Shqiptar Oseku: Ky flamur është ajri ynë, është trau i shtëpisë, është rrezja e dritës

Ishim raja e paemër, qilim perandoresh e lëndë e parë per rrasa varri mbi kryet tonë. Ishim tretur e tëholluar aq fort sa shkenca edhe sot diskuton praninë tonë me Argumentum ex Silentio, argument nga heshtja: meqe nuk permendeshim, ndoshta ishim këtu gjithmonë? Qilim perandorësh qemë, lëndë e parë për gurë varri mbi kryet tonë. Heshtja ishte gjuha jone, zhbërja fati ynë i përbashket.

Ky flamur ndryshoi gjithçka. Aty ku stërgjyshërit tanë per trimijë vjet qenë hiç, qilim perandorësh, rrasa varri mbi krye te vet. Ky flamur, për më pak se 100 vjet, sajoi dy shtete për ne shqiptarët në Ballkan. Komshitë vlojnë. Na thonë copë se qemë askushi, plisa dheu nën çizme të tyre. Ata numërojnë perandorë e pyesin, ç’keni ju shqiptarët. Dhe ne sot qeshim e themi, ja pra kemi këtë flamur. Ju dikur s’na fusnit në defter, e sot na thërrisni në emër: Argumentum ex Silentia jo më. Kemi këtë flamur komshi, që nxjerr hak mbi ju. Ne sot kemi një të ardhme. S’jemi më qilimi juaj. S’jemi lëndë e parë për ju.

Ky flamur na bëri prapë se pari njerëz, pastaj komb, pastaj shtet – dy herë rresht. Po u rrëzua ky flamur, po preku tokën qoftë edhe nje cep i tij. Për ne fiket dielli përgjithmonë: kthehemi ne terrin ku gëluan stërgjyshërit tanë. Qilim perandorësh përseri. Rasa varri mbi krye fëmijësh.

Ky flamur është ajri ynë. Ky është trau i shtëpisë. Ky është rrezja e dritës, ky është filli i shpresës. Ky këtu eshte rivendikuesi e hakmarrësi ynë në orë të zorit. Pyetni kosovarët dhe ju dëftojnë. Pyetni durrsakët.

Ky flamur është e ardhmja jonë e përbashkët. Nderojeni këtë flamur sot, ia kemi borxh. Se ai na ruan nga zhdukja 365 ditë/vit.

ObserverKult