“Si mund të të harroja unë ty?” poezinë e Sulejman Matos e lexon Engjëllushe Alla

Poezi nga Sulejman Mato

Kisha menduar
se një ditë do të vinte harrimi.

Do të harroja më parë ca gjëra të thjeshta e që s’i duheshin askujt.
As mua as ty.
Më pas do të harroheshin ca gjëra të paharruara që s’i harrojmë dot
as unë e as ti.
Mendoja se do të harroheshin njerëzit që i kemi dashur shumë,
unë edhe ti.

Do të harroheshin vendet ku kemi shkuar së bashku
Do të harroheshin
dalë e ngadalë pyjet, malet,
qielli dhe retë…
Por jo ti…

Se ty jo rastësisht
nuk të kisha ruajtur në kujtesë,
Por në zemrën time.
Për të mos i vajtur mendja askujt
te fshehtësia ime.

Të kisha ruajtur
fshehtësisht
larg të gjithëve
Si pranë një oazi në shkretëtirë,
me një xhelozi torturuese,
larg të gjithëve
me një dhimbje
pickuese.

Aq i lumtur isha unë dhe aq i trembur
Sa që vendosa
të të shndërroja në një zog,
në tingull.

Shpesh më dukej vetja se brenda zemrës sime
mbaja një zog që cicërinte…
Mbaja zërin tënd
mbaja të qeshurën tënde prej një zogu të çuditshëm.
Dhe ecja me ty
ndër vite.

Ecja së bashku
me zogun e çuditshëm
që cicërinte…
e cicërinte.

Si mund të të harroja unë ty…?!
Jo, jo.
S’kishte se si.
Te vendi ku të kisha fshehur unë ty
nuk të prekte asnjeri.
Nuk të prekte as harrimi.

Si mund të të harroja unë ty?!

ObserverKult


Lexo edhe:

SULEJMAN MATO TREGON SI E NJOHU KIÇO BLUSHIN

Jemi mësuar me vdekjet…por jo me ikjen e shkrimtarëve të tillë, të rëndësishëm. Ikja e papritur e Kiço Blushit. Ishte për mua një ikje e dhimbshme. Kemi qenë miq të mirë dhe të vërtetë për një kohë të gjatë… Miqësia jonë u lidh qysh në vitet studenteske kur Kiço Blushi hyri në letërsi si një poet i vërtetë dhe shumë premtues. E kam dashur dhe e kam vlerësuar gjithmonë jo vetëm për vlerat e veçanta krijuese, por dhe për thjeshtësinë dhe vlerat e tij njerëzore…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU