“Shtëpia në breg”, libër i ri i Xhavit Beqirit

Shtëpia Botuese “Buzuku” solli për lexuesit librin me proza të shkurtra poetike, “Shtëpia në breg”, të autorit Xhavit Beqiri.

Në vazhdim mund t’i lexoni disa vlerësime për librin:
Nysret Krasniqi: Autori Xhavit Beqiri në veprën “Shtëpia në breg” hyn në teatrin e kujtesës dhe krijon poezinë e rrëfimit. Ndodhitë e jetës, të përjetuara, qoftë si empiri, qoftë si narracion, marrin trajta të sublimuara në prozën poetike duke esencializuar përralloren, shpirtëroren e jetësoren. Një vepër, e cila e habit dhe e thërret lexuesin në botën e imagjinatës.

Visar K. Berisha: “Shtëpia në breg” e Xhavit Beqirit përfaqësohet shndritshëm te tradita e rrëfimtare e letërsisë shqipe të Kosovës; për kah thjeshtësia e gjuhës, pastërtia e mendimit dhe pedagogjia e narracionit. Ky libër është një borxh i kthyer ndaj njerëzve dhe tokës që e kanë pasuruar panteonin e ndjesive të autorit. Lexuesi duhet të jetë i kujdesshëm me simbolet në rrëfimet e “Shtëpisë…”, pasi ato janë fisnike në të parë, por të kristalta në prekje.

Abdullah Zeneli: Xhavit Beqiri, emër tashmë i njohur në letrat shqipe, sjell librin “Shtëpia në breg” me proza të shkurtra poetike reminishencash autoriale për një kohë që tashmë është kujtesë e largët. Thyerje e pastorales, idilës, me të renë, urbanen, e cila ndryshoi mendësi, ëndrra, por dhe realitete. Një gjuhë, herë në dialekt, herë në standard, është një intencë autoriale e shkrirjes së përjetimeve, trillit dhe traditës sonë të pasur letrare – prozat poetike të Faik Konicës, të Ernest Koliqit (Pasqyrat e Narçizit), madrigalet e Martin Camajt, deri tek Zejnullah Rrahmani etj.

Dy fjalë për autorin:

Xhavit Beqiri (1971) ka kryer studimet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës (Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe) ku më pas ka marrë dhe titullin doktor i filologjisë me Veçoritë gjuhësore dhe stilistike të “Lahutës së Malcís” të Gjergj Fishtës. Është i pranishëm në letrat shqipe me vëllimet poetike, librat me vështrime, recensione dhe ese në të cilat trajton dukuri të ndryshme (socio)lingiustike, letrare dhe vepra të autorëve tanë e të huaj. Ka botuar vëllimet poetike: “Lutje për njeriun” (1994), “Magjia e shtangies” (1997) “Shën Vjeshta” (2002) dhe “Cogito” (2015); studimet dhe esetë: “Liria e leximit” (2000), “Gjuha dhe Letrat” (2005), “Gjuha dhe stili i Martin Camajt” (2007), “Letra shqiptare” (2008), “Identiteti gjuhësor dhe globalizimi” (2012) si dhe “Lahuta… e Fishtës / Gjuhë dhe stil” (2015).

ObserverKult