Shqiptarja Rudina Seseri renditet si një ndër 100 gratë më me ndikim në botë

Revista “Entrepreneur” ka renditur ish-deputeten shqiptare Rudina Seseri si një ndër 100 gratë më me ndikim në botë.

Seseri u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2009 dhe e mbajti postin për dy vite, teksa dha dorëheqje për arsye personale, që me siguri lidhen me planet e saj në fushën e ndërmarrësisë.

“Inteligjenca artificiale po riformulon jetën tonë. Çfarë na pret tashmë? Kjo është ajo çfarë po përpiqet të zbulojë Rudina Seseri”, shkruan revista në arsyetimin e saj, përcjell Telegrafi.

Ajo në vitin 2016 themeloi Glasswing Ventures, një kompani kjo që po ndihmon në ndërtimin e gjeneratës tjetër të kompanive teknologjike dhe inteligjencës artificiale. Kompania me bazë në Boston prezantoi fondin e saj të parë prej 112 milionë dollarësh në vitin 2018 dhe që atëherë ka investuar në 19 biznese.

Rudina Seseri, themeluese e Glasswing Ventures

Në muajin qershor 2019, Glasswing Ventures prezantoi një platformë përshpejtuese për të ndihmuar themeluesit të ecin më shpejt me ndihmën e 34 këshilltarëve dhe me një bazë të dhënash nga 16 mijë individë që firmat e reja përdorin për të gjetur talentin.

Teksa themeloi kompaninë, Seseri thotë se i kushton çdo javë kohë të menduarit.

“Diçka që mund të neglizhohet lehtësisht është koha e të menduarit. Bëni një hap pas dhe reflektoni: Ku jam? Ku po shkojmë?”, vijon shkrimi. /Telegrafi/