“Shqipëria dhe Korona: Edhe rrëfimi yt është pjesë e historisë”, Margariti fton për pjesëmarrje

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” ka çelur thirrjen “Shqipëria dhe Korona: Edhe rrëfimi yt është pjesë e historisë”, ku fton këdo të tregojë përmes fotove dhe rrëfimeve përjetimet gjatë pandemisë COVID-19.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti fton të gjithë shqiptarët të marrin pjesë me historitë e tyre në këtë thirrje. “Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” shpall thirrjen e hapur: “Shqipëria dhe Korona: Edhe rrëfimi yt është pjesë e historisë”, duke na ftuar të bëhemi pjesë e Projektit Historik të Koleksionit të Koronavirusit, me rrëfime dhe foto, që tregojnë mbi përditshmërinë private apo profesionale, në kushtet e reja. Dërgoni rrëfimet dhe fotot tuaja në adresën email: [email protected]”, shprehet Margariti.

Shpërthimi i koronavirusit dhe masat e marra për të ndaluar përhapjen e tij kanë ndryshuar rrënjësisht jetën në Shqipëri. Si do ta kujtojmë këtë kohë në vitet, dekadat apo shekujt që do të pasojnë?

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” përmes një njoftimi, fton të bëheni pjesë e Projektit Historik të Koleksionit të Koronavirusit duke dërguar rrëfimet tuaja dhe fotot e objekteve që tregojnë mbi përditshmërinë tuaj private apo profesionale në kushtet e reja.

“Me anë të kësaj nisme do të mund të përfshijmë disa objekte të përzgjedhura në koleksionin e ekspozitës që do të krijojmë. Këto objekte do të ilustrojnë për brezat që do të vijnë, kohën të cilën po jetojmë. Na ndihmoni të mbledhim historinë e Shqipërisë tani dhe këtu! Bëhuni kronist e historian i fushës edhe ju nga shtëpia juaj. Dërgoni rrëfimet dhe fotot tuaja në adresën e email-it: [email protected], duke i shoqëruar ato me përshkrime të shkurtra përmbledhëse mbi domethënien e objekteve specifike që do të përzgjidhni. Duke dërguar rrëfimet dhe fotot tuaja ju lejoni publikimin e tyre nga Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”. Nëpërmjet kësaj thirrjeje i bashkohemi muzeve të tjerë në Europë të cilët në mënyrë të ngjashme i kanë ftuar njerëzit të kontribuojnë me anë të teserës së tyre në mozaikun e historisë”, thuhet në njoftimin e Muzeut “Shtëpia me Gjethe”.