“Shqipëria nga shtëpia”: Hidh një foto nga bukuritë e Shqipërisë me hashtagun #albaniafromhome

Zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi ka ndërmarrë një nismë e cila në këtë periudhë koronavirusi ka për qëllim promovimin e turizmit shqiptar përmes shpërndarjes së fotove me miqtë nga shtëpa.

Promovimi i bukurive të vendit tonë përmes publikimit të fotove është një mënyrë e mirë për t’i rrëfyer njëri – tjetrit  eksplorimet e mrekullueshme shqiptare, për të parë çfarë na ka mbetur akoma pa u njohur e krenuar me Tokën e Shqiponjave, shkruan ndër të tjera Çuçi.

Postimi i plotë:

Sot që pragjet e shtëpive nuk mund dhe nuk duhet t’i shkelim, sot që jemi të detyruar të distancohemi nga njëri-tjetri, e përveç rutinës së dikurshme, duhet të heqim dorë gjithashtu edhe nga adrenalina e zbulimit të natyrës dhe të botës, sot që turizmi mban frymën mbi axhenda të ngrira udhëtimesh, le të sfidojmë këtë kohë të vështirë, me një udhëtim të pazakontë virtual, “Shqipëria nga shtëpia”.
Le të bëhemi një zinxhir i gjatë dhe bukur fotosh e dëshmish të Shqipërisë turistike! Le t’i rrëfejmë njëri- tjetrit, eksplorimet më të mrekullueshme shqiptare, për të parë çfarë na ka mbetur akoma pa u njohur e krenuar me Tokën e Shqiponjave.
Le t’u tregojmë vendin tonë miliona turistëve që nuk mund të jenë këtë pranverë këtu, siç e kishin planifikuar.
Le t’ua tregojmë si duket Shqipëria nga shtëpia që kur e gjithë kjo luftë të marrë fund, ata të vijnë edhe më shumë!
Hidh një foto nga Shqipëria me hashtagun #albaniafromhome #staytodayinhome #travetomorrow.
Nomino miqtë e tu që të bëhen pjesë e këtij udhëtimi që përmbledh traditën, natyrën, historinë, kulturën, mikpritjen dhe shpirtin tonë!
Sa më shumë të bëhemi, aq më shumë do të zgjasë udhëtimi dhe më shumë turistë do të vijnë nesër!
Më shumë Shqipëria do të ringrihet për të vazhduar sfidën e vështirë por jo të pamundur të turizmit të qëndrueshëm!
Tregoju Shqipërinë dhe turistët patjetër që do të vijnë!/ ObserverKult