Shqiptarët e Egjiptit, kur Qerim Haxhiu më 1958 i nisi një memorandum për golgotën shqiptare në Jugosllavi

Qerim Haxhiu lindi në Lushnjë më 7 shkurt 1920 në një familje qytetare, fisnike, patriotike të Lushnjës. Djali i patriotit të shquar shqiptar Bajram bej Haxhiu i cili ishte një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu. Qerimi shkollën fillore e kreu në Lushnjë ndërsa shkollën e mesme e kreu në Medresenë e Tiranës. Qerim Haxhiu shkollën e lartë e vazhdoi për teologji (shkenca islame) në universitetin “Al-Azhar” në Kajro, Egjipt. Ai në vitet ‘30 u aktivizua si futbollist me ekipin e futbollit ‘Kongresi i Lushnjës’ i qytetit të Lushnjës. Qerimi ishte një nga futbollistët e gjeneratës së parë të ekipit lushnjar dhe i pari që nisi “rrugën” e gjatë të mbiemrit që bëri histori në sportin lushnjar dhe atë shqiptar “Haxhiu”.

Në vjeshtën e vitit 1938 Qerimi u nis nga Lushnja me tranzit në Selanik dhe mbërriti në Aleksandri. Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa në atdhe gjersa ndërroi jetë, por në vitin 1967 arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe. Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt, por me shpirt e zemër ishte gjithmonë në Shqipërinë Etnike. Ai botonte gjithnjë artikuj për atdheun Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në gazeta, revista të diasporës shqiptare të Egjiptit gjithashtu ka shkruar dhe poezi nga më të ndryshmet. Haxhiu ka qenë nismëtar i shumë organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve, peticioneve të gjitha këto për çështjen kombëtare shqiptare. Në 7 prill 1939 kundër okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste Qerimi hartoi një peticion si dhe ishte njëri prej studentëve shqiptarë organizator të protestave në Kajro.

Në vitin 1958 Tito do të vizitonte Naserin në Egjipt dhe këtij të fundit Qerimi i nisi një memorandum rreth 20 faqe për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Në përmbajtjen e Memorandumit jepeshin të dhëna mbi golgotën e shqiptarëve në Jugosllavi dhe shpjegohej se myslimanë nuk jetojnë vetëm në Bosnjë, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu dhe se ata me kombësi janë shqiptarë. Memorandumi megjithëse iu drejtua Naserit nuk u protokollua në zyrat e Institucionit të Presidentit të Egjiptit por memorandumi u dorëzua në Ambasadën Jugosllave. Kjo bëri që atdhetari Qerim Haxhiu të arrestohej gjithmonë përkohësisht kur Tito do të vizitonte Egjiptin. Në 9 korrik 1941 Qerimi do të shkruante poezinë “Teqeja Magauri” kushtuar teqesë bektashiane shqiptare të Baba Ahmet Serri Glina me origjinë nga Përmeti. Teqeja “Magauri” në Kajro të Egjiptit u kthye në një “shtëpi” për shqiptarët atje pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Qerim Haxhiu ishte një besimtarë myslimanë i devotshëm dhe kurrë nuk u largua nga leximi i Librit të Shenjtë Kur’anit dhe nga falja e namazit. Haxhiu ishte ndër personalitetet e njohura shqiptare që emigruan në Egjipt.

Qerim Haxhiu ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut, Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë. Qerimi kishte njohuri të thella për historinë shqiptare dhe gjithnjë fliste për Rilindasit e gazetat që ata botuan, të cilët kontribuuan në zgjimin dhe ndërgjegjësimin kombëtarë të shqiptarëve të Egjiptit. Haxhiu ishte antikomunist i flakët, demokratë dhe nacionalist i madh. Për regjimin diktatorial komunist në Shqipëri patrioti Qerim Haxhiu ka thënë se: -“Regjimi komunist në vend që rinisë t’ia shtojë dashurinë për atdheun, regjimi komunist u interesua për Rusinë dhe Vietnamin, për dallim nga rinia kosovare e cila ndjenjën e atdhedashurisë e ruajti më tepër. Mirëpo, rinia kosovare nuk e dinte se Shqipëria zyrtare më tepër interesohej për Vietnamin se sa për Kosovën”. Në 21-vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951), Qerimi mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e Çajupit, gjatë homazheve që zhvilluan atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit, në varrin e Andon Zako Çajupit në Egjipt.

Nga të gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu ishte i vetmi që shkroi një përmbledhje (histori) për diasporën shqiptare të Egjiptit që i duhej Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Amerikë. Patrioti Qerim Haxhiu ka mbajtur lidhje të vazhdueshme në të gjallë të tij me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” dhe ishte i abonuar në Gazetën “DIELLI”. Gjithashtu, Qerimi ka bashkëpunuar me Drejtuesit e Vatrës edhe në një projekt historik të Diasporës Shqiptare në Egjipt, projekt që e ndërmori “Vatra” dhe që u realizua nga Qerim Haxhiu në bashkëpunim me studentët shqiptarë në Egjipt. Qerimi edhe në Egjipt gjatë gjithë jetës qëndroi pranë shqiptarëve dhe për këtë është shprehur: – “Unë kudo që të shkoj, kërkoj shqiptarë, sepse pa ta dita nuk më shkon”. Qerimi ka takuar edhe Mbretin e Egjiptit me origjinë shqiptare Faruk njëherë në një iftar që mbreti organizoi për studentët dhe njëherë tjetër në Bashkësinë Shqiptare. Ai në Kajro ka takuar edhe personalitete të rëndësishëm shqiptarë ndër të cilët janë: Mbreti Zog I dhe Familja Mbretërore Shqiptare (Mbretëreshën Geraldina, Princin Leka I, Skënder Zogu), Ernest Koliqi, Abaz Kupi, Nexhmedin Qorraliu, Qemal Butka, Aleksandër Meksi etj. Gjatë qëndrimit të Familjes Mbretërore Shqiptare në Aleksandri, Qerimi mbajti lidhje miqësore dhe kjo ishte vazhdimësi e një miqësie të vjetër që fillesat i ka në 1920 në Kongresin e Lushnjës e babait të Qerimit, nismëtarit të Kongresit Bajram Haxhiu me delegatin e Matit Ahmet Zogun. Haxhiu e vizitonte shpesh Familjen Mbretërore Shqiptare në rezidencën e saj në Aleksandri. Gjithashtu, gjatë stinës së verës Qerimi qëndronte në rezidencën e Familjes Mbretërore Shqiptare, ku i mësonte dhe gjuhën arabe (lexim dhe shkrim) mbesave të Mbretit Zog.

Qerimi kishte miqësi edhe me Abaz Kupin dhe me djalin e tij që ishin moshatarë dhe shokë të ngushtë. Haxhiu ka kontribuar vullnetarisht në mësimin e gjuhës shqipe te fëmijët e shqiptarëve në Kajro. Gjithashtu ai ka dhënë edhe leksione 3 herë në javë për studentët shqiptarë në Liceun e Kajros. Në vitin 1967 gati pas 3 dekadash u nis me anë të një vize (pasi kapërceu pengesa të shumta burokratike të regjimi diktatorial komunist) për të vizituar për herë të parë atdheun Shqipërinë që pas vajtjes me studime në Egjipt në 1938. Kjo do të ishte vizita e parë dhe e fundit në atdhe, ndaj dhe e kujtoi gjatë gjithë jetës së tij aktivisti i shquar për çështjen kombëtare shqiptare Qerim Haxhiu. Një moment prekës të kësaj vizite atdhetari Qerim Haxhiu nuk e harroi asnjëherë për të cilin ka treguar se: – “Nga Tirana deri në Lushnjë nuk kam pushuar së qari. Kur arrita në Lushnjë oborri i shtëpisë ishte mbushur me njerëz. U takova me të gjithë me shumë mall. Kur hyra në dhomë në të cilën po rrinte babai (Bajram Haxhiu), ai posa më pa thirri: Qerim! Dhe i ra të fikët! Nuk kishte faj ngase njëzet e nëntë vjet nuk më kishte parë! Këto janë përshtypjet e kësaj dite që nuk do t’i harroj kurrë ”. Qerim Haxhiu ishte i martuar me znj. Shukrane me origjinë nga Prishtina por me vendbanim në Kajro, vajza e dr. Shyqyri Çupishti i cili ishte kirurg dhe Drejtor në Spitalin e Vlorës në vitet 1933-1935. Qerimi ka lënë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Djali Iliri me profesion farmacist dhe punon në fabrikën e ilaçeve në Stamboll të Turqisë ndërsa vajza Dhurata, Doktore e Shkencave të Kimisë, Profesoreshë në Universitetin Koç të Turqisë. Iliri i ndoqi studimet në Universitetin e Kajros ndërsa Dhurata në atë Amerikan.

Fëmijët e Qerimit jo vetëm gjuhën shqipe që ua mësoi i ati dhe që e flasin qartë dhe rrjedhshëm, por ata njohin edhe disa gjuhë të huaja. Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në lagjen “Abidinë”, në rrugën “Sherif Pasha El Kebir nr. 2”, në Kajro ishte një mjedis totalisht shqiptar në tokë të huaj. Biblioteka e Qerim Haxhiut ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kajro, me origjinë nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë) që kishin vizituar patriotin dhe kishin lexuar libra nga biblioteka e tij apo edhe ishin këshilluar me të për çështjet atdhetare. Biblioteka përbëhej nga një literaturë e çdo lloji dhe e zgjedhur në disa gjuhë, si: shqip, turqisht, italisht, anglisht, frëngjisht etj. Librat kryesorë në bibliotekën e atdhetarit të shquar Haxhiu ishin ata që tregonin për historinë e Shqipërisë dhe për çështjen kombëtare shqiptare. Në disa prej rafteve të Bibliotekës së madhe të Qerimit qëndronin pothuajse të gjithë librat e shkruar nga autori i preferuar i tij i cili ishte “Homeri Shqiptar” Gjergj Fishta. Librat e Fishtës e kthenin shpeshherë me mendje e zemër në atdhe por pa harruar edhe pikturat e veçanta për të ato të piktorit korçar Guri Madhi që pasqyronin atdheun që Qerimi aq shumë e donte dhe kishte kontribuar pamasë për çështjen kombëtare shqiptare. Qerim Haxhiu ditët e pleqërisë i kaloi duke punuar paradite në fabrikë (edhe pse kishte dalë në pension), kurse pasdite duke lexuar, e herë-herë duke vizituar ndonjë familje shqiptare. Qerim Haxhiu ka kontribuar në fillim të viteve ‘90 në përpilimin e librit “Shqiptarët e Egjiptit” me informacionet e tij të shumta për Historinë e Diasporës Shqiptare të Egjiptit.

Qerim Haxhiu me pak fjalë ishte erudit por që nuk arriti dot të jepte kontributin e tij në Shqipëri sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe, në Shqipëri. Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare. Emri Qerim Haxhiu është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit. Ai ishte Rilindasi i Fundit në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit. Qerim Haxhiu u nda nga jeta më 1 Janar të vitit 2003. Për Qerim Haxhiun janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”-Autor, Emin Azemi, Shkëlzen Halimi-Botuar, Logos-A, 1993 Shkup. Në Gazetën “Illyria”, 1209, 21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga prof. Beqir Ismaili me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare: Qerim Haxhiu (1920-2003)”. Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”, Prizren, 10-13 qershor 2012 e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar është publikuar një shkrim për atdhetarin e madh Qerim Haxhiu. Në vitin e 100-vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020), Këshilli Bashkiak Lushnjë me Vendimin me Nr. 67 Datë 28.07.2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJËS” Z. Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare, zoti QERIM HAXHIU mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë. Në Egjiptin e largët, ku jetoi e punoi, për gati 60 vite ai krijoi një Lushnjë e Shqipëri të vogël, bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”.

Historia e shqiptarëve të Egjiptit

Elementin shqiptar në Egjipt e hasim që nga shek. XVI e mbrapa. Prania e këtij elementi është e natyrave të ndryshme duke filluar prej elementit të tipit qeveritar, tipit ushtarak (mercenar), tipit social-mërgimtar dhe tipit politik. Qeverisja e Egjiptit me pashallarë të Stambollit filloi që në shek. XVII. Në mesin e këtyre dallohet plejada e pashallarëve dhe valive shqiptarë. Prej tyre mund të përmendim Sinan Pashë Topojanin, valiu i parë i Egjiptit në vitin 1569. Gjurmët e Sinan Pashës sot në Egjipt përmenden me simpati, siç është ndërtimi në kohën e tij i një xhamie në Kajro dhe i një medreseje e i një tjetër xhamie në Aleksandri. Pas Sinan Pashës dhe konkretisht në vitet 1619-1622 në krye të Egjiptit erdhi një tjetër vali shqiptar, Merre Hysen Pasha nga Peja. Në vitet 1637-1640 përsëri në skenën qeveritare të Egjiptit del një shqiptar, Mehmet Pasha, i cili arrin deri në postin e vezirit. Në vitin 1650 pushtetin qeveritar në Egjipt e merr valiu shqiptar Ahmet Pasha Torhonxhi, i cili më vonë bëhet vezir i madh i Egjiptit. Pas tij si vali vjen Ibrahim Pasha (1622-1633), transmeton ‘koha.net’.

Nga plejada e qeveritarëve shqiptarë, padyshim një vend të veçantë zë figura e Mehmet Ali Pashës (lindur në Kavallë në vitin 1769), i cili arriti të zhvillojë strategjinë e tij qeverisëse, duke krijuar një dinasti të tërë qeveritarësh shqiptarë që dolën nga ai. Nga shumë historianë me të drejtë ai është quajtur “Napoleoni i Lindjes”. Në historinë egjiptiane Mehmet Ali Pasha ka një rol të veçantë, sepse po të mos ishte ai, Egjipti i sotëm me siguri do të dukej ndryshe. Sundimi i dinastisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës vazhdoi edhe në kohën e pasardhësve të tij. Po përmendim disa prej tyre. Ibrahim Pasha, djali i Mehmet Ali Pashës (1809 1848) ministër i Financave dhe luftëtar i madh. Abaz Pasha sundoi në Egjipt në vitet (1849-1854), Sahit Pasha sundoi në vitet (1854-1863), Ismail Pasha sundoi në vitet (1863-1879), Sahit Taufik Pasha sundoi në vitet (1879-1892) dhe Abas Pasha II (1892-1914); Hysen Qamili (1914-1917) dhe Ahmet Fuadi (1917-1936). Mbreti i fundit egjiptian në damarët e të cilit qarkulloi gjaku shqiptar ishte mbreti Faruk, thuhet se ishte mbreti më i dashur, ndërkaq shqiptarët që jetuan në Egjipt në kohën e tij kishin privilegje të veçanta.

Elementi i fundit i migrimit të shqiptarëve në Egjipt është elementi politik. Gjeneza e vendosjes së këtij elementi lidhet me procesin e përgatitjes së platformës politike të Rilindjes Kombëtare në prag të pavarësisë së shtetit shqiptar. Egjipti do të jetë prej qendrave kryesore ku do të përgatitet kjo formë, ndërsa mërgimtarët që u lidhën me idetë e lindjes në farë mënyre do të lidheshin edhe me vetë Egjiptin, siç ishin: Thimi Mitko, Jani Vreto, Duçi Çajupi, Filip Shiroka etj. Valët e shpërnguljes së shqiptarëve në drejtim të Egjiptit nuk pushuan deri në fillim të shekullit XX. Sa nga gjendja e rëndë ekonomiko-politike në atdhe, sa nga predispozitat që kishte Egjipti në atë kohë, prezenca e shqiptarëve në vendet e Lindjes së Afërme u shndërrua në një sferë të zakonshme. Kajroja dhe Aleksandria do të bëheshin qendra të rëndësishme të njerëzve të edukuar me frymën atdhetare të Rilindjes Kombëtare. Si rezultat i këtij organizimi në Aleksandri në vitin 1894 do të formohej një shoqëri e re me emrin “Vllazëria shqiptare”, kryetar i së cilës u zgjodh Milo Duçi. Pas kësaj në 1910 organizimi i shqiptarëve do të arrinte në një nivel më të lartë me themelimin e “Vëllazëria e shqiptarëve të Misirit-Bashkimi” me qendër në Aleksandri, e cila kishte degë në disa qytete të Egjiptit. Në vitin 1918 nga gjiri i kësaj shoqërie, respektivisht nga dega e saj e Kajros u themelua “Komiteti i Shqiptarëve të Misirit”. Ky komitet një vit më vonë, do t’i dorëzojë një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, në të cilin mbrohej dhe afirmohej çështja shqiptare. Po në atë vit në Kajro u themelua edhe një shoqëri e re “Vllazëria”, kryetar i së cilës u zgjodh Loni Kota. Në vitin 1920 u formua “Klubi i Shqiptarëve” në Kajro.

Përveç aktivitetit shoqëror të shoqatave e bashkësive të shumta, kolonia shqiptare e Egjiptit u dallua edhe për një numër të madh veprash letrare që ishin krenaria dhe progresi i kësaj kolonie. Pikërisht këto vepra do të hynin në fondin e letërsisë shqipe siç ishte “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos, botuar në vitin 1878 në Aleksandri. Kjo veprimtari botuese do të vazhdojë duke sjellë kapituj të rëndësishëm të begatisë shpirtërore të popullit shqiptar. Kështu në vitin 1892 Stefan Zurani do të botojë veprën kapitale “Historia e Shqipërisë”, ndërsa në 1902 Andon Zako Çajupi boton veprën “Baba Tomorri”, që do të lërë gjurmë të thella në krijimin intelektual e patriotik në komunitetin e shqiptarëve të Egjiptit.