Shqiptari

Nga Eduard Ymeri

Shqiptari i vërtetë, ajo gjethe e gjelbër me trup të vogël e të fortë, kundrejt tymit të zi. Sy i pagjumë në kufi, ku copëtohet zemra dhe mendja pikon shi. Një lule erëmirë është, e mbirë në plagë.

Se që të më kuptosh, dimri shpirtëror është ujk i stërvitur-jo edhe aq i uritur: kafshon, ikën dhe kthehet prapë, – kështu e nisi bisedën mëngjesin e ditës së fundit, plaku Ilir me mbesën e bukur, Bardhësinë.

– Ti më ke thënë, gjyshi, që ujku nuk ka mëshirë, e tërheq kecin të gjallë deri në strofull.

– Po, është mësues pa libër në dorë. I gjallë keci, i bën nxënësa më të mirë, mendon ai, se këlyshët do të rriten një ditë, e do të ndahen nga tufa. Por ngjan shumë ky ujk, me atë që të thashë pak më parë.

– Atë Shqiptarin, gjysh, e ke njohur nga afër? Është si ata burrat e fortë, në historitë e shumta që më ke treguar?

– Moj e bardhë mes tre pikave të jetës sime, nuk ia kam shtrënguar dorën, as nuk e kam puthur në ballë si puthnin trimat kohë më parë. Ti nuk e shikon, është syri i tretë që nuk bën pushim.

– Gjysh, po unë kam dy sy.

– Syri i tretë, ai shndrit errësirën, moj e bardha ime.

– I lutem mamit darkë për darkë, gjysh, të më ndezë dritën se kam frikë.

– Kur të rritesh edhe pak e të mësosh të lexosh, do ta kuptosh vetëm që libri i parë do të ndriçojë dhomën tënde, i dyti të gjithë shtëpinë, ndërsa i treti do të kthejë në ditë netët e qytetit tënd.

– Në çdo fund viti, ti do të jesh babagjyshi im. Nuk të dua dhurata, vetëm të më rrëfesh deri sa të mbarojë viti.

– Po vogëlushe, të premtoj që kurdoherë në mendjen tënde do të jem Viti i Ri. Kështu që, ti s’do të rritesh kurrë. Dhe kjo do të jetë dhurata më e mirë që ke marrë.

Me ato gishtrinjtë e hollë që i dridheshin, shtypi në ekranin e telefonit.

– Ja, ky është Shqiptari. Ai që e donte Shqipërinë të bëhej si ajo Shqipëria që kishte në mendjen e tij.

– Ka qenë politikan, apo kryeministër?

– Jo, ai shkruante dhe shkruan mirë. Të dy na ka bashkuar qielli i hapur.

Bardhoke, nuk mjafton një mushkuri, dy apo tre të shpërndajë retë, ndaj ai e përdor penën në vend të erës.

– Është magjistar, gjysh?

– Ç’më kujtove tani në këtë ditë të fundit. Më mirë sot, u bëftë për ty Fillimi, – dhe i dha të hante një çokollatë me qumësht.

– Ti gjysh je i mençur, ëmbëlsirën e ke lënë për në fund.

Sa shumë u gëzua Iliri. Kishte ardhur dita e bardhë për mbesën e tij me emrin Bardhë. Ajo tani ishte e aftë të krahasonte shijen e çokollatës me atë të dëgjimit-fjalët e gjyshit. Dita-shkëndija e parë u takua me ditën e fundit të tij, dhe ai nuk i fshehu dot lotët. Plot pesë minuta, lotët e tij kafshonin oksigjenin në dhomë dhe mezi merrte frymë. Që të mos i ndalonte zemra, nisi të tregojë:

– Në jetën time unë e kam parë Shqipërinë me njerën dorë të shtrirë, duke lypur një magjistar. Por në kohën tonë, besojmë shumë njeriun.

