Çka thuhet për mikun në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”?

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” ose kanuni i malësisë është përmbledhja në një libër e ligjeve, rregullave, zakoneve shqiptare të Shqipërisë së Veriut në rrjedhën e disa qindravjeçarëve.
Forma e parë e tij e shkruar i referohet Lekë Dukagjinit edhe pse ka ekzistuar që më përpara. “Kanuni i Lekë Dukagjinit” u mblodh nga At Shtjefën Gjeçovi gjatë viteve 1910-1925

Në një pjesë të këtij libri flitet edhe për mikun, të cilën pjesë ObserverKult ua sjell në vazhdim:

Miku

– “Shpija e Shqyptarit asht e Zotit e e mikut”.
– Miku nuk mund të hijë në shpi, pa ba za n’oborr.
– Si të bajë za miku, i zoti i shpis a kush i shpis i pergjigjet e i del perpara.
– Falet me mik, armen i a merr, e i prin në shpi.
– Armen i a varë në krrabë, edhe e çon në krye të vendit ke votra.
– Perpushet zjarmi, lypen edhe dru. “Miku don dru”.
– Mikut do t’i bahet nderë: “Bukë e krypë e zemer.”
– Buka e krypa e zemra, zjarmi e trungu e do firi per shtrojë do të gjindet gadi per mik në çdo kohë të natës e të ditës.
– Mikut të lodhun do t’i vihet rreth me të pritun me nderë. Mikut i lahen kambet.
– Per çdo mik duhet buka si han vetë.
– Per mik të mirë duhet kafja, rakija e buka e shtrueme me ndo’i send ma teper.
– Per mik zemret duhet duhani, kafja e ambel, rakija e bukë e mish.
“Mikut të zemres i lshohet shpija”.
– “Tuja hi në shpi, mikut do t’i mbajësh armen.

– E mbatmja e armës asht:
a) shej burrnije e nderje, edhe knaqesh se t’erdh miku;
b) asht shej roje, sepse tuj thanë:
“Mirë se erdhe”, aj do të rrijë pa droje, e se gjindesh gadi me i dalë zot per çdo rrezik;
c) asht shej urtije per vedi, pse, ‘si t’i marrësh armen, edhe në pasët ndo’i mende të keqe miku, nuk ka shka të ban, ‘si t’a çarmatosish.
– “Mikut i lshohet kryet e vendit.
– Mikut i lshohet kryet e vendit, po kje në shpi si edhe po kje në kuvend burrash, porse në kuvend nuk ka za.

– Mikut i lshohet kryet e vendit si per nderë, si edhe qi të jet ma në të pam e në shej, si edhe të mos perzihet nder robët e shpis.
– Si të hijë miku në shpi, të ka la detyren.
– Po të hini miku në shpi, gjak me të pasë, do t’i thuejsh: “Mirë se erdhe!”
– “Miku do të perciellet deri ku të të lypë me perciellë”.
– “Miku , edhepse xen kryet e vendit në shpi a kudo, kurr s’prin, por do t’i prijsh”.
– Miku perciellet edhe me nji fmi, po kje djalë a vajzë, gjithnji si nji burrë a grue.
– Si t’a perciellish mikun deri ku desht vetë me shkue, e solle shpinen me shkue në punë t’ande, krisi pushka n’at hov e edhe e vrau, ty nuk të pritet mik.

– Mbas mikut do të hupish puntorët, e me bukë t’ande, të mos fikesh e të mos koritesh.
– “Si t’i prish mikut, çdo dhunë t’i bajë kuej, lypet mbë ty”.
– Mikut mos i prij; a ‘si t’i prijshë, do të hapish sytë qi mos t’i bajë kuej ndo’i dhunë a punë të ligë.
– Kanuja urdhnon qi të perciellet miku sa mos t’a gjejë ndo’i punë e ligë, sa edhe të mos t’i bajë kuej ndo’i dam me bukë t’ande.
– Po bani ndo’i punë të keqe miku në bukë t’ande, arsyeja lypet prej teje.
– I dhunuemi e i damtuemi s’asht në detyrë me ndjekë ate, qi e dhunoi e qi e damtoi, por i kerset në dere atij, qi e mbajti në shpi e i dha bukë.
– “Buka e lan damin.”

– Kanu asht pra, qi t’i prihet mikut, sepse xehet se nuk di rrugë e nuk din a do të ndeshet në mik a n’anmik.
– Do t’i prish , pse je rojsi i mikut, si me i a largue rrezikun, si edhe me e ndalë prej punet të keqe.
– “Buka të nderon, porse të qet edhe në punë” (Buka m’u gjet dreq pat thanë dikush).
– Po t’a dhunoi buken miku, do t’epsh arsye në kanu për shpi e vath të thyem, per tufë të marrun e premtime tjera.
– Do të lajshë damet e bame prej mikut t’and a tuj vu kumbonen e tufës s’ate në tra, a me të hjekun të kaut të hullis, a me të shitun të rendit t’ujit.

– Nderen e dhunen do t’a dajshë me mikun e të damtuemin do t’a ndreqish.
– Ti do të lajshë e, po muejte me xjerrë gja te miku, e ke per vedi; perndryshej të pasët mbetë ngiat: Paç e dhaç thotë kanuni.
– Sikurse je në detyrë me lypë mikun e prem ashtu je në detyrë me dhanë arsye, në prefët kend miku në bukë t’ande.

(Shkëputur nga libri “Kanuni i Lekë Dukagjinit”)

E përgatiti: A.S.- ObserverKult

————————————————————————————-

Lexo edhe:

“KANUNI I LEKË DUKAGJINIT” NË DUART E AUTORES SË “FIFTY SHADES OF GREY”

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” po studiohet nga autorja Erika L. James e cila shkroi “Fifty Shades of Grey”.

James në rrjetet sociale ka publikuar një imazh të kopertinës së “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, duke e shoqëruar me mbishkrimin TM2.

Autorja në vitin 2019 publikoi romanin “The Mister” ku trajtohet historia e Maxim Trevelyani i cili dashurohet me një emigrante shqiptare pa dokumente, Alesia Demaçi.

Romani përfundon kur dy të dashuruarit vijnë në Shqipëri, babai i Alesias kërcënon Maximin që të martohet me vajzën e tij, transmeton ‘konica.al’.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult