Shqipëria nuk është e pafat, njerëzimi nuk është i pafat!

Nga Viola Isufaj

A mos do të na duhen të tjera sëmundje që, si të ishin një figurë, një fabul a përrallë për çiliminj, të na bëjë të kuptojmë se i gjithë universi është i lidhur së bashku me një seri linjash – përcjellje shpirtërore dhe emocionale e dashurisë, ëndrrave, aspiratave, ndjenjave negative, sëmundjeve të përbashkëta të qenies të manifestuara si probleme fizike, apo të shpirtit- dhe ky është vetëm një aspekt i këtij rrjeti arterial multiversal.
A lipsen pra, viruse të tjera për të kuptuar se nëse tjetri, fqinji, i njohuri apo i panjohuri është keq, ne nuk do të jemi mirë, por do të jemi edhe më keq?
Një tjetër trandje për njerëzimin që u çmend? Ndoshta ashtu. Cilado qoftë origjina e përhapjes: rastësia, lufta globale apo reptilët e errësirës, ne jemi tashmë të goditur dhe duhet të qëndrojmë.
Ne jemi këtu për t’u përballur me të keqen e përbashkët, të hedhur në formën e një virusi. Që pandemia të mbulojë tre të katërtat e globit do të thotë që, me gjasë, do të na duhet të luftojmë me sqep e me thonj dhe me shpirtin ndër dhëmbë. Do të përballemi me mbylljen, me mungesën e sigurisë, me humbjet, me pështjellimin, me të panjohurën. Kemi gjithmonë shumë për të mësuar.
Ne jemi këtu për t’ia dalë. Shqipëria nuk është e pafat. Njerëzimi nuk është i pafat. “Sepse Zoti nuk na dha shpirtin qyqar, por të fuqisë dhe të dashurisë së mendjes së shëndoshë”
Zemra jonë duhet të rrokë dimensione që kapërcejnë egon, frikën dhe mëkatet “vdekjeprurëse” ose morale që shkatërrojnë shpirtin si: krenaria, zemërimi, përtacia, zilia, kopracia, grykësia dhe gënjeshtra-të cilat janë ushqim për errësirën.
Dashuria absolute, e ndritshme, e tejjetshme, pa fund dhe pa skaj do të jetë vetë guximi i bijve të Adamit për ta shlyer mallkimin e Tokës.
Ne, fëmijë të të gjitha kombeve dhe racave jemi fryt i një dashurie të madhe të përbashkët, e cila , eshte mbjelle si esencë brenda nesh, që në shkrepje të agut të parë te botes. Ështe kjo esencë që, e zbuluar rishtas, pasi gjithë rropullia të ketë mbaruar, do të njohë shkëlqimin e vet, të vërtetë dhe të pamatë e drejt e prej thelbit të njejtë të zemrave tona, do te shpertheje si mijëra diej bashkë. / ObserverKult