Shtatë muaj pa djalin tim të mirë, Luranin

in memoriam per luranin

Shtatë muaj pa Luranin

Sot u bënë shtatë muaj pa Ty. Shtatë! Sa gjatë u bë o djali im, Lurani im, sa gjatë, sa kohë ka kaluar që s’më ke ftuar në premierë: Babush a do të vish sonte? Eja, babush. Ia vlen të shihet kjo shfaqje. Babush, planifikoj të të çoj në Kalabri, ta shohësh atë botë arbëreshe, të kënaqesh me atë energji që e ka ruajtur një variant të moçëm të gjuhës shqipe, me leksikun që aq shumë të intereson.

Nga Xhabir Ahmeti

Sa dhembshëm më tingëllojnë këto fjali! Me to e kaloj natën pa bërë një sy gjumë e me gjurmë lodhjeje. Ngjashëm e kalojnë natën pa gjumë edhe të tjerët e kësaj vatre që ti i jepje kuptim. Dhe, ne së bashku një gjë nuk e kuptojmë si mundëm të qëndrojmë pa Ty kaq shumë. Pa këtë djalë që s’e ka kush. Shtatë muaj, sa shtatë shekuj rrinë si zogj të plagosur mami Yt, Linda, Edlira Jote dhe princesha Jote e vogël – ARBA. Unë rri e të pres në këndin tim me një laps në dorë e me letra para meje. Të tjerët nuk e di se si luftojnë me vuajtjen, unë për vete rri e shikoj nga dritarja. Një zog nate fluturon e tretet në horizontin e praruar me rrezet e hënës së pikëlluar. Me zemër të thyer them, vet me vete: edhe djali im më iku kështu si ky zog. Zogu tretet nëpër re në humnerën e harresës, kurse Ti, zogu im, nuk do të tretesh, pordo të mbetesh të jetosh përjetësisht në zemrat tona dhe të të shumë njerëzve. Emri Yt gjithmonë do të qëndrojë aq sa do të ketë kujtesë kolektive populli ynë.

Sa herë kur bie mbrëmja, unë, o zogu im, shikoj lart kah yjet, e kërkoj yllin që pres të bjerë në barin e kurtit të shkollës që e kemi përpara. Ylli o është dytëshori Yt, o je Ti vetë. Dua ta shoh. Helbete, mos ka ndodhë çudia dhe e shoh fytyrën Tënde yllësore. Nuk bie ylli, bie shi. Shtohet zymtësia. Vetmia kërleshet. Drita e trembur në dhomë bën që njerëzit nga rruga të më shohin, të thelluar në mendime pranë dritares. Kam dëgjuar madje se ka edhe ndonjë vërejtje për pikëllimin tim të papërshkrueshëm. Sabër, sabër… thonë. Po ku më pyet mua flaka që ma djeg shpirtin çdo ditë e më shumë? Ku njeh prushi sabër? I pranoj me respekt formulat e traditës që m’i thonë me qëllim të mirë. Por ata që më ngushëllojnë kështu s’kanë rënë nga dardha. Kam rënë unë. Në një gjendje të butë të pavetëdijesisë rri kështu midis letrave të lëverdha, të zhubravitura e të ndrydhura. I mbaj nga shprehia, zogu im, sepse shumë vite kam kaluar me to. Edhe pse shkarravis aty-këtu, e lë si gjurmë ndonjë fjalë shqipe, nuk them se janë shkrime këto. Unë kështu vetëm flas me ty. Mendoj se Ti meriton shumë, shumë më tepër kujdes. Prandaj gjithherë do të qëndroj kështu.

Tash hëna e lodhur mezi e shndrit lumin që e quajmë jetë. Ky lumë që rrjedh kështu i zi duke i bajtur ditët tona, zogu i babit, është diçka që s’e gjen dot as te simbolistët e as te ekspresionistët. Është diçka më shumë. Është një lumë dikur i madh që sot ka mbetur një përroskë e mjerë. Është kjo një skenë tronditëse me babanë Tënd brenda që sillet e mbështillet në rreth. Dhe, vuan. Aty, biri i babit, janë shkruar të gjitha dëshirat, të gjitha ëndrrat Tua të parealizuara dhe shterja e këtij lumi deri në këtë shkallë që po i zbraz fshatrat tona të cilat ti i doje për shkak të njerëzve të mirë dhe për shkak të peizazhit të bukur. Si mund të ndjehem unë në këtë skenë, si mund të ndjehem aty ku u vihet pikë ëndrrave Tua të bukura? Para meje, thellë në skenë kalëron rrugës së verbër njëri nga kalorësit e Apokalipsit. Rruga, si rrugë me personazhet e veta djerrakohës, e bën punën e vet. Unë, i mënjanoj rrugën dhe kalorësin dhe mundohem t’i shpaloj të gjitha ëndrrat, të gjitha dëshirat që kemi pasur. Aq shumë janë sa më dhëmbin. Dhe, më vjen të qaj. Për djalin tim që shumë gjera i mbetën pa realizuar. Për djalin e mirë që e kam humbur. Për djalin që tërë jetën i thoshte nënës së vet: “Nëna ime, shpirti im”, dhe kështu nënës i jepte flatra ta shijojë jetën duke parë së larti të gjitha ngjyrat e botës; që i thoshte motrës së vet: “Pse po mërzitesh ti? A s’po sheh se më ke mua si luan pranë teje”? dhe kështu i hapte horizontin e ëndrrave të cilin asaj ia mbante mbyllur pamundësia fizike për lëvizje; që i thoshte Arbës: “Të çoj babi ty në Durrës kur të duash”, dhe gëzimi fëmijëror mbushej prush me lule gëzimi; që i thoshte Edlirës: “Do ta bëjmë një banesë te pazari në Tiranë” dhe e ofronte kështu një siguri për jetën e gjatë që kishin përpara; që më thoshte mua: “Babi im” duke më përqafuar para se të shkoja të fle dhe kështu mua më merrte gjumi lehtë, lehtë, dhe zgjohesha krenar, jo për punët që kam bërë gjatë tërë jetës së mundimshme, por për djalin e mirë që kisha.

Shikoj andej e këndej në këtë pejzash me dritën e ftohtë të hënës. Gjithandej dëgjohet troku i kuajve, i kalit të drunjtë dhe i kalorësit të Apokalipsit. I shoqëruar me të shtëna automatikësh që e shpojnë natën. Dhe, vetmia e skajshme me perin e najlontë lidhur për qafën time. Shikoj e më sillen ndërmend peripecitë e shumta që kanë kaluar nëpër kurrizin tim dhe i krahasoj me këtë goditje që ma dhanë qiejt, duke ma marrë djalin. S’më duken asgjë mundimet dhe të zitë e ullirit që kam hequr. Të gjitha peripecitë më duken si shaka që m’i bënin nga Olimpi. I kam harruar ato që vinin goditje pas goditjesh vit për viti, muaj për muaji, ditë për dite. Ato i kam hedhur pas shpine. Ato janë një e kaluar. Largimi Yt, zogu i babit, është diçka që s’harrohet kurrë, është shumë i rëndë. I padurueshëm nga dhembja. Dhe, Ti s’je peripeci, po ishe shtyllë e kësaj shtëpie, biri im. Ti s’mund të jesh e kaluar, por je një e Tashme e theksuar, një e Ardhme e përjetshme, një e çast i prekshëm që nuk lëviz fare në kohën që rrjedh dhe gjithmonë qëndron i paluhatshëm, i patundur në kështjellën e bardhë të fjalës shqipe.

Emri Yt, pa dyshim fare, do të bëjë dritë kahdo që do të shkelin Arba me fëmijët tjerë. Ta dinë ata kush ka qenë babai i Arbës.
Ja ku e ku nis të notojë vatra jonë në kënetën e brengave, kurse mbi të kalëron reja e zezë e cila i fik yjet. Dhe, rri pezull nata mbi ne. Në terr kur jam vetëm e të tjerët flenë në këtë “anije që përkundet në valët e trazuara” nuk e kontrolloj dot gjëmën. Më shkoi djali! Më shkoi djali! them. Më shkoi djali! Kush mund ta durojë këtë goditje?! Djega që shpërthen për Ty atëherë, shfaqet si vetëtimë që e mbulon kupën qiellore, m’i lëbyr sytë e pastaj lëshohet e tëra mbi shtatin tim, ma kall shpirtin, ma bën qymyr si rrufeja drurin e vetmuar midis fushe kur dridh tokë e qiell. I shkërmoqur nga goditja, unë të shoh Ty të pikëlluar në yllin e largët, të cilin s’e fik dot reja e zezë, të shoh si mundohesh të ma largosh ufmën dhe shkrumbin me freskinë e dashurisë së pafund që ke pasur për ne. Unë s’e kam dertin e flakës që më djeg, por pa humbur kohë të pyes: si je xhani im, se kam mall të pallogaritshëm për Ty, kurse Ti, pa harruar të më thuash: babushi im, vazhdimisht ma përsërit brengën për ne. Dhe, më pyet: Babush a të kam mirë ty? Pastaj shton: çfarë ka të re në teatër? Se teatri ishte dashuria e dytë Jotja, pas familjes. Pikat e lotëve Tua kristal që i ndjej në fjalët të cilat m’i thua enden nëpër dhomë e ujisin këtë natë me mjegull. Pastaj era shfaqet ta ndjekë mjegullën e dendur dhe i lëviz pak perdet. Unë… ndalem.

Nuk e di, por kam një parandjenjë të çuditshme kur lëvizin perdet. Çfarë ndodh vallë? Ç’të shoh, shigjeta të tmerrshme pluskojnë mbi kokën time. Duket lumi në skenë, me kalin e drunjtë dhe me kalin e kalorësit të Apokalipsit, por në gro plan janë shigjetat që më drejtohen mua. Dhe aty për aty më humb fytyra jote e bukur e aty më shfaqet e mërzitur. Mundohem të dal nga ky pejzash rulfian të ta largoj brengën Ty, por nga ky pejzash s’dilet. S’kam si të ta heq këtë tmerr! Edhe po të provoja s’do të kisha thënë ndonjë të vërtetë. Sepse është dramë regjinë e të cilës e bëjnë tri Mojrat. Atëherë vetëm të shikoj mallëngjyeshëm. Qëndroj para dyerve të heshtjes njëherë, pastaj e hapi derën me kujdes. E di, të them, zogu i babit, e di se unë pas teje kam mbetur një kaktus midis shkretëtire të cilit ia kanë prerë rrënjët dhe i cili mundohet ta gjejë mënyrën për të siguruar ndonjë pikë ujë. Pason sintagma e dashur që ma thua: Babi im! Të fortë të kam ty! Ngrihem në këmbë. I fërkoj duart: djali im! të përgjigjem. Era tërbohet, pastaj. Bëhet stuhi. Si e tillë shpejt ajo e largon mjegullën dhe synon të futet në dhomë nga jashtë. Por fjalëve Tua s’u del kush përpara! Jo, s’i del dot as stuhia, as vërshimi i madh. Fjalët Tua plot urti janë mburoja ime. Dhe, i dëgjoj të qarta kristal krahas fishkëllimës së egër të stuhisë. Ato fjalë të buta si flutura krahëshkruara që m’i thua fluturojnë të paluhatshme në këtë atmosferë të rëndë që e ka mbuluar me një shtresë plumbi të trashë anë e kënd qiellin. Fluturojnë, depërtojnë nëpër shigjeta e sillen këtu rreth meje, bëhen zogj të zjarrtë dhe e largojnë hallin që kemi ne të dy, biri im. Si u bë kjo mrekulli? më pyet Ti. U bë se Ti pas vetes ke lënë përjetësinë e stolisur me këngën e krenarisë, mirësinë që shkëlqen si dielli në vendlindjen Tënde heroinë. Ke lënë vepër! E cila do të udhëtojë nëpër amshim, përveç dramës që i ndodhi vatrës të cilën s’e desha kurrë që unë, Yt atë, të mbetem pas Teje këtu në këtë skenë me rërë e të eci me këmbët e lodhura dhe me gjithë dhembjen e pafund që më është bërë hije besnike. Ç’mund të bëj, ç’mund të bëj?! Më duhet amanetin Tënd ta çoj në vend. Që Arba të të zëvendësojë me lejen e Perëndisë. Nuk do të lejoj që ky engjëll i vogël ta humbë rrugën diku.

Sorollatem nëpër dhomë me këtë vendim duke çaluar dhe e ndjej si më plagosin shigjetat e fatkeqësisë. Jashtë vjen vjeshta e ftohtë dhe era i rrëzon e i shpërndan gjethet e lëverdha e të lëkuqe në dritë të hënës. Kjo është shenjë që më tregon se unë po e shkel shkallën e katërt të stinëve. Është barrë e madhe kjo shkallë, u bë tepër për mua që të ballafaqohem me mungesën Tënde në këtë kohë. Por ja që duhet ta arrij atë pikë që s’e rrok shikimi. Arbës i duhet gjyshi i saj edhe pak se është e vogël.

Të ndalemi pak te kujtimet. Sa të dendura janë kujtimet e bukura. Dikur kur ishe i vogël, më thërrisje: babi a të luaj edhe pak dhe do të vij të rri me Lindën. Që atëherë e kishe dertin e motrës. Ishte ky një premtim i fortë dhe fisnik i një fëmije shpirtbardhë. Unë atëherë të merrja në krah e të përqafoja. Të thosha: hajt me babin, dil pak dhe vetë shkoja vrap pas punëve plot gëzim sepse punoja që të keni fëmijëri më të lumtur se timen. Dhe, s’u ndala kurrë. Unë vazhdoj e eci me malin mbi shpatulla. S’ka pushim për mua. S’ka të ulur për mua. Se po e vazhdoj brengën që e ke pasur për Lindën. Po gabova e u ndala, mali do të më të më zërë përfund dhe do të më bëjë bërsi. Prandaj eci me të rrahura të shpejtuara të zemrës, ani se laku i këmbës më është dobësuar. Do të shkoj kështu përpara se ende u duhet kjo dorë e lodhur njerëzve të Tu të dashur që m’i ke lënë amanet. U duhet dora që bën punë, jo që rri në ballë të oxhakut duke bërë sefa me kamish në dorë.

O zogu i babit, jam bërë pragmatik, sepse puna e do. Mirëpo nuk heq dorë nga parimet etike. Tash përparësi e kam të sillem rreth vatrës ku u rrite dhe ku shndrite Ti. Të punoj ende, të punoj ende… Të kujdesem për këtë vatër. Dhe, për njerëzit që i ke pasur për zemër.
Po më shkon flaka, bir, prandaj unë në këtë mënyrë flas vetëm me Ty. Se ti ishe gëzimi im, lumturia ime. Mund të thotë dikush se flas vet me vete. Le të thotë. Unë vazhdoj me timen. Flas në heshtje me Ty deri në të rrahurën e fundit të zemrës. Se bisedat me Ty ishin bukuria e jetës. Ishin freski në vapën më të madhe. Gëzim pas punës së mundimshme. Çlirim prej halleve të shumta. Fjalët Tua nuk do të zhbëhen kurrë. Sepse shoqërohen me një organo magjike që i derdh notat nga lartësitë e padukshme. Flas e merremi vesh mirë mes vetes.

Unë ta tregoj si sillem në përvëlimë, të tregoj për natën që më mban peng dhe hallin që po ma shtrydh shpirtin, kurse Ti më flet për brengën e madhe që ke lënë pas vetes princeshën e vogël, Arbën – yll. Dhe, aktrimin të cilit ia preke kulmet. E për të cilin u dogje. Ah, edhe pak kohë më është dashur ta realizoj një ëndërr që do të të bënte babanë më të lumtur në botë, babi im! më thua. Ne s’ndalemi së foluri kështu baba e bir, ani se shkretëtira shkon duke ia ngushtuar rrethin vatrës sonë. Edhe në këtë humbëtirë s’do ta ndalim bisedën. Është e drejtë jona kjo, apo jo, zogu i babit? Këtë të drejtë – të flas me ty – s’ma merr dot kush. As kjo shkretëtirë e pafund që po na i tregon dhëmbët e mëdhenj! Unë kështu, duke folur, e shoh edhe figurën Tënde të ndritshme.

Ja, e sheh, nuk shkruaj unë, zogu im, por po flas me Ty e po të qahem Ty për këtë hall mbi halle që kam pse mbeta kështu një kaktus që flet. E di se nuk është mirë që një baba t’i ankohet të birit për hallet që ka. E di. Babai nuk do që djalin ta fusë në labirinte të dhembjes. Po çfarë të bëj kur nuk kam njeri si Ti që të kisha edhe djalë, edhe vëlla edhe shok? Kujt t’i rrëfehem kështu shtruar unë tash që Ti më ike bashkë me zogjtë që i kishin foletë në manin e madh e që një dorë e zezë e preu atë natë degën me çerdhet kur ike ti dhe kur qielli bashkë me mjegullën binin poshtë e më poshtë duke e mbyllur me dry horizontin që të mos mundem të shikoj larg e të shoh a ka ndonjë shpresë për manin tonë që e donim aq shumë, atë me çerdhet e zogjve këngëtarë apo s’ka dhe kuptohet a do të më vish Ti në shtëpi të na përqafosh të gjithëve si e kishe shprehi. Kujt t’ia qaj hallin tash si Ty? T’i rrëfehem malit, siç thotë kënga popullore, mali ka dëborën peshë mbi vete, t’i rrëfehem fushës?… A drurëve të parkut që i ka mbështjellë errësira e rëndë nëpër të cilën nuk shihet asgjë e vetëm dëgjohet gjëma e nënës, me notat e dhembshme. Ku ta marr forcën përveç se te vepra jote që na bën krenarë?

Dua ta ruaj në kujtesë edhe kërcëllimën e ngadalshme të derës kur ktheheshe vonë nga ndonjë shfaqje dhe sa hyje në dhomë e më shihje zgjuar, më pyesje: “Babush, a ende nuk fle?… Ec, shko bjer, babush, se shumë vonë është”… E pres çdo natë atë kërcëllimë, por dera nuk hapet më. Po kërcëllima ka mbetur aty në zemrën time e qartë dhe shfaqet e përsëritet në kujtime me një formë vaji. Prandaj çohem nga shtrati dhe u vë vesh hapave të Tu kur do t’i afrohen derës. Dhe e pres atë vajin e njohur të derës. Ku ta di?… Edhe Konstantini i Vogëlthi është kthyer nga varri te nëna e te motra e vet, o zogu im, e pse mos të kthehesh Ti, kur Ti, për dallim prej Konstantinit, përveç nënës e Lindës, motrës Tënde i ke edhe Arbën dhe Edlirën? Më ke edhe mua! Prandaj rri dhe u vë vesh hapave. Dhe më mban shpresa se do të kthehesh. Djali im!

Muza çdo natë pa gjumë m’i sjell në dhomë notat e hapave të tu, buzëqeshjen tënde, nurin tënd. Nurin e djalit tim të mirë. Emrin Tënd. Kumbimin e tyre herë të ngadalshëm, herë ngutshëm kur vije i mërzitur për ne. Këto i dua dhe këto më duhen. Veçanërisht emri Yt që duhet të vendoset në ballë të ndonjë institucioni. Këtë e dua. Aty e ka vendin ky emër, bashkë me shokët Tu që e mbrojtët dhe e ruajtët fjalën shqipe. Kur të realizohet kjo ëndërr do të vijë dielli, do të futet për dritareje dhe do të rrokulliset plot gëzim në këtë dhomë. Atëherë nuk do ta ndjej dhembjen nga “prushi nën këmbë” dhe do të vazhdoj të eci lehtë shtegut me malin mbi shpatullat e lodhura. Pa e ruajtur emrin Tënd së bashku me shokët e Tu – nuk e lë. Do të jetë shteg me thepa shumë e me hurdha të mbushura me ujë, ama me krenarinë Tënde që i takoje kësaj vatre dhe se ishte biri i asaj nëne që kur në skenë e thërrite NANË, ushtoi salla dhe publiku bëri një përrua lotësh që ishin lot krenarie sepse kjo fjalë ishte kushtrim, të cilin publiku e përshëndeti me duartrokitje. Do të bëhet kjo se nuk jam vetëm, biri im
Kush mund të ma ndalë t’i dëgjoj hapat Tu të butë kur korridorit i afrohen derës. Me të vërtetë është e papërshkrueshme ajo ndjenjë që i ruan tingujt e hapave Tu. Po shpirti im është, o zogu i babit, ajo kështjellë që i ruan të gjallë të gjithë tingujt që vinin nga hapat Tu në korridor, vajin e butë të derës kur e hapje natën vonë pasi mbaronin premierat, zërin e motorit të veturës Sate kur nisej e kur ndalej dhe thirrjen e veçantë drejtuar Arbës: “Arbush”!

Këta tinguj, këto zëre, këto kumbime, këto fjalë janë unike. Ato mund t’i rrokë vetëm veshi i ndonjë Moxarti e t’i qesë në letër si nota magjike. Por bëri e më preku kush lehtas në sup të më pyesë diçka tronditja prej tërmeti e shpirtit që mungesa Jote në dhomë ma bën me dije se janë vetëm gjurmë tingujsh që kanë mbetur në kujtesë me notat e organos. Sa keq.

Njëherë, në këto biseda që i bëj me Ty, të kam thënë, zogu im, se tash ndjehem i dërmuar si Priami i cili e mbledh familjen e vet rreth vetes kur e merr vesh se Hektorin e ka humbur. Tash po të them, se çdo ditë që kalon, dashuria për Ty shkon duke e rritur intensitetin bashkë me pikëllimin që ka arritur një fuqi destruktive të rrënimit kolosal të Trojës. Ti s’je sinonim i Hektorit, por je sinonim i Trojës. Para meje qëndron Troja e rrafshuar dhe dridhet ylli i trembur. E shoh se një qetësi e rëndë e ka marrë pushtetin. Një lëmsh e kam në fyt, kurse vetmia përsëri e përsëri më shtrëngon për fyti, më gulçon shumë e më shumë. Pastaj më shqetësojnë ora e varur në mur dhe kukuvajka e saj. Zor sa të duash, keq sa të duash. Por themelet e kësaj shtëpie s’ka kush i ruan përveç meje dhe do t’i ruaj që të ketë me çka të krenohet Arba, bija jote e mbesa ime e dashur.

Pas qetësisë shurdhuese hapësirën e mbulon me heshtje e me copa të mëdha terri. Pastaj e dëgjoj nënën Tënde duke larë enë. Mposhtet heshtja e rëndë. Atëherë i jap zor ta largoj atë lëmshin e mallkuar që më prridh. Oj grua, i them. Po ajo nuk më dëgjon. Është e zënë. Nëna vazhdimisht e përlotur mundohet ta kthejë kaosin në harmoni. Lan enë, hekuros, fshin pluhurat, bën dreka e darka. Po kurrë nuk i bën më gjellët që i doje Ti. Ato gjellë janë vetëm të djalit tim, të Luranit tim. Nuk më shkojnë duart t’i bëj më ato, thotë dhe lotët si kokrra qelibari i rrokullisen faqeve. Pastaj lëviz ajo nëpër dhomë duke i tërhequr zhargas këmbët e rënduara dhe pas saj mbeten pika lotësh e gjurmë vajesh. Fytyra e saj e ka humbur më freskinë. Ulu, moj grua, pusho pak, merr frymë, i them, kurse ajo më përgjigjet: Më shkoi djali! Dhe, përsëri qan. Unë i ngre duart me mundim dhe e kërkoj dorën Tënde që ishte melhem për çdo dhembje tonën. Dua ta ndjej atë ngrohtësi hyjnore të dorës Sate, kur kalonte butë mbi flokët tonë. Dua të na prekë në ballë ajo dorë.

Mundohem ta shpaloj tërë kujtesën si libër e t’ia tregoj nënës Tënde ta shohë siç shihet albumi ku duket djali i saj i buzëqeshur, djali i saj i fortë, e ta dëgjojë zërin e Tij kur i thotë: Ulu, moj nënë! Ja po ta sjell unë një gotë tamël, nana ime! A mos të ka shkuar mendja për ndonjë pemë? A do hurma? Rrush të thatë? Çfarë të do zemra, trego? Djali yt shkon menjëherë fluturimthi në Stamboll dhe të sjell edhe tamël zogu, nana ime! Po ajo e shkreta s’e ngre dot kokën prej punëve që ka. E më shumë prej dhembjes. Me punë e me lutje e lufton kërcënimin që ia bën dhembja të cilën mund ta mbajë vetëm nëna. Qan ajo, kurse zëri i del i lodhur: Më shkoi djali! e përsërit vazhdimisht. Dhe, kështu sillemi nëpër këtë banesë që na duket krejt e zbrazur. Herë thotë njëri: më shkoi djali, herë thotë tjetri. Por do ta mbushim këtë dhomë me të gjitha fjalët që i kanë thënë njerëz të zgjedhur për Ty, biri im. Dhe do ta bëjmë një përmbledhje të kujtimeve më të mira që na i ke lënë. Do të të mbajmë gjallë, zogu im. Bashkë me portretin Tënd të madh.
Dhoma ime e vogël tash s’është tjetër përveç se katër mure vajesh.

M’u vonove shumë bir, shtatë muaj! Më vjen t’i mbledh e t’i hedh letrat që më rrethojnë në erën e shkretëtirës. Por s’do të merrem me to. Unë frymoj vetëm kur e di se kam njëfarë lidhjeje metafizike me ty! I lë letrat aty ku janë dhe kërkoj ndonjë libër. Libër të vjetër. Që do të jetë libër i dashur për Ty. Nuk e gjej shpejt atë që dua në mesin e mijëra librave renditur nëpër raftet e shumta. Në fund më kujtohet Volteri dhe tregimi i tij “Memnoni ose urtia njerëzore” që ti e pëlqeje dhe kishe dëshirë të më flisje për të, për atë tregim ku personazhi, pra Memnoni, vendos të tërhiqet nga rrëmuja në vetmi, të bëhet i urtë, ta sigurojë rehatinë e mirësinë, por kurrsesi s’ia del. Në vend të këtyre vlerave ballafaqohet vetëm me telashe, zullume, krime, me situata pa shtegdalje. Nuk dilet nga vorbulla e jetës së rëndomësisë. Kur flisje për këtë tregim, në fakt e rrëfeje një ese të bukur Tëndin me pikëpamjet Tua fisnike për jetën. Yjet atëherë heshtin dhe dëgjojnë. Bëhet një qetësi marramendëse aty ku evokohet fjala Jote. Çdo fjalë bredh e bredh lozonjare dhe në zgrip të oazës bëhet lule. Si Ti. Sepse ti gjen zgjidhje të çuditshme edhe në këto rebuse si të Volterit. Unë, me gjithë barrën e pamundësisë dhe me peshën e moshës, i afroj dhe shoqërohem me to, e heq mallin me to duke e mbajtur peshën e gjithë atij mali. E s’më lë gjatë të çmallem me Ty. Por Volteri është shumë kokëfortë. Ai këmbëngul se të gjithë njerëzit dhe krejt gjallesat i ndjek një hije fatkeqësie dhe doemos diku i arrin dora e saj e ftohtë.

Pa shiko, atëherë para meje në një kënd të dhomës së vetmisë, merimanga e ka ngritur një rrjetë të madhe në të cilën është ngatërruar një mizë. Përpëlitet miza e gjorë t’i heqë prangat, por s’ia del. Kot mundohet t’i lëvizë flatrat dhe këmbët. Miza më duket si unë në këtë vatër të rrethuar me rërë. E zënë pisk. E djeg flaka e pamëshirshme e ngushticës ku ka rënë. Por, e gjora, nuk heq dorë nga shpresa. Kur lëviz ashtu e siç është në kurth, më duket se shan që nuk gjen çare. Mua më dhimbset miza, por s’guxoj të prek atje. S’është punë për mua ta shpëtoj mizën ose ta vras merimangën. Atëherë më del një “oh”. Ky “oh” thotë: Çfarë po mendon ti? Edhe ti e ke punën pisk… Çfarë të mbetet ty përveç se të bisedosh me djalin tënd? Aty e ke të vetmin shtegun. S’ke shteg tjetër. A mos mendon se do të zgjatet ndonjë dorë shenjtori të të nxjerrë nga shkretëtira? E di, e di, thotë ndërgjegjja në vend timin. Pastaj e shikoj përsëri mizën që përpëlitet. I kërkoj mundësitë që ka e shkreta për t’ia mbathur nga fati i zi që e ka zënë aty. Më në fund e shoh se mbi rrjetën e merimangës lëvaret një pe i hollë e vala e lehtë e ajrit herë ia afron mizës e herë ia largon. Miza e sheh si shteg shpëtimi të kapet për peri dhe vazhdon të përpëlitet sa herë që peri i afrohet. Hë, e zura perin dhe i ika merimangës, mendon e shkreta mizë, por peri i ikën e ajo mbetet në rrjetë. Ajo e di se i vetmi shteg i mbetet peri. Do të afrohet, do të afrohet… shpreson ajo, ndërkaq më parë afrohet merimanga me tetë këmbët e saj të zeza dhe bashkë me të edhe terri që ia mbyll përfundimisht sytë mizës. Sa të ngjashëm e kemi fatin unë e miza.

Edhe unë s’kam shteg tjetër përveç se të bisedoj me Ty, biri im. Vetëm ai pe i hollë më ka mbetur, ai pe me të cilin luan era. Dhe, nuk do të lejoj që si miza të më ikë peri. Do ta kap perin se s’bën. E do të vazhdoj edhe shumë gjatë të bisedoj kështu me Ty. Do të flas ta zbus këtë flakë. Këtë dhembje. Këtë mall. Që më mbajnë peng. Do të jenë biseda të gjata këto, të vazhdueshme në netët e gjata. Domosdo do të flas me Ty ta ushtroj qëndresën. Dhe, dashurinë që kam për Ty. Do të qëndroj, biri im, se më ke thënë ta mësoj Arbën të bëhet vajzë e urtë dhe t’ia lehtësoj mundimet Lindës ashtu si kishe dëshirë Ti. Do të notoj edhe në anën e kundërt të rrymës për të ruajtur atë pasuri që e le Ti pas vetes: familjen, ëndrrat fisnike për një teatër të madh. Rolet e bukura që i ke pasur në teatër e në film. Dhe do t’ia dal. Do t’ia dal. Se të dua shumë… Do t’ia dal ta shoh Arbën të madhe të krenohet me Ty!
Më kanë thënë se në banesën tonë, kati i shtatë, gjithë natën duken dritat nga dritaret nga rruga. Nga jashtë duket dritë. Brenda nuk është bash ashtu. Zymtësia, zbrazëtia dhe vaji i qetë i nënës janë patronë të kësaj atmosfere. Unë, si gjithherë, jam me ty në këtë hata. Bëj plane si t’i mbaj si qengja rreth vetes anëtarët e kësaj familjeje të plagosur.

Nëna mundohet ta largojë dhembjen duke vendosur rend e harmoni siç doje ti. Unë dua të të tregoj se muret që i kemi lyer më duken si palimpsest dhe se përfund gëlqeres kanë mbetur si shenja përjetësie fjalët Tua. Po është edhe një duaj drite që nuk zhbëhet në këtë dhomë– je Ti, biri im që i jepje kuptim vatrës sonë. Është edhe Arba. Këtë dritë e shohin njerëzit kur kalojnë rreth shtëpisë sonë. Në këso çastesh vjen më së shpeshti Muza te dritarja. Atëherë tërë errësirën e përzë ajo brenda dhe jashtë. Kështu hapësirën e mbulon me një bardhësi. E hap dritaren dhe Muza atëherë m’i shton të rrahurat e zemrës me magjinë e saj. Sepse në hapësirë e shoh vetëm portretin Tënd. Muza ma mban para sysh një kornizë të madhe me portretin Tënd të buzëqeshur dhe e lëshon në dhomën time të pluskojë zëri Yt. Foli! më thotë Muza. Ja ku e ke djalin! Ime shoqe lutet për ty në një kënd. Oj grua moj, i them sime shoqes, më ka marrë malli të flas me djalin tim, moj! Ajo më shikon e përlotur me librin e lutjeve në dorë. Ajo i heq syzet, e vendos librin mbi tavolinë dhe qan, qan duke e shoqëruar vajin me thirrmat: Biri i nanës, Lurani i nanës, si më shkove bir pa të bërë hyzmet nëna ditët e fundit?

Unë, ndonëse i helmuar nga pikëllimi e vazhdoj bisedën me Ty. Kjo është bisedë ku çudia m’i sjell fjalët tua të bardha si bora. Ti më thua: kujdes kur del prej shtëpie natën, babush, se qyteti ka qenë të tërbuar. Mos u mërzit për mua, biri im, ta kthej. Ti më shikon plot ngrohtësi dhe shton: Babi im… Do ta bëjmë një shtëpi që ta keni më lehtë ti e mami, t’ia largojmë barrierat Lindës dhe ku të ketë Arba të luajë. Unë të dëgjoj me kujdes. Pastaj ndalet rryma elektrike. Lagjen e mbulon përsëri errësira. Ku të kam, o zogu im?! të kërkoj. Të dëgjoj si qesh nga një largësi. Pastaj vazhdoj të flas me Ty për shtëpinë që na mbeti pa bërë, për shkollën e Arbës. Vazhdoj të flas se Muza nuk na tradhton. Ajo bën roje sa flasim unë e Ti. Deri në çastet kur Aurora i ngre gishtat e saj të trëndafiltë mbi kurrizin e malit. Atëherë e marr malin dhe e qes mbi shpinën time të lodhur.

Ja, shiko, askush s’mundet të më ndalë mua të flas me djalin tim? Edhe tash me këtë peshë të mali që mbaj, edhe në terr, ndodh diçka që s’lejon të ketë ndalesë e të ketë mur midis nesh. Me këtë hall të Sizifit që kam gjej forcë të rrënoj mure e pengesa që duan të më ndajnë prej Teje. Dhe, flas me Ty që ta ruaj zërin Tënd kur më thoshe: “Babush, si të kam”? Ai zë i butë që sillet rreth meje në qetësinë absolute të netëve pa gjumë vjen me lutje që të qëndroj afër Arbës dhe afër Lindës? E mban mend si më thoshe: Babi kujdesu për veten të lutem se ti je më i rëndësishmi! Nuk e dija pse insistoje aq shumë, nuk e dija pse mendoje se unë qenkam më i rëndësishmi, duke të pasur Ty, djali im. Do ta kesh pasur ndonjë brengë të madhe prej të cilës më ke kursyer e më ke ruajtur prej të ligës. Do ta kesh pasur ndonjë parandjenjë që s’ke dashur të ma tregosh! Sa më ke kursyer, zogu im! Tash ky kujdes duket si një amalgam i dhembjes dhe dashurisë për Ty. Unë do të kujdesem me shpirt tash për të katërtat anëtare të kësaj çerdheje që mbet pa Ty, sepse porosia Jote është e shenjtë për mua. Ato janë familja Jote e dashur, familja ime e plagosur, sepse nuk të kemi pranë.

Nuk është lehtë të ballafaqohet njeriu me të gjithë këtë mozaik të dhembjes e të detyrimeve që kam unë. Prandaj po ta përsëris, zogu im, do të komunikoj me Ty. Do të flas me Ty e do t’i dëgjoj fjalët Tua sa të jetë jeta. Ato janë fjalë të gdhendura në gur e s’i fshin dot as bora, as shiu, as dhëmbi i kohës. Do ta dëgjoj këngën tënde që e këndoje ndonjëherë kur bëje dush e që në vend të instrumenteve të shoqëronin shushurimat e ujit e vinin në veshin tim në dhomë derisa kacafytesha me fjalët e padëgjueshme para kompjuterit. Do të mbetet kjo muzikë e preferuar për mua. Do të flas me Ty, zogu im, do t’i dëgjoj notat e zërit Tënd, do t’i dëgjoj barsoletat Tua. Sepse kam arsye. Sepse tash jam bërë një fjalor i madh i gjëmës dhe i dhembjes. Ato ma freskojnë shpirtin. Aty janë strehuar çaste të papërsëritshme që nga koha kur linde e tutje, te rritja jote, te fjala e medicinës së mjerë zyrtare e deri në çastet kur shkëlqeve si yll në teatër e film.

Do t’i ruaj këto çaste, do t’i ruaj këto kujtime, këto biseda, zogu i babit. Vetëm se e kam një hall: shumë rëndë qenka, sa rëndë kur nuk arrij të të përqafoj. Nuk e mban dot as Atlasi këtë barrë që e kam prej shtresave të njëpasnjëshme të paskrupullsisë që na goditi e që po palohen me peshë të padurueshme mbi shpatullat e mia. Prandaj s’kam çare pa folur me ty, o djali im. Më duhet ta ruaj të freskët fjalën tënde, sepse ajo ma zbut dhembjen, sepse ajo ma falte krenarinë mua, sepse pa të unë s’mund të jem unë. Pa të do të bëhesha një varfanjak i cili as një çerek thesi drithë s’ka fuqi ta çojë në mulli, kurse me fjalën e mirë varfanjakut i shtohet dhjetëfish forca, si mua që më bën të qëndroj në këmbë çdo shenjë jotja. Kështu do të veproj pasi m’u grabit pamëshirshëm mundësia të të përqafoj. Prandaj më duhet fjala jote ta zbus dënimin e Sizifit që po e mbaj unë. Edhe Atlasi më të rëndë e ka ndjerë mungesën e fjalës se sa peshën e kupës qiellore që e ka mbajtur mbi supe. Mungesa e fjalës është më e tmerrshme se ngjyra e zezë me të cilën mbulohet një tekst i shenjtë për t’i humbur shenjat e shenjta. A nuk është arsye e fortë që e dua aq shumë fjalën Tënde ta kem në shtëpi? Nuk dua ta harroj zërin e fjalës Tënde. Atë fjalë që e thoshe me finesë, atë fjalë që kumbonte në skenë para publikut të shumtë në sallë. Atë fjalë hyjnore – Nanë… Oj Nanë! që e the aq ndjeshëm në shfaqjen “Bregu i pikëllimit” me tekst të Teki Dervishit dhe regji të Altin Bashës. Ajo fjalë kur e thua Ti dallon nga të gjitha fjalët që derdhen përditshmërisë. Fjalët e përditshmërisë shpesh janë fjalë me ferra e me thumba, fjalë që e kanë shpatën që na matet mbi kokë, fjalë me kërcënime, fjalë me helm, fjalë me injorim, fjalë që i merr era dhe i tret. Fjala Jote – NËNË është krejtësisht ndryshe.

O zot sa e afërt, sa e dhembshme, sa e ëmbël, sa e paharrueshme është fjala nënë kur e thoshe Ti në skenë. Ajo ishte fjalë – gjëmë, fjalë protestë, fjalë – dashuri. Ishte fjalë që merrte shumë ngjyra dhe fitonte shumë shtresa të bukura semantike. Ishte e dashur pa kufi kjo fjalë hyjnore kur e thoshe Ti, ishte edhe plot dhembje, por të jepte edhe shpresë edhe çonte porosi se nëna është e shenjtë dhe për të duhet investuar shumë copa shpirti. Ajo fjalë jotja NANË në çdo tingull ka nga një butësi të lules dhe një ortek dhembjeje dhe një vistër kuptimesh të veçanta fisnike. Ajo fjalë Jotja mban mbi supet e veta të vërtetën dhe ajo fjalë është jehonë që kalon nëpër amshim shtigjeve tona, por njëherësh i jep formë e drejtpeshim të vërtetës duke e bërë të prekshme për çdonjërin shenjtërinë e saj. Atë fjalë vetëm Ti mund ta thuash ashtu si duhet dhe me tërë laryshinë semantike. E tash do ta përqafoj Arbën fort, fort dhe jam i sigurt se ajo do të dijë ta thotë fjalën nënë kumbueshëm si Ti.

Do të vazhdoj kështu, biri im përpara. Në mos kush tjetër Muza do të qëndrojë natë e ditë pranë meje në këtë ngushticë ku më ka futur fati si mizën në rrjetën e merimangës. Dhe kuptohet madhështia jote. Do t’i iki vrazhdësisë që rri në prita, do t’u iki injorimeve që na bëjnë, t’u iki edhe tekave të njerëzve të afërm, por do t’u iki edhe provokimeve të rralla që prekin krenarinë Tënde. Asgjë nuk më duhet më zogu im, përveç Teje? A ka kush që ma kthen djalin? Për djalin digjem dhe vetëm për të kam nevojë. Djali më duhet t’i thotë siç i thoshte gjithherë të bijës: Arbush shko përqafoje dudin tënd, shpejt! Do të eci shtegut të ëndrrave Tua! Biri im,

Unë, babai yt, jam vetëm. Jam feniks për të qenë dhe nën këmbët e akullta të pikëllimit i jap forcë e çohem. Marrë parasysh se më godasin ftohtësia e mungesës Tënde dhe pamundësia që t’i kthehem vetes të bëhem ai që kam qenë, unë vazhdoj ta ruaj amanetin Tënd. Të punoj. Pa pushuar. Të bëj gjithfarë punësh. Sepse Arba duhet të rritet me krenarinë që ia ka lënë emri Yt. Kuptohet nuk e kam lehtë fare. Ftohtësia e mungesës sate dhe pamundësia t’i kthehem vetes janë dy punë të vështira. As e duroj ftohtësinë e as mundem t’i kthehem vetes. E si do ta duroj ftohtësinë që është si të ftohtit e natës shkretinore me rrezikun e kobrës dhe si t’i kthehem vetes tash në këtë shkretëtirë, kur vetes i kthehesha midis luleve e blerimit të pafund kur të kisha Ty pranë. Përsëri është zëri yt, fjalët Tua kur më thoshe me dashurinë që vetëm ti dije ta dhurosh: Babi im që më jep forcë, bashkë me gëzimin e Arbës që e mbush shtëpinë! Atëherë çohem. Eci, flas në telefon me njerëzit për Ty. Për ty më duhet të jetoj, bir.


Ta lëmë skenën ku jam unë me laps e me fletore. Të të tregoj, zogu im, se po të mos ishte Emri dhe Individualiteti Yt ne do të ishim diku në zbrazëtinë e anonimitetit. Emri Yt është ai që po e mban në këmbë vatrën tonë që tash edhe pse luhatet ndonjëherë nga vajet, edhe pse kërcëllojnë tratë e saj nga shtrëngata shpirtërore që na ka vënë përpara, vazhdon të mbetet në këmbë për shkak se është vatra Jote. Rrimë në këtë shtëpi, njëri andej e tjetri këndej se nuk është autoriteti Yt i Hektorit që na mbante bashkë, por kemi qindra e qindra kujtime dhe Arbushin engjëllore. Megjithëse kemi nisur të humbim në mjegull nga pak e mos ta shohim mirë njëri-tjetrin, ne jemi këtu ta ruajmë emrin Tënd, siç na ruan emri Yt neve veçmas Arbën. Ah, Arba e bukur si e mbush vatrën tonë me gjallëri. Njësoj si Ti.

Tash nuk është rendi si atëherë kur ishe Ti. Ka lëvizur pak. Tash dikush del, dikush hyn. Herë vijnë miq e dashamirë, herë dalim ne nga Detyrimi, herë rrimë në heshtje. Neve më shumë na shoqëron vetmia që na pëshpërit se jemi njerëz midis shkretëtire të cilët e presin një fjalë shpëtimtare ose një dritë të vogël në malin e largët nga rëra pa fund që ta vazhdojnë udhëtimin e mundimshëm nëpër gjarpërinj dhe akrepë shkretinorë. Por është një fat në këtë fatkeqësi. Ne nuk kemi nevojë ta shikojmë flakën nga mali. E kemi Arbën dritë udhërrëfyese shtegut jetësor. Kur është Arba në shtëpi, në shtëpi ka ngrohtësi, ka diell. Kur s’është ajo, na vërsulet sikleti me heshtjen e rëndë, me vranësirë të dendur që mundohen të ushtrojnë pushtet mbi ne. Nga sikleti atëherë unë e vë dorën mbi vetulla të shoh se çfarë ka jashtë këtyre mureve që rënkojnë, por në mjegullën që kam para sysh s’ka gjë tjetër përveç qetësisë së pafund që e ngarkon shpirtin tim me rrangalla të përditshmërisë thuajse po mbushet ndonjë barkë me peshë aq të madhe e cila medoemos përfundon me përmbysje.

Ndonjëherë më përhihet diçka si ndonjë krijesë e përtejbotshme që e frikëson afrinë dhe e largon harmoninë. Diçka është sepse e di se hijet e kuqe vazhdojnë të kullosin mjegull rreth e përqark nesh. E dëgjohet pëllitja e tyre nëpër jehonën e musteqoshit gjeorgjian. Kot e kanë. Meqë s’të kam ty, unë kam humbur gjithçka që kam pasur. Le ta marrin hiçin! Liria tash nuk e ka atë shijen për të cilën aq shumë u sakrifikova. Dhe, e pata apo s’e pata, për mua është krejt njësoj. Lirinë e vërtetë, me shije lirie, e mbroj me zili vetëm për fëmijët e çerdheve, të kopshteve dhe të shkollave. E ruaj për Arbën Tënde dhe tonën, sepse atë e kemi dritë, gëzim dhe shpresë.

Zogu im, babi i shfletoj gjurmët e dyshimit pse më ndodhi mua të më ikësh kështu. A mos ishte dorë e të pabesit apo ishte kjo një padrejtësi hyjnore që na la Ti e unë të flasim kështu midis heshtjes së padurueshme dhe lotëve që rrjedhin si ujëvare faqeve tona me zhubra. Qe si qe, kështu apo ashtu, ditët tona që rrjedhin padiktueshëm, pandalshëm dhe qetë herë vijnë me grumbuj mjegulle e terri, herë me dritë të lodhur e me shi. Dëgjohen edhe troket e të katër kalorësve. Por mos u mërzit, zogu im. Unë jam këtu për Arbën dhe për Lindën. S’e lejoj as frikën, as lëmoshën as planet hileqare të afrohen te dera jonë. Sepse është Arba tash shtylla e vatrës. Arba është drita që ke lënë pas vetes. Do të ecim përpara për Arbën Tënde.

Tash herë bie shi, herë na vjen ftohtë, herën tjetër kemi zjarrmi, herë retë rrëshqasin andej-këndej, herë e mbulojnë qiellin, herë e shohim diellin pas shiut si loz me ngjyrat e ylberit. Parku është ngjyrosur me të verdha e me të kuqe. Ndërsa derën tonë e shtyn ta hapë monotonia, sepse dhoma pa Ty ku Ti qëndroje para televizorit duke analizuar në heshtje absolute filmat dhe çastet kur vrapoje me Arbën e vogël duke luajtur kukafshehtas. Ose kur shikoje futboll kur luante Arsenali nuk është dhomë e plotë. Kjo më dhemb, zogu im.

Arba me Edlirën shkojnë në shkollë. Arba është klasa e parë ku doje ti ta regjistrosh. Pas dite Edlira me Arbën dalin në park. Të luajë Arbushi me fëmijët! Ka nevojë vogëlushja Jote, sepse loja e rrit. Kur del Arbushi e merr një kukull – qen ose mace në duart e saj të vockla e të bukura. Ajo si gjithmonë thotë: Babi ma ka blerë. Në dhomë përnjëherë del një plim kandrrash të imta. Lëshojmë t’i largojmë. Kurrsesi s’ia dalim. Nëna dhe Edlira e kërkojnë mos kanë ndonjë strofull. Dhe, ja kikirikët e harruar në një qosh. Mule t’i hedhim, t’i heqim qafe. Marrin t’i hedhin. Unë mendoj se ti i ke blerë dhe më vjen keq që i hedhin. Po duhet të hidhen. Hidhni ju! u them. Pastaj marrin t’i largojnë kandrrat. O sa të vogla qenkan! thotë Arba për kandrrat. Gjynah, gjynah! shton, dhe kjo është një lutje mos t’i lëndojnë. Pastaj qetësi. Ne atëherë e ngremë perden dhe shikojmë drejt ardhmërisë së shpirtit tonë të vogël, Arbës sonë. E shohim diellin që ngutet me qerren e vet të zjarrtë. Nuk e dimë se kah do t’ia mbajë. Por shtegu i Arbës duket i ndritshëm.

Në mëngjes, i pagjumë, e çoj Lindën në punë dhe rri me të. Ajo punon, kurse unë e pres atë para një kompjuteri të vjetër dhe e vazhdoj bisedën me ty. Shpeshherë Linda më ndërpret: Babi a të kujtohet si më premtoi Luli se do të më sjellë në punë? Por, s’u bë! thotë dhe përlotet. Linda jeton me kujtimet tua. Dhe i ka edhe hallet e punët e veta. Lexon, lexon, lexon dhe kështu thotë – mundohem të jem më pranë vëllait tim të vetëm. Ajo bën çmos ta ruajë kondicionin intelektual. Më duhet kjo për Lulin, thotë. Krejt punën time ia kam kushtuar vëllait tim. Tash lexon një libër për Mimar Sinanin. Lexoj disa fjali, thotë Lindita, dhe më duhet të kthehem përsëri fjalive të lexuara sepse vazhdimisht më del parasysh Lurani, i cili ka pasur plane të mëdha. Dhe, më vjen keq se nuk ka pasur mbështetje si Mimar Sinani. Lurani gjithçka ka bërë vetë. Pa mbështetje. Ai ishte gjeni. Vetëm unë e njihja thellësisht shpirtin e tij. Dhe, si çdo gjeni Lurani ishte tragjedi në vete.

Pa Ty dendësohet errësira që troket llahtarshëm në ndërgjegje me fjalët-formula të kalimtarëve. Hijet që dalin nga shkurret e zabelet ecin në rreshta në hapësirën e shkretuar. Thua se më kërkojnë mua. Mundet. Se Ti s’je më e kanë lehtë të më ndjekin. Kur e kthej kokën prapa, ato largohen ose treten nëpër gëmushat e ferrishta. Vetëm qentë vazhdojnë të lehin, sa për të ma bërë me dije se Ty s’të kam më. Por, po të them se Ti je, zogu im: Ti je e do të jesh përgjithmonë! Qentë le të lehin. Unë jam me Ty, zogu im! Lurani im! Nuk të lë vetëm kurrë!

Në këtë zavall po bie një shi i ftohtë. Gjithandej shtohet balta. Gjithandej na kërcënohen me kriza të ndryshme që të harrojmë gjërat e mëdha e të merremi me çështje thërrmijash. Po nuk janë, shyqyr zotit, vetëm hijet që kalërojnë re në këtë botë. Janë njerëzit e vullnetit të mirë të cilët edhe në këtë kohë nuk heqin dorë nga vlerat. E dinë ata: një ditë doemos mbi këtë hapësirë do të shpërthejë një dritë verbuese e do ta shpërlajë çdo kënd, sepse njerëzit si Ti e kanë lënë pas vetes gjithë atë energji. Një ditë shpejt do të vijë e bardhë. Pa kurrfarë krizash.

A të të tregoj babi se Refeti, kolegu yt i nderuar, shkruan për dashurinë e madhe që kishe Ti për teatrin, një dashuri që u ndërpre dhunshëm. Refeti kështu e ngre një përmendore për ty. E di se edhe disa miq të tu punojnë për ta ruajtur emrin Tënd.
Të dua pa fund biri im!

ObserverKult

Lexo edhe:

BIRI YNË, U BËNË GJASHTË MUAJ PA TY, I ATI SHPREH DHEMBJEN PËR LURANIN