Shqipëria përgatit dosjen për regjistrimin e lumit Vjosa si Rezervat Biosferik i UNESCO-s

Qeveria shqiptare ka vendosur të përgatisë dosjen e kandidaturës për të regjistruar lumin e Vjosës si Rezervat Biosferik i UNESCO-s me qëllim mbrojtjen e biosferës të këtij thesari të jashtëzakonshëm kombëtar. Vjosa konsiderohet si lumi i fundit ende i egër në Evropë.

Njoftimi për regjistrimin e lumit Vjosa si rezervat biosferik u bë nga ministrja Mirela Kumbaro gjatë një vizite që zhvilloi në Shqipëri javën e kaluar Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay.

Ujërat blu të lumit Vjosa rrjedhin lirshëm dhe pa asnjë pengesë nga burimi në Greqi e deri sa derdhen në detin Adriatik. Pellgu i lumit Vjosa është habitat për gati 1.100 lloje kafshësh dhe bimësh, përfshi 13 specie shtazore dhe 2 specie bimore të kërcënuara në mbarë globin.

Vajza e Ismail Kadare, Besiana Kadare thotë se është e lumtur dhe entuziaste për këtë lajm. 

“Duke u mbështetur edhe në ekspertizën dhe mbështetjen që do të na ofrojë UNESCO dhe programi MAB në mbrojtjen e ekosistemit të lumit të Vjosës dhe përdorimin e qëndrueshem të burimeve të tij natyrore, menaxhimi i pellgut te Vjosës mund të bëhet një histori suksesi dhe ‘best practice’ në gjithë Evropën, dhe pse jo, ndoshta në mbarë botën!”, shkruan Kadare në Facebook.

Ç’janë rezervatet biosferike të UNESCO-s

Në kuadër të Programit ndërkombëtar të UNESCO-s « Njeriu dhe Biosfera », Rezervatet e biosferës promovojnë zgjidhje të ekuilibruara ku mbrojtja e biodiversitetit ndërthuret me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrale.

Pra Rezervatet e biosferës janë konceptuar edhe si hapësira eksperimentimi për një zhvillim të qëndrueshëm në kontekste të ndryshme ekologjike, sociale dhe ekonomike, duke prekur jetën e më shumë se 250 milionë njerëzve ne botë.

Roli i tyre është i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e vlerave dhe trashëgimisë natyrore dhe kulturore, por edhe për zhvillimin e qëndrueshmërisë dhe ndërtimin e sinergjisë ndërmjet mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.

Aktualisht UNESCO ka 738 Rezervate të Biosferës në 134 vende që i përkasin “Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës”.

Rezervatet e reja përcaktohen dhe zgjidhen çdo vit nga Këshilli Koordinues i Programit Ndërkombëtar (International Program Coordinating Council – IPCC), organ i përbërë nga përfaqësues të zgjedhur nga 34 shtete anëtare të UNESCO-s.

Vlen të theksohet se Shqipëria ka regjistruar ndërkaq në 2014 Zonën e liqeneve te Ohrit dhe të Prespës si “Rezervat biosferik ndërkufitar” të UNESCO-s, së bashku me Maqedoninë e Veriut. Kjo zonë ka biodiversitet tejet të pasur, me ekosistem unik ku jetojnë specie të rralla dhe të rrezikuara në nivel global./shqiptaja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

UNESCO SHPREH INTERESIM PËR LUMIN VJOSA, BËN APEL QË TË MBROHET

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, gjatë vizitës së parë zyrtare në Shqipëri diskutoi me autoritetet shqiptare të mjedisit planet për përfshirjen e lumit Vjosa në listën e pasurive botërore.

Gjatë deklarimeve për gazetarët në Gjirokastër zonja Azule tha se misoni i UNESCO-s merret edhe me mbrojtjen trashëgimisë natyrore.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult