Shqiptar Oseku: Në vend të lutjes

shqiptar oseku

Poezi nga Shqiptar Oseku


Mos i harro. Mbylli sytë.
Merr frymë thellë, me dorë në zemër,
e kujto gjithçka:
ditë, datën, vendin, orën e saktë.
Diellin që digjej në perëndim,
mbi kodrat e Likoshanit,
Qirezit, Prekazit,
mbi plepat në Qyshk, mbi kulmet
në Junik,
mbi selvitë e Ҫabratit e në muret
në Gjakovë.
Gjithçka kujto!
Kujto të shtënat.
Kujto si krisin tjegullat e tullat
kur kallen në flakë.
Kujto si u plas zemra
trerëve kur bien pa shpresë
mbi njerëzit e shtëpisë.
Erën ngulfatëse të tymit,
të mishit e gjakut të njeriut.
A po të kujtohet?
Kujtohu more!
Kujto emrat, një nga një.
Kujto thirrjet për ndihmë,
e vajin e pleqve.
Mbaje mend fjalën, timbrin e zërit,
amanetet.
Mbaje mend kur e lëshuan
frymën e ngrohtë:
që aty nisën të ftohen, të ngrihen.
Kur e dhanë gramën e fundit,
mbaje mend.
A po i mban mend?
Kujto bebëzat e gjera, terrin e tyre,
tmerrin në to.
Kujto ankthin kur u fikej ngadalë
shkëndija e mbramë.
Mbylli sytë, të lutem!
Mbaje në mend atë që ndodhi pastaj,
xhaketën e grisur,
e këpucën
si u gjet e shtypur në shkurre.
Mbaje mend fëmijën
që qante
të trupat cung në hendek,
oj nanë, oj nanë, çohu.
Në prag të marsit, në vend të lutjes,
mos harro. Mbylli sytë.
Merr frymë thellë, me dorë në zemër,
e kujto gjithçka.
Mbaj mend, të lutem.
Kjo është krejt çka na ka mbetur
prej tyre.

ObserverKult

Lexo edhe:

SHQIPTAR OSEKU: TI KURRË S’DUHEJ TË KISHE VDEKUR, BIR…