Po, unë e mendova atë njeri edhe në krye të vendit, sikur shpresa e fundit aty nga viti 2019-2020 të humbiste ngjyrat. Nuk duhet të jesh profet në Shqipërinë tonë që të gjesh lulen e mbuluar nga dëbora: të mjafton vetëm të lexosh e të shikosh thellë. Ai treste dhe e tret akoma në gërma, njeriun siç duhet të jetë.

– Është nga Shqipëria ky xhaxhi Shqiptari, apo nga Kosova? Ti më ke thënë që është e ndarë Shqipëria.

– Nuk e mban mend mirë, moj lule qershie. Të kam thënë që, dikur ishim bashkë, më pas na ndanë, tashmë jemi prapë bashkë. Kështu që po të përgjigjem: është nga Shqipëria.

– Është i bukur vendi yt, gjysh?

– Nëna jote-vajza ime lindi në Greqi, edhe ti po në këtë vend të bukur. Ti e pe për herë të parë diellin me sy, po në këtë vend.

– Më pëlqen të jetoj në këtë shtëpi, të luaj te këndi i lojërave të djelave.

– Ti je si ai qengji që kullot në lëndinë, pa e ditur që thellë përroit mund të jetë fshehur një ujk. Njeriu, moj tortë e ëmbël, në emër të fjalës Dashuri ka mbjellë Urrejtje, ndaj edhe unë nuk e di dhe nuk do ta mësoj, se a do të të dojë ky vend sa e do.

– Po Greqia është e madhe, gjysh, nuk të puth dot në faqe.

– Ti je e vogël, kundrejt asaj. Nejse më dëgjo: vendi im, atje ku ti i ke rrënjët, po ta pyesësh për mua, do të përgjigjet, ʺNuk e di se ku jeton Iliri, dhe se a është gjallëʺ. Por unë e kam në zemër.

– Ti s’je mal, gjysh.

– Ligji i parë i Natyrës i shemb kufijtë, por për mua i kanë ngritur ama. Në zemër kanë zënë vend dy vendet, për mua s’ka vend bosh.

– Cilin vend ke dashur më shumë, gjysh?

– Qeni, qëndron ditë-natë në shtëpinë e tij. E do shumë të zotin. Të kujtohet filmi që kemi parë bashkë, ʺHaçiʺ? Ndërsa macja është ndryshe, e ngop nuk e ngop me ushqim, të ikën te gjitoni.

Nga ajo shtëpi-vend, nuk ika që të mbushja barkun plot me Whiskas, më fal,  të mbushja xhepat. Ika nga ai vend që e kam dashur dhe e dua më shumë, në kohën kur flinte. Nga ky hap i hedhur, mendova do të zgjohet, por jo.

– Ndaj ty gjysh, të del gjumi shpejt e fle von?

Iliri nuk kishte më kohë të përgjigjej. U ngrit me ngadalë, kapi prej dore Bardhën dhe u afruan te librat e lexuar që, diç kuptuan dhe ndaluan vallëzimin.

– Bardhoke, po ta përsëris prapë, kur të rritesh e të mësosh mirë të lexosh, do ta nisësh nga ky libër i po këtij rafti, do boshatisësh raftin më lart, pastaj tjetrin… Te libri i fundit do bësh një pushim të vogël, që do të thotë të mendohesh për një Fillim tjetër: të blesh libra!

U kthye me vrap. Karrigia i zgjati karrigen të ulej. Përballë tij, ekrani i kompjuterit. Çdo fotografi-emër, (numër i vogël me grup të njëjtë gjaku letrar-shpirtëror), që shfletonte, çatia lot pikonte. (Gënjen veten njeriu kur thotë, ʺMë mbaruan lotëtʺ). I kishte mbetur vetëm një lot, për Bardhën. E puthën fort fjalët e tij:

– E bardha ime, po iki në vendin ku u linda.

Hapi ditarin, shkroi një fjalë, Fund.

15-16 shkurt, 2020

ObserverKult