Shtatzënë e burgosën- u bë nënë në kamp dhe vajza e vogël u nda nga jeta për shkak të kushteve të tmerrshme…

Mrika Gjikola u internua bashkë me kunatën e saj Gjelën dhe vjehrrin plak, menjëherë pas arratisjes së dy vëllezërve, Prengë dhe Bibë Gjikola, në gusht të vitit 1948. Mrika ishte shtatzënë ditën që e morën forcërisht nga shtëpia në shenjë hakmarrje për arratisjen e të shoqit dhe kunatit. E nisën për në hetuesinë e Burrelit së bashku me kunatën e saj Gjelën, e cila kishte edhe vajzën e sapolindur Dila.

Sipas dëshmisë së lënë nga Gjela Gjikola në ciklin e dokumentarëve të gazetares Admirina Peçi “Dosja K” të dy gratë përjetuan ferrin në atë udhëtim të vështirë nga Kurbneshi drejt dhomave të izolimit në hetuesinë e Burrelit. Gjatë udhëtimit, siç ka dëshmuar Gjela, Mrikës i nisën dhimbjet e lindjes dhe nën presionin e policëve të armatosur, ajo solli në jetë vajzën e saj të pafat Prena e cila i kaloi ditët e para të jetës në birucat e Burrelit.

Pas katër muajve hetuesi, pasi iu deklaruan se burrat e tyre kundërshtarë të regjimit ishin vrarë gjatë arratisë për në Jugosllavi, dy gratë me foshnjet dhe vjehrrin plak i internuan në Tepelenë, fillimisht në Turan. E më pas, në kampin me tela me gjemba buzë lumit të Bëncës, ku dikur kishin qenë kazermat e ushtrisë italiane.

Pas një epidemie të tifos, që ju mori jetën shumë fëmijëve që jetonin në kushte të tmerrshme në Turan pa ujë dhe ushqim, vajza e vogël e Mrikës, Prena u sëmur rëndë. U dërgua për ta kuruar në Gjirokastër, por u kthye e pajetë. Ndërkohë, në kamp ishte sëmurë edhe vajza e vogël 3 vjeç e Gjelës, Dila- e cila kishte dhënë shpirt në krahët e të ëmës, ndërsa i kërkonte ujë.

Pas vdekjes së vajzave, dy kunatat jetuan një jetë të vështirë në vetmi me burrat e
push katuar nga regjimi komunist. Dhe me dy vajzat e vogla, që u detyruan t’i varrosnin atje në kamp, pranë një varri të një ushtari italian, ku edhe do t’i linin për 55 vjet.

Vetëm në vitin 2006, dy gratë e moshuara u kthyen në vendin e tmerrit për të gjetur eshtrat e foshnjeve të tyre.

Identifikimi, gjetja dhe zhvarrosja e vajzave më 13 qershor të 2006 dhe rivarrimi në tokën e tyre, erdhi pas një procesi të gjatë edhe rehabilitues, të mbështetur nga të tretë. U bë dhe sistemimi i tyre në arkivole të vegjël.

Në librin e studiueses Fatbardha Saraçi me titull “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, Mrika shprehet në këtë formë: “Nuk mund të vdisnim pa gjetur eshtrat e dy vogëlusheve që na vdiqën në internim… Iu referuam shenjave të tjera, por mbi të gjitha instiktit të nënës. Pas disa gërmimeve, u bë e mundur gjetja e eshtrave të fëmijëve të varrosur para 55 vitesh. U bë sistemimi i tyre në arkivole të vegjël dhe ne, dy kunatat – punuam veshjet e tyre si nuse, me kostume të vogla mirditore. Dy arkivolët i mbuluam me flamurin kombëtar. I vendosëm arkivolat në oborrin e shtëpisë ku jetojmë, e gjithë zona u mblodh për ngushëllim.”/kujto.al

———————————-

Lexo edhe:

ROMAN JAKOBSON: Ç’ËSHTË POEZIA?

ObserverKult