Sulejman Mato tregon si e njohu Kiço Blushin

Sulejman Mato tregon si e njohu Kiço Blushin
Kiço Blushi

Dy vjet pa shkrimtarin Kiço Blushi

Kiço Blushi, ishte një mik i veçantë dhe një shkrimtar i madh

Nga Sulejman Mato

Jemi mësuar me vdekjet…por jo me ikjen e shkrimtarëve të tillë, të rëndësishëm. Ikja e papritur e Kiço Blushit. Ishte për mua një ikje e dhimbshme. Kemi qenë miq të mirë dhe të vërtetë për një kohë të gjatë… Miqësia jonë u lidh qysh në vitet studenteske kur Kiço Blushi hyri në letërsi si një poet i vërtetë dhe shumë premtues. E kam dashur dhe e kam vlerësuar gjithmonë jo vetëm për vlerat e veçanta krijuese, por dhe për thjeshtësinë dhe vlerat e tij njerëzore. Qysh në poezitë e tij të para kam parë tek Blushi poetin e ardhshëm, të vërtetë. Vitet që do pasonin do ma përforconin dhe më tepër këtë ide.
Unë kam pasur shumë miq, poetë dhe shkrimtarë që kanë ikur nga kjo botë, por ikja e Blushit ishte tronditëse, pasi ka ca krijues si Kiço Blushi ku pasqyrohen cilësi që e dallojnë njeriun dhe shkrimtarin nga shkrimtarët e tjerë. Ka qenë një rastësi që unë, para se të njihesha me Blushin, në ca rrethana të çuditshme, të njihesha me Blushin plak. Në vitet studenteske u nisa për herë të parë Korçën e bukur… I zgjata dorën një kamioni me targë Korçe. Shoferi ishte babai i Kiço Blushit. Ai më tha të hipja në karroceri, pasi dy vendet e gabinës i kishte të zëna. Në Prrenjas, kur dy udhëtarët zbritën ma bëri me dorë të futesha në kabinën e tij. Nata dhe bora na zuri në Qafë Thanë… I ati i Kiços ishte fjalë pak. Zbritëm të dy dhe ndezëm një zjarr në dëborë… Atje ai më tregoi që kishte një djalë në moshën time që shkruante vjersha… Në atë shtator Kiço Blushi erdhi në fakultetin tonë dhe u regjistrua në degën e rusishtes. Qysh kur e pashë më la një mbresë të mirë. I qetë, i mencur… Bjond…Sy kaltër… i ngjante Sergei Eseninit të cilin në ato vite ne e donim aq shumë. Unë Musai, Ruzhdiu, Vathi, ishim në vit të katërt, por Kiçon e futëm në miqësinë tonë… Ai shkrunte shumë. Shkruante poezi me vargje të lira.Tematika e disa poezive të tij më kanë mbetur në mend. Qysh në njohjen e parë unë kam menduar që Kiço Blushi do bëhej një poet i madh. Nuk u bë poet i madh, por, u bë shkrimtar i madh dhe i vërtetë… Për të gjithë ata që nuk e kanë njohur krijimtarinë e tij e që përmendin vetëm disa nga skenarët e tij, apo e njohin Blushin si publicist, unë dua t’ju them se Kiço Blushi na ka lënë një krijimtari të bollshme dhe të pasur letrare. Për me tepër ai na la një letërsi të një niveli të lartë clësor. E cila renditet në krijimtarinë me të mirë të këtij pesëdhjetë vjecari.
E veçanta e krijimtarisë së tij është krijimi i karaktereve të spikatur, jetësorë të cilët mund t’i kemi vënë re dhe në skenaret e tij, si “Çifti i lumtur”, ”Kujtimi i vitit 37” etj.
Personazhe e Kiços janë të qëmtuara nga jeta. Kiço Blushi nuk ishte një shkrimtar qyteti, jeta e tij e gjatë si gazetar, por edhe si skenarist, e kishte kushtëzuar që ai në lëvizjet e shumta nëpër Shqipëri të mbushej me mbresa nga jeta… Ngjarje, tipa karaktere… Letërsia e Kiço Blushi mban aromën e një Shqipërie, të viteve të vështira, të cilat kanë lënë gjurmë në jetën tone dhe në krijimtarinë tonë dhe tashmë janë bërë pronë e letërsisë shqipe… Nuk rri pa kujtuar morinë e personazheve të marra nga jeta e tij si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës të përshkruar aq bukur dhe me aq realizëm në romanin e tij të parë . E tillë ishte dhe Lezja, shoferja malësore e dhënë mjeshtërisht tek drama “Lezja” vënë në skenë nga trupa e Teatrit të Korçës… Mund të përmend dhe shumë tregime të këtij autori të cilat e përfaqësojnë denjësisht në një antologji të tregimit më të mirë të letërsisë shqiptare. I tillë është dhe romani “Koka e prerë e Ali Pashës”, por dhe romani tjetër edhe më i rëndësishëm i cili u bë dhe film. “Beni ecën vetë” Kiçua ishte një shkrimtar vëzhgimtar dhe modest. Atij nuk i pëlqente buja, as titujt ”Artist i merituar”apo “Mjeshtër i madh”. Ai ishte i vetëdijshëm për talentin e vet dhe për krijimtarinë e vet… Të paharruar do të mbeten në kujtesë filmat “Beni ecën vetë” dhe “Në shtëpinë tonë”. Kiço Blushi ishte njohës i mirë i personazheve që ka përshkruar në librat e veta. Mbi të gjitha ai bënte një krijimtari realiste të vërtetë dhe aftagjatë… Ai i përkiste racës së shkritmarëve si Turgenievi dhe Çehovi, Mopasani dhe Cvajku.
Mbi të gjitha Blushi ishte një mik i mirë. Mund ta quaje me plot gojën, një mik i heshtur dhe i mencur, një mik nga i cili mund të përfitoje ,jo vetëm nga talenti dhe eksperienca e vet jetësore, por nga humori tij, të cilin e shpërndante me kursim në shoqërinë e tij të ngushtë… Te Kiço Blushi mik e bashkëmoshatar unë shihja njeriun si duhet të jetë shkrimtari model, i mencur dhe me vizion..
Vitet e fundit takimet tona kanë qenë më të rralla. Herën e fundit që e takova m’u duk më i hehstur. Ai fliste pak por prekte gjëra esenciale. Kohët e fundit shkruante pak, por prekte probleme esenciale… Kur mora vesh sëmundjen e tij u trishtova shumë, mirëpo duke parë natyrën e tij të qetë, të përzemërt dhe optimiste, mendova se ikja e tij do të ishte e largët. Tashmë që Kicon nuk e kemi më midis nesh më ngushëllon ideja se shkrimtarët e vertetë si Kico Blushi nuk ikin. Jeta e tyre mund të jetë e shkurtër por arti i tyre do të jetë afatgjatë.Ditët që jetojmë janë anti-art dhe anti-letërsi. Letërsia dhe arti në këto tri dekada ka një rënie të madhe interesi,mirëpo unë mendoj se do të vijë një ditë, kur krijimtaria e Kiço Blushit, për vetë vlerat e saj të vecanta do të vendoset në panteonin e letërsisë më të mirë shqiptare.


Lexo edhe:

RRËFIMI I VEÇANTË I NDRIÇIM XHEPËS: SI U TRAJNOVA 3 MUAJ ME SHOFERËT E LAÇIT PËR FILMIN…