Pikëpamjet e tij për artin e veçanërisht për poezinë, (epikën, lirikën dhe tragjedinë), Aristoteli i ka shfaqur në veprën e tij “Poetika”, e cila ka arritur deri te ne në formë të cunguar.
Por edhe me kaq a na ka mbërritur, mund të krijohet një ide e qartë mbi pikëpamjen estetike të filozofit dhe estetit të parë të madh të lashtësisë.
“Poetika” mbetet monumenti më i rëndësishëm i mendimit estetik në periudhën klasike greke.
Aty trajtohen çështjet kryesore të estetikës dhe të teorisë së artit, si: kuptimi i së bukurës, prejardhja e gjinive letrare dhe klasifikimi i tyre, marrëdhëniet e letërsisë me realitetin, parimet e vlerësimit artistik etj.
ObserverKult ju sjell kapitullin ku Aristoteli flet për origjinën e poezisë.
Origjina dhe zhvillimi i poezisë
Nga Aristoteli
Duket se poezia lindi përgjithësisht nga dy shkaqe, natyrale që të dyja. Me të vërtetë, imitimi është një instikt natyral i njeriut, i shfaqur që nga koha e foshnjërisë (njeriu ndryshon nga kafshët e tjera, se prirjen për të imituar e ka në shkallë më të lartë dhe njohuritë e para i merr me anë të imitimit); përveç kësaj, të gjithë njerëzit ndjejnë kënaqësi nga imitimet. (*Shkaku i parë shpjegon krijimin poetik, kurse i dyti shijen për poezi)
Kjo provohet nga ajo që ngjet me veprat artistike: objekte dhe qenie, të cilat, kur i shohim, ashtu siç janë në realitet, na kallin mërzitje, përkundrazi na sjellin kënaqësi, sa herë shohim fytyrat e tyre të riprodhuara, të mbaruara në mënyrë artistike, si p.sh. fytyrat e kafshëve më të përbuzura dhe ato të të vdekurëve.
Shkaku i kësaj është se të mësuarit është shumë i këndshëm, në të njëjtën mënyrë, si për filozofët, ashtu edhe për të gjithë njerëzit e tjerë, vetëm se këta të fundit e kanë në shkallë të ulët.
Gëzimi që ndjejmë duke këqyrur fytyrat, rrjedh nga puna që, duke i vënë re ato me kujdes, mundim të zbulojmë dhe të njohim se ç’gjë përfytyrojnë e të themi “ky është pikërisht ay”; dhe poqese nuk e kemi parë origjinalin më parë, kënaqësi nuk do na ngjallë riprodhimi, po puna e hollë, ngjyra ose ndonjë tjetër shkak i këtillë.
Mbasi, pra, instiktin e imitimit, harmoninë dhe ritmin e kemi prej natyre-s’flas për masat, se këto duken sheshit që janë pjesë të ritmit-në fillim, ata njerëz që kishin prirje më të madhe natyrale për këto gjëra, duke ecur me hapa të ngadalta dhe duke u nisur nga gjëra të gjetura aty për aty (të improvizuara), krijuan poezinë.
Poezia u nda në degë të ndryshme, sipas karakterit të veçantë të auktorëve; ata që kishin karakter më të lartë, imitonin veprat e bukura dhe ato të njerëzve të shquar; auktorët me karakter më të dobët, imitonin veprat e njerëzve të dobët, duke hartuar që në fillim pjesë plot me qortime, sikundër të tjerët hartonin hymne dhe lavdërime.
Nga poetët që kanë jetuar përpara Homerit, s’kemi poezi të këtillë, ndonëse ka të ngjarë që të kemi shumë; që nga Homeri e këtej kemi të përmendim p.sh “Margitin” (*poemë satirike e hartuar gjoja nga Homeri) e tij dhe të tjera si ky. Në këto, si masë më e përshtatshme u përdor masa jambike (edhe sot quhet kështu), mbasi këtë masë përdornin ata që qortonin e shanin njeri tjetrin.
Kështu, nga poetët e vjetër, disa përdorën masën heroike, një palë tjetër masën jambike.
Homeri, sikundër ka qënë veçan poet gjërash me rëndësi – se është i vetmi që ka hartuar poezi jo vetëm të bukura, po edhe plot me ngjyra dramatike-kështu ka qënë edhe i pari që tregoi format e komedisë, duke shprehur në mënyrë dramatike jo vetëm qortimet, por edhe gjërat qesharake.
Me të vërtet, atë lidhje që kanë liada dhe Odiseja me tragjeditë, atë lidhje ka edhe Margiti me komeditë.
Por kur u shfaqën tragjedia e komedia, ata poetë që kishin një prirje të veçantë për njerën ose për tjetrën nga këto-secili-sipas natyrës së vet-një palë u bënë poetë komikë edhe zunë vëndin e poetëve jambikë; ca të tjerë u bënë poetë tragjikë dhe zunë këmbën e poetëve epikë, mbasi këto (tragjedia dhe komedia) kishin një rëndësi të madhe dhe çmoheshin më shumë, se sa ato të tjerat (poezia jambike dhe epike).
Njëherë tjetër do të flasim, nëse tragjedia-e këqyrur në vetvete dhe në lidhje me artin skenik-u zhvillua mjaft, apo jo, në format e saj.
Kështu pra, tragjedia, ashtu si komedia, duke u nisur që në fillim nga vepra të improvizuara-e para lindi nga këngët ditirambike e dyta nga këngët fallike, të cilat edhe sot përdoren në shumë qytete-shkoi përpara dalngadalë, duke zhvilluar gjithë ato elemente që i përkisnin dhe më në fund, pas shumë ndryshimesh, u stabilizua pasi arriu formën e saj natyrale.
Eskili i pari shtoi numrin e aktorëve dhe prej një i bëri dy; i njëjti poet pakësoi rëndësinë që kish kori edhe rolin kryesor ja dha dialogut.
Sofokliu, më vonë, i shpuri deri në tre aktorët dhe futi dekorasionet e skenës.
Përveç kësaj, tagjedia duke lënë mënjanë fabulat e shkurtra dhe stilin qesëndistar-për shkak të origjinës të saj satireske-më vonë mori natyrë më të rëndë.
Masë e saj u bë trimetri jambik në vënd të tetrametrit trokaik; në fillim përdorej tetrametri trokaik, i cili shkonte më mirë valles mimike të satirëve.
Po pastaj, kur u zhvillua dialogu i folur, natyra vetë gjeti masën e përshtatur d.m.th jambin , i cili me të vërtetë i përshtatet shumë mirë gjuhës së folur; këtë e provon puna që ndër biseda me shoqishoqin përdorim dendur jambin, kurse hekzametrin shumë rrallë dhe vetëm ahere kur largohemi nga toni familjar.
Një ndryshim tjetër u vërtetua edhe në shtimin e episodave të tragjedisë.
Mjaft, pra, u fol për këto se me të vërtetë do të ishte një punë fort e vështirë, sikur të bënte fjalë njeriu me hollësi për secilën pjesë.
(Shkëputur nga libri “Poetika” i Aristotelit)
Përktheu: Sotir Papahristo
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
PREKËSE: PANDI TOÇE, AKTORI QË U NDA NGA JETA DUKE SHPËTUAR FËMIJËN NË LIQENIN ARTIFICIAL NË TIRANË