“Si na “tradhtoi” Xhenfize Keko”, aktori tregon historinë e “Kur xhirohej një film”

Divorci

Jo shumëkush e di se filmi “Kur xhirohej një film” është bazuar mbi historinë e vërtetë të jetës së Herion Mustafarajit. Në qendër të filmit ishte tematika e divorcit. Kjo ishte tematikë e vështirë dhe pak e rrahur për atë kohë. I ftuar kohë më parë në emisionin “Rreze dielli” në Report Tv, Herioni ka folur për projektin e tij më të fundit. Është kjo komedia muzikore “Prapaskenat e fatit”. Atë e ka ngjitur në skena të ndryshme të teatrove të Shqipërisë.

Ai vijon ta rivendosë në skenë, por jo vetëm, ai ka zbuluar më shumë rreth jetës së tij private, personazhit të “Benit”. Me këtë rol e identifikojnë të gjithë. Ai flet edhe rreth detajeve të jetës së tij private, divorcit të prindërve, i cili u bë skenar i filmit “Kur xhirohej një film”. Por si e priti Herioni këtë fakt? A pati forcë ta ndiqte premierën e këtij filmi që në të vërtetë ishte pasqyra e jetës së tij reale’?

“Teta Xhano e ka shprehur atë gjithmonë edhe në kujtimet e veta që këtë film. Atë e ka frymëzim nga jeta e një aktori, shpeshherë ka thënë edhe emrin tim, por duke mos dashur të më verë në siklet. Në atë kohë nuk e përmendi që është Herioni, por familjes time sigurisht i mori leje, sepse kishim xhiruar tre filma bashkë me të, dhe ajo më njihte shumë mirë.

“Flinim bashkë në hotel. Më mësonte dhe ishte një nënë e dytë për mua, flija tek shtëpia e teta Xhanos, me Dorin, Ilirin, xhaxhi Endrin. Isha si djalë i familjes, dhe unë i tregoja gjithë ngjarjet e jetës. Tregoja çdo gjë që më prekte. Kur babai vinte në sheshxhirimin me motor, mamanë time e njihte. Edhe ajo gjithashtu vinte në sheshxhirim, e përjetoi dhe Xhano atë emocionin tim. Ai tha se kishte shkruar një skenar për jetën e Herionit, dhe pyeti “Si mendoni, a mund ta prodhoj?”.

Ato të shtëpisë thanë: “Dakord Xhano, patjetër”, ajo ishte zonja më e dashur në shtëpinë tonë. Unë ndjeva krenari të madhe. Mendoja sa vetë mund të ishin që është bërë një film për ta, Skënderbeu një, unë dy, s’njoh ndonjë tjetër”, shprehet Herioni me batutë.

“Më pas doli premiera e filmit në televizor. Aty doli dhe teta Xhano. Para premierës së filmit ku bëhej një intervistë e vogël me regjisoren e filmit, teta Xhano tha se ku u frymëzua dhe duhej dhënë patjetër një fjali moraliste në fund.

“Se ky është një problem në shoqëri, (bëhej fjalë për fenomenin e divorcit, pasi prindërit e mi ishin të divorcuar dhe kjo përbënte një temë shumë delikate në atë kohë). Unë mendova jetën time në një film. Si një fëmijë që nga askushi bëhet dikushi, dhe jo se në qendër të filmit ishte problemi i divorcit, dhe intervista e saj u përmbyll me fjalët:

“Se si këta fëmijë që vijnë nga familje të divorcuara bëhen problem për shoqërinë tonë’, dhe unë ngela para televizorit, edhe mamaja ime ngeli… se kjo ishte pika mbyllëse para se të fillonte filmi, dhe ne ngrimë në një moment, dhe mamaja ime tha “Si qenkan problem fëmijët me prindër të divorcuar, po Herioni çfarë problemi është bërë për shembull?”, dhe unë ngela, u mbyll televizori, nuk u pa filmi, unë ika nga dhoma, u mbyta në të qara, duke menduar se çfarë problemi qenkam unë për shoqërinë.

Më erdhi si një grusht i madh. Më vonë u sqaruam me teta Xhanon dhe të tjerët, por në atë moment kjo nuk qëndronte fare si thënie për familjen tonë, dhe nga ajo që kishim llogaritur se do të ngriheshim në kult, na rrëzoi komplet.”/Shqiptarja.com

Lexo edhe: FILMI “TOKA JONË” ISHTE I BEKUAR, SI U DASHURUAN ROZA E DHIMITËR ANAGNOSTI?

ObserverKult