“Përmes kësaj deklarate të përbashkët do të punojmë që të kontribuojmë për zgjidhjen e problemeve”, tha ministrja Stefoska.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Ohër, Klosi dhe Margariti diskutuan me homologët maqedonas mbi projektvendimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s mbi “Trashëgiminë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit”.

Në takimet e tyre ministrat Klosi dhe Margariti përcaktuan përparësitë dhe hapat e ardhshëm për veprim të përbashkët mes dy vendeve.

Gjithashtu u nënshkrua një deklaratë e përbashkët me homologun maqedonas, si presidentë të Komisioneve Kombëtare për UNESCO-n, për të mbrojtur statusin e Trashëgimisë Botërore të Rajonit të Ohrit./ATSH

LEXO EDHE: Ohri, liqeni i legjendave dhe qyteti nën ujë