Shtypshkronja e parë arbëreshe e At’ Nilos, vendi ku u botuan shumë vepra të rëndësishme

Me nismën e filologut arbëresh, Nilo Borgia (1870-1942), 111 vjet më parë, në shtator të vitit 1909, për herë të parë çelej një shtypshkronjë me emrin “San Nilo”, në manastirin e Grottaferrata-s, një nga qendrat kryesore kulturore të ritit bizantin dhe pika e referimit për arbëreshët e Italisë.

Në këtë shtypshkronjë do të shihnin dritën e botimit shumë studime albanologjike të këtij autori dhe të autorëve të tjerë jo vetëm arbëresh.

Nilo Borgia lindi më 1 janar 1870, në fshatin Hora e Arbëreshëve në Siçili. Më 6 tetor 1883, hyri në manastirin e Grottaferrata-s, ndërsa më 17 mars të vitit 1894, për nder të Shën Nilo di Rossano, themeluesit të urdhrit të Shën Bazilit në Itali, murgu i ri vendosi të merrte emrin “Nilo”.

Me 1904 u emërua pranë bibliotekës së abacisë. Më 31 dhjetor 1907, mori emërimin “At’ Nilo” si abat i manastirit të Grottaferrata-s. Pikërisht, dy vite më vonë, më 1909, ai u bë mbështetës i përpjekjeve të Vatikanit për të rigjallëruar studimet dhe kërkimet në lëmin e ritit liturgjik lindor bizantin, transmeton ‘konica.al’.

Shtypshkronja e ngritur prej tij dha një kontribut edhe për gjuhën shqipe, duke rigjallëruar fjalët e lashta shqipe që dëshmoheshin në të folmet arbëreshe. Shumë studime albanologjike të këtij autori dhe të autorëve të tjerë u shtypën në shtypshkronjën “San Nilo”